Tiranë- Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit për kalim të paligjshëm të kufijve të emigrantëve të huaj.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se i Kreshnik Gaxha u kap në rrugën e vjetër të Rinasit, teksa po transportonte 6 emigrantë egjiptianë drejt Kukësit.
Pas Kukësit destinacioni i radhës do të ishte Kosova dhe më pas shtetet e BE-së.
Gjatë këtij operacioni blutë bëjnë me dije se sekuestruan si provë materiale makinën e 31-vjeçarit dhe 2 celularë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i një hetimi njëmujor, të ndjekur me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të një shtetasi që dyshohej se transportonte emigrantë, kundrejt pagesave, nga Tirana drejt Kukësit, me qëllim kalimin ilegal, fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtete të BE-së, finalizuan fazën e tretë të operacionit “Relay”.
Gjatë operacionit u kap autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi K. G., 31 vjeç, banues në Kukës.
Në automjetin që drejtonte ky shtetas, në rrugën e vjetër të Rinasit, ishin 6 emigrantë nga Egjipti.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente











