Monika Kryemadhi ka zbuluar për publikun, sipas saj premtim që ish-kreu i SPAK, Altin Dumani i bëri SHBA-së pasi mori detyrën në 2022.

Në një intervistë për "Top Story", Kryemadhi deklaroi se Dumani i premtoi Juri Kim, asokohe ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, që do të arrestonte Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Altin Dumani e ka marrë çështjen në 2018, me idenë dhe propozimin e famshëm që unë do ta çoj Ilir Metën në burg, ju duhet të më bëni kryetar të SPAK. Ju e dini shumë mirë që në 2019 kur filloi historia, ishte beteja mes Altin Dumanit dhe Arben Krajës. Më pas ai u tërhoq dhe u zgjodh Arben Kraja. Pastaj në 2022, kur Altin Dumani ka ardhur në krye të SPAK, një nga premtimet që i është bërë Juri Kim ka qenë ideja për arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Pasi ka qenë ideja e famshme që drejtuesi i opozitës do të bëhej Lulzim Basha, ndërsa i maxhorancës do të ishte Erion Veliaj. Kjo ka qenë si një strategji politike, që duke u arrestuar Berisha me Metën automatikisht do të largohej edhe Rama, trekëndëshi i famshëm i Bermudës”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi bëri një rrëfim ndryshe mbrëmjen e kësaj të enjte, teksa është shprehur se besimi i Ilir Metës tek ajo është thyer për shkak "të një rrogëtari" që ka hyrë shumë vonë në jetën e ish-Presidentit.

"Raporti im me të tani është vetëm për fëmijët. Unë nuk do të falë kurrë mungesën e besimit që ai kishte për mua. Nuk do pranoja kurrë që besimin e Ilir Metës tek unë do e thyente dikush që vjen sot në jetën e tij, një rrogëtar. Kurse unë në jetën time, kurrë nuk kam vendosur në dyshim një vendim të Ilir Metës", është shprehur ajo, kur moderatorja dhe ish-kolegia deputete Grida Duma e pyeti për marrëdhënien aktuale që ata kanë tashmë si ish-a.

Monika Kryemadhi ka treguar edhe për drejtimin e LSI, sot Partia e Lirisë, kur Ilir Meta u zgjodh President i Republikës, duke u shprehur se deputetët dhe ish-ministrat e grupit parlamentar, ishin besnikë të Ilir Metës dhe bashkëpunëtorë të hershëm të tij.

"Mora një parti që ishte me deputetët e burrit dhe përveç asaj, ishte me ish-ministrat e burrit dhe të Edi Ramës në Grupin Parlamentar. Ata kishin më shumë ndjesi shpirtërore me Ilir Metën sesa me Monika Kryemadhin, përveç 2-3 të rinjve. Kur Ilir Meta shkoi President, ajo parti (LSI) u la në mes të dy partive të mëdha, PS dhe PD. Unë atëkohë quhesha terroriste politike, për shkak të qëndrimeve të forta, duke pasur parasysh se 20 deputetët që kishte LSI krijonin balanca. Ilir Meta ka qenë 0 i përfshirë kur unë drejtoja partinë, vetëm për djegien e mandateve që është e kot ta bisedojmë, ai ka qenë kundër. Do e digjja vetëm unë mandatin dhe të tjerët do prisnin sa të vinte Ilir Meta. Pastaj aksioni opozitar u la në mes të rrugës", vijoi ajo.

/Top Channel/