Durrës - Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Portin e Durrësit.

Sipas njoftimit të bluve bëhet me dije se gjatë kontrollit në furgon shërbimet e policisë gjetën bizhuteri, produkte kozmetike, veshmbathje, produkte ushqimore, medikamente mjekësore, lubrifikantë për automjete etj, të dyshuara të kontrabanduara.

Mallrat u sekuestruan si provë materiale.

“Në vijim të kontrolleve në hyrje-dalje të Republikës së Shqipërisë, të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, bazuar në informacione policore, analizën e riskut dhe precedentët e mëparshëm, në hyrje u kalua në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, furgoni që drejtonte shtetasi E. B..  

Gjatë kontrollit në këtë automjet u gjetën bizhuteri, produkte kozmetike, veshmbathje, produkte ushqimore, medikamente mjekësore, lubrifikantë për automjete etj, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk shoqëroheshin me dokumentet e nevojshme provuese.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, furgoni dhe mallrat”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë