Një punonjës i bashkisë humbi jetën teksa po vendoste shtyllat e ndriçimit përgjatë rrugës, në Tropojë, pasi dyshohet se ra në kontakt me korrentin. Tre punonjës të tjerë mbetën të plagosur.

Policia nisi hetimet, por paraprakisht dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.

Viktimë mbeti Muhamet Sylisufaj, 59 vjeç, ndërsa u plagosën, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore. Ata janë jashtë rrezikut për jetën. Dy prej tyre po marrin trajtim në Spitalin e Tropojës, ndërsa punonjësi i tretë, me insistim të familjarëve, është dërguar në Spitalin e Gjakovës. 

Ngjarja ndodhi rreth orës rreth orës 10:00 pranë Urës së Bujanit.

"Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.

Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjec ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjec., I. D. 47 vjec dhe A. A. 21 vjec ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.

Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit", njoftoi Policia. 

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.