Në sfondin e kritikave të shumta që demokratët i bënë në bashkëbisedimin e fundit me ta, Sali Berisha, nuk vonoi dhe shpalli datën e protestës së tetë të opozitës kundër qeverisë. Tubimi do të mbahet më 8 maj, por kreu i PD nuk dha asnjë detaj nëse ka ndryshuar strategjinë e saj, përballë sugjerimeve që militantët i bënë, nga greva e deri në bllokim të Kuvendit, nxitur nga zvogëlimi i pjesëmarrjes nga protesta në protestë.
Kritikuesve, por jo vetëm, Berisha u bëri thirrje që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të bashkohen më 8 maj në kryengritjen e radhës paqësore, siç ai e cilëson.
“Të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi. Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje të fuqishme si shpresa e vetme e shqiptarëve. Kryengritja e cila synon të bashkojë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga moshat, pavarësisht se mund të jenë të bindjeve të ndryshme politike, por që gjykojnë se vjedhjet e tmerrshme të qeveritarëve po shkatërrojnë financat e tyre, po shkatërrojnë vendin e tyre. 8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve. E protestës së tyre më të fuqishme”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët se kur do t’i përzgjedhë PD kandidatët për kryebashkiakë për zgjedhjet e 2027-ës, Berisha tha se procesi do të nisë shumë shpejt.
“Shumë shpejt do nisë procesi. Ka një debat për tu zhvilluar lidhur me procedurën, do finalizohet. Ka mendime të ndryshme”, tha Berisha.
Berisha tha se me kryeministrin Edi Rama, nuk do të ketë asnjë pakt, veçse uljes në tryezë për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat janë një kërkesë e BE-së.
Komente











