Së pari foli deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli, i cili theksoi se "qeveria ka shtruar 250 km rrugë në Pogradec, se Pogradeci me PD ka 3 herë më shumë fitim nga turizmi".
Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se “Rama është kundërshtar i betuar i ekonomisë dhe biznesit. Se ai si kryebashkiak shtoi taksat në Tiranë për gjelbërimin, mbi biznesin, ndërsa PD është alternativë e qytetarit, punësimit, rrugëve, shkollave, spitaleve të reja, e rritjes së rrogave, udhëtimit pa viza në Europë, e zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit”. Ndërsa kryeministri Berisha, pasi ka renditur shifrat e "zhvillimit ekonomik të vendit", ka bërë replikë direkt mbi "sharjet, fyerjet kolektive dhe mashtrimet dhe analfabetizmin e Ramës në ekonomi, duke shpejguar se ekonomia nuk rritet nga lart poshtë".
BERISHA: JA SHIFRAT TONA TË ZHVILLIMIT
Kryeministri Sali Berisha theksoi se "hoqëm çdo taksë mbi prodhimin, kjo do bëjë që investimet e huaja të rriten nga 4 në 6 milionë dollarë 4 vitet që vijnë. Projekte të mëdha dhe gjigande kanë filluar dhe do fillojnë; 1 miliard euro në kaskadën e Devollit, pritet gazsjellësi TAP dhe gazifikimi i mbarë Shqipërisië, investim mbi 1,5 miliardë dollarë".
Berisha ka premtuar krijimin e 250 mijë vende pune, ka kujtuar se në 4 vitet që shkuan qeveria ia doli të subvencionojë 45 mijë fermerë në mbarë Shqipërinë. "Subvencionet tona në bujqësi në 4 vite krijuan 100 mijë vende pune. Do trefishojmë grante për bujqësinë nga 56 milionë në 165 milionë dollarë", premtoi Berisha.
Berisha premtoi 250 mijë vende pune në mandatin e ardhshëm, duke iu referuar turizmit, që nga 300 mijë turistë në vitin 2005, në tetë vjet arritën në 4 milion e 700 mijë. "Banka Botërore e ka cilësuar Shqipërinë një nga 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë", theksoi Berisha.
"Cili do jetë Pogradeci pas ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan Qafë Pllocë Qukës? Mbarë Shqipëria do derdhen në bukuritë mahnitëse të liqenit të Ohrit në çdo kohë", tha Berisha. Ai ka theksuar edhe ambicien se, Shqipëria ecën e sigurt për t’iu bërë 4 vitet që vijnë vend lider në rajon për teknologjinë e informacionit, ku do të dyfishohen të punësuarit".
Berisha nuk ka harruar të cilësojë se "me besimin e biznesit, qeveria ka nisur garën më të pashembullt, më të shkëlqyer të ndërtimit të hidrocentraleve".
"Sot qeveria ka firmosur me sektorin privat shqiptar, europian, kontrata për ndërtimin e 163 hidrocentraleve në lumenj dhe burime ujore të Shqipërisë".
BERISHA: RAMA FYEN NË MENYRË KOLEKTIVE
Si në çdo takim tjetër, Berisha nuk ka lënë pa sulmuar edhe direkt Edi Ramën. "Edi Rama bredh me autobusin mavi nëpër Shqipëri. Alternativa e tij së pari është ajo e sharjeve dhe shpifjeve dhe mashtrimit. Në një vend i quan shqiptarët injorantë, në një tjetër robër e skllevër, në një tjetër nxënësit dele, policët i quan banditë, në tjetrin qytetarët i quan robër. Nuk është fjala për sharjet ndaj Sali Berishës, se i hedh në kazan dhe s’merrem, por fyerjet koletive janë të papranueshme", ka cilësuar Berisha.
BERISHA: EKONOMIA NUK RRITET NGA LART POSHTË
Berisha e ka akuzuar Ramën për "analfabetizëm total në ekonomi, legjislacion". Duke përmenduar se "ai do t’ua ulë taksat 95% të shqiptarëve dhe paratë do t’ua marrë 5% të shqiptarëve", Berisha i është drejtuar Ramës:
"I nderuar shoku i autobusit mavi! Mësoje se është A-ja e çdo ekonomie të lirë, e doktrinës së ekonomisë së lireë që ekonomia e një vendi të lirë nuk rritet kurrë nga lart poshtë. Kjo është dogmë injorancë. Atë e rrit klasa e mesme e këtij vendi, ata qindra mijëra gra dhe burra, që zgjohen pa gdhirë e punojnë deri natën vonë për mirëqenien e familjeve të tyre, e rrisin ata që gdhihen pa gdhirë për të pastruar dyqanin, për të ngritur qepenini, ata fermerë që ngrihen natë. Zhvillimi nga lart, njësoj siç mendonte Byroja Politike", ka analizuar Berisha.
BODE: EDI RAMA, KUNDËRSHTAR I BETUAR I BIZNESIT
"Tani që u privuam nga qindra milionë euro investime nga mosmiratimi i 3 ligjeve, Rama votoi 3 ligjet, me kusht që të hyjnë në fuqi në vjeshtë. Kjo është ndihma që Edi i jep vendit, shqiptarëve. Nuk ka votuar asnjëherë për rritjen e pagave dhe pensioneve, as uljen e taksave", tha në fjalën e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode,i cili theksoi se PD është alternativë e qytetarit, punësimit, rrugëve, shkollave, spitaleve të reja, e rritjes së rrogave, udhëtimit pa viza në Europë, e zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit”.
Ai ka shtuar se, Rama është kundërshtar i betuar i ekonomisë dhe biznesit. Se ai shtoi taksat në Tiranë për gjelbërimin, mbi biznesin. "Përgjysmimi i taksave mbi biznesin është porosi e Koçove dhe Doshëve, kodoshëve, që duan të falimentojnë rivalët e tyre. Për vete do paguajnë zero taksa, por do falimentojnë rivalët e tyre jo me 10%, por me 20-25%. Vetëm kështu do shlyejnë borxhe,t që u kanë bankave dhe do bëjnë rrëfimet e reja, se si u bënë miliarderë", theksoi Bode.
Bode shtoi se, "Rama javë më parë u tha biznesmenëve të vegjël se si do heqin taksat biznesit të vogël. Ky është kurthi për taksat mbi të ardhurat personale, pasi sot taksa 1,5 % mbi xhiron është taksa më e ulët në botë".
"Pastaj tha se 5% jo 10%. Por biznesi i vogël nuk paguan 10%. Rama do t’u përgjysmojë tvsh ushqimet dhe nuk thotë se mirëqenia do të vijë prej rritjes së pagave dhe pensioneve. Po ç’do t’u themi fermerëve? Mijëra tonë ushqime ku do t’i çosh? Po miliarda euro të investuara në industritë, që ruajnë, paketojnë prodhimet blegtorale, pse do t’i çosh në falimentim? Sepse je mik i Koçove dhe Doshëve, je kukull i kodoshëve, Shqipëria rrezikon të kthehet në banana republikë", tha Bode.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)