POGRADEC-Një 30-vjeçar ka gjetur vdekjen mbrëmjen e së hënës pas një zjarri që ka rënë në banesën e tij në fshatin Bishnicë të Pogradecit.
 
I riu ndodhej në një prej dhomave në momentin kur ra zjarri, ndërsa janë nxjerrë shëndoshë e mirë e shoqja dhe e bija 2 vjeç, kurse nëna e djalit, u dërgua me plagë në spital pasi tentoi të shpëtonte të birin nga flakët.
 
Nga të dhënat e para, mësohet se zjarri ka rënë në orën 23:00, ndërsa shkak dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.

Si pasojë e flakëve nëna e viktimës Bajrame Elezi 60 vjeç, ka marrë dëmtime në trup dhe fillimisht është dërguar në spitalin e Pogradecit për të marrë ndihmën e parë, më pas u transportua për në Tiranë për mjekim të specializuar.

E mbetur në këmbë si gërmadhë në foto duket dhe banesa e shkrumbuar tërësisht.
 
Flet bashkëshortja e 30 vjecarit të djegur në banesë

Nuk di kë të qajë më parë. Burrin që humbi në zjarr, banesën e shkrumbuar apo vjehrrën në spital me djegie të rënda në trup.

Eriola Elezi shtrëngon vajzën e vogël në krahë dhe rrëfen momentet e tmerrit që përjetoi familja e saj. “Nëse do të kishte mbërritur në kohë zjarrfikësja, burri do më kishte shpëtuar”, thotë Eriola duke treguar se tani janë në mes të 4 rrugëve në qiell të hapur.

Në momentin që ra zjarri unë kam qenë në dush duke u larë ndërsa vajza e vogël dy vjeçe ka qenë në kuzhinë në gjumë. Bashkëshorti ishte në dhomën ku edhe zjarri ishte më i fuqishëm. Fillimisht ka qenë mamaja ajo që ka thyer dritaren për ta ndihmuar dhe më pas kanë ardhur bashkëfshatarët e tjerë. Jemi munduar ta shuajmë zjarrin me kova me ujë por ka qenë e pamundur. Zjarrfiksja nuk ka ardhur. Nëse do të vinte mund të kishte shpëtuar burri. Tashmë kemi mbetur vetëm tre femra, vjerra unë dhe goca dhe jemi në rrugë. Bëjmë apel që dikush të mendojë për ne. Ju lutem na ndihmoni”, tha Eriola Elezi.

Ndërkaq të afërm të familjes po përgatisin mortin e Ilirjan Elezit, 30 vjeç.

[gallery]20315[/gallery]

Redaksia Online
Dy.b/ D.T/Shqiptarja.com