Janë 180 të rinj, të cilët kanë realizuar një shfaqje muzikal, e cila u shfaq mbrëmjen e së hënës në Tiranë.

“Sot, në qendër të Tiranës, kemi sjellë në skenën e Universitetit të Arteve rreth 180 të rinj, pjesë e orkestrës, korit, baletit dhe valltarëve. Gjithashtu kemi realizuar edhe një ekspozitë me punimet e tyre në pikturë. Ky është një muzikal ndryshe, sepse është krijuar nga vetë të rinjtë dhe me kontributin e tyre në çdo detaj.”, thotë balerina Adela Muçollari, drejtuese artistike e projektit.

Muzikali është pjesë e një projekti më të gjerë që angazhon të rinj nga qytete të ndryshme të vendit.

“Kemi tetë muaj që punojmë për këtë projekt. Shfaqjen e parë e realizuam më 26 prill në Shkodër, sot jemi në Tiranë dhe më pas do të vijojmë në Elbasan. Në total, në tre qytetet kemi përfshirë rreth 230 të rinj në skenë dhe mbi 2300 që kanë marrë pjesë në audicione.”, vijon Muçollari.

“Poenia” është një projekt i frymëzuar nga filmi i njohur “La La Land”, por i përshtatur në realitetin shqiptar dhe në identitetin e çdo qyteti.

]“Ne kemi krijuar tre muzikale të ndryshme për tre qytete: Shkodrën, Tiranën dhe Elbasanin. Çdo qytet ka identitetin e vet artistik. Në Shkodër kemi sjellë humorin dhe atmosferën karakteristike shkodrane, ndërsa Tirana dhe Elbasani kanë programe të ndryshme, të përshtatura me realitetin e tyre.”

Përmes këtij projekti, të rinjtë kanë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre në disiplina të ndryshme artistike. Synimi është përçimi i mesazhit se puna dhe përkushtimi janë çelësi i suksesit.

“Ky projekt i ndihmon të rinjtë të provojnë zhanre të ndryshme artistike. Ata jo vetëm këndojnë apo kërcejnë, por bashkojnë të gjitha këto elemente për të sjellë një performancë të plotë për publikun. “Është një muzikali edukativ. Në fund të ditës, mesazhi është që pa punë dhe përkushtim nuk mund të arrish suksesin.”, shton Muçollari.

Projekti është realizuar me mbështetjen e Qendrës Multifunksionale “Sons”, duke sjellë në skenë një brez të ri artistësh që premtojnë për të ardhmen e artit shqiptar.