Poezia e Asdrenit për marrjen peng
të Skënderbeut dhe vëllezërve të tij

Poezia e Asdrenit për marrjen peng<br />të Skënderbeut dhe vëllezërve të tij
Në historinë e familjes Kastrioti, padyshim momenti me i vështirë pas humbjes së betejës kundër ushtrisë osmane të Sulltanin Muratit më 1421, ishte marrja peng e katër djemve të familjes dhe dërgimi i tyre në sarajet e sulltanit në Edirne të Turqisë.

Nëse pranohet si datë e lindjes 1405,  Gjergj Kastrioti, më i vogli prej vëllezërve mendohej të ketë qenë rreth 16 vjeç kur u dërgua në Turqi.  

Shumë studiues, historianë shkrimtarë e poetë kanë shkruar për këtë periudhë të vështirë për Kastriotët. E një prej tyre është edhe Asdreni.

Në një prej dosjeve ku ruhet krijimtari e pabotuar e Asdrenit, në AQSH gjendet një poezi mjaft e ndjerë, me shumë gjasa e pabotuar më parë, kushtuar Vojsava Kastriotit dhe fatit të trishtë të saj si nënë pas largimit të djemve drejt  sarajeve të Sulltanit në Edirne.

Ndër vargjet e ndjera të Asdrenit, vlen të veçohen: “- O Gjergj i-em i vogël, o bir pleqërije/ Prej mallit e gjallë në dhèt do të kallem,/ Bir, eja në gjirin e mêmës të çmallem/ O lule nër lulet, o hyll Shqipërije/.”

Poezia e Asdrenit, e ruajtur në daktiloshkrim, edhe pse nuk ka një datë të shkrimti të saj në fund, mendohet të jetë shkruar  rreth vitit 1940-1941, në të njëjtën kohë kur datojnë edhe një varg krijimesh të tjera poetike të tij, të cilat ruhen në këtë dosje.

Më poshtë e sjellim të plotë poezinë “Vojsava” duke kujtuar sot ditëlindjen e Gjergj Kastriotit.

VOJSAVA
 
Me lotë për faqe Vojsava po lutej
Për fatin e djemve përpara Tënzotit,
Sa tretej gjunj-ulur me pikën e lotit
Si vesë verore fytyrës q’i ngutej.
 
Bij katër të dhembshur, si katër dragona
Q’i donte nga shpirti si zogjtë lûanesha,
Me kêngë në djep q’i pat rit arbëresha;
Djem katër si bredha të màleve t’ona.
 
E ndjente mjerimin q’i turrej e ngrata,
Të zezën q’e priste nër ditët e jetës,
Sa zêri nër lotet i shuhej së shkretës
Dhe dita i dukej mê-e zezë se nata.
 
Me lutje të zjarrta, përvujtje dhe drithma
Për orë-i kujtonte Hyjlindëses s’onë,
Kujdesin t’u-a ketë si Même gjithmonë
Edhe-emrin ç’do djalit përmêndte nër klithma.
 
Si dallgat e rrebta nër sulme shtërgate
Q’e prekin anijen si lodrë foshnjore,
Si fati q’e pruri nër duar mizore
Sheh jeta si mvaret në majët njëj shpate.
 
Pa dashur i bindesh ç’do rahje rrëmeti
Kur ndjen se fuqija s’të mban as për fare,
Ç’do lodrë-e mënyrë të del kundërshtare;
Sikundër s’përball dot lëkundjet tërmeti.
 
Tiranit t’i falësh fëmijët peng bese –
Njëj urdhri të vreshtë t’i bindesh pa dalje,
Që kurrë nuk preket mëshirë dhe falje
Kur armët përdoren si mjete shpërblese!...
 
Në çastin e ndarjes me ‘të dhe me Gjonin
Me shpirtin në gjendje të tmerrtë trazimi,
Vojsava vështronte me sy mallëngjimi
Prej gjiri pëllumbat’ larg saj si flutronin.
 
Si pikat e strehes mi gurët e fortë
Q’i mihin si shtijza me majë të mprehtë;
Vojsavës, me zemrën e brejtur për jetë
S’i mbet veç se bindje dhe shpresë në shortë.
 
Me kryet nër duar e rrahur mendimesh
Për Gjergjin pa moshë si zogu pa fletë,
Në luftë me jetën si drita me rétë
Nuk gjente pik prêhje, dëshmore mundimesh.
 
‘O Prijës i kombit, o Gjon Kastrioti
Luân i plagosur pa nxjerrë një britmë,
Voglò-m’a mjerimin, në jetë ti ndrit-më
Një ditë fatbardhë t’a sjellë prap moti.
 
Të ndrijë fatlume një rreze shkëlqimi
Si valë të derdhet mi né lumërija,
Si nj’êngjëll prej qjelli të zbresë Lirija:
Të shohim prap ditë ringjallje-e gëzimi.
 
Zê kêngësh rinije luftare t’ushtojë
Nër muret e vjetra të Krujës krenare,
Zê kêngësh me zjar trimërije shqiptare
Si burrat e motit nër hovet pa drojë.
 
Armikut i-u shoftë krejt emri dhe fara
Mos paftë në jetë një ditë fatbardhë,
Askurrë mos daltë me faqe të bardhë;
Greminë dhe krishje ku vete përpara.
 
Nga fshamet nër vaje me drithma trupore
Nga lotet si breshër të derdhur mi tokë,
E prurtë, lus, Ora që djemtë me shokë
Në gjak t’a përmbysin kuçedrën mizore.
 
- O Gjergj i-em i vogël, o bir pleqërije
Prej mallit e gjallë në dhèt do të kallem,
Bir, eja në gjirin e mêmës të çmallem
O lule nër lulet, o hyll Shqipërije.
  
Kujto, bir, vëndlermin si gjê mê të shtrenjtë
Me fushat dhe kodrat plot dhen e mëshqera;
Me çunat e vajzat që lojte përhera
Dhe prindrit në vatrët me vetull të mvrenjtë.
 
Si shkaba vështrimet përcill-i mi malet
Me çerdhe dragonash dhe fuqije zanash prrdore
Nër pyje të dêndur me ujra zanore;
Mi detin, zot detrash, gjith kombi q’i falet.
 
Jij burrë pa frikë në veprat e tua
Pa drojë si trimi nër trimat me fletë,
Se ka një detyrë të rêndë në jetë:
Kujtim-i të parve të mbetet, bir, hua.
 
Ç’do fjalë t’a mveshin me lajka smirtarët
Dredhijat për humbje t’i ndehin si rjeta –
Gënjeshtra ka vlerë mê fort se-e vërteta;
O-burra, mê-i pari ti dil nër të parët.
 
Me vrrullën e vrapit shqiponje gjahtare
Me kordhën nër sulme dërmonjës rrufeje
Bir, vepra pa vdekje nër shekuj, pres teje
Për nderin e lávdin e Tokës amtare.
 
Jo kurrë mik bese me farat barbare!
Ti ruaj zakonet dhe fenë prindore,
Se lavd e kurorë dafinash verore:
Stolija mê-e bukur, êsht BESA SHQIPTARE!
 
ASDREN

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet