Kreu i Departamentit për Sigurinë në PD, Enkeljed Alibeaj u shpreh se deputeti i LSI-së është i kriminalizuar. Sipas tij, Rama nuk e do dekriminalizimin sa kohë mban ende në parlament deputetin Shkëlqim Selamin, i cili sipas tiij ka fshehur të dhëna dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qëniesh njerëzore.
"Zbulimi nga media i rastit të deputetit të madhorancës, Shkëlqim Selami, i cili ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qëniesh njerëzore, tregon edhe një herë pse Edi Rama nuk e do dekriminalizimin, e pengon atë, dhe nuk është i gatshëm ta zbatojnë.
Ndërkohë që Europa e ka theksuar, e ka vënë tek kushtet e vendit tonë për integrimin europian, Edi Rama nuk bën asnjë përpjekje për aplikimin e dekriminalizimit, për ndarjen me krimin, me personat me të shkuar kriminale që i ka në parlament, në bashki e në zyra qendrore.
Jo vetëm nuk shkarkon Rroshin, të cilit ia quajti publikisht të mbyllur shërbimin kur i doli dënimi në Itali për përdhunim, por jep letra rekomandimi për kreun e bandës në Durrës, Lulzim Berisha, dhe del se po pasuron radhët me anëtarë të rij të klubit të krimit, me deputetë si Selami.
Pra Edi Rama vazhdon kontratën e tij me krimin në të gjitha format, dhe nuk ka ndërmend të ndahet prej tij.
Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve që ligji i dekriminalizimit i ngarkon me këtë detyrë, KQZ dhe Prokuroria, të veprojnë me shpejtësi, të mos i zvarrisin rastet si deputeti Selami, e të tjerë deputetë dhe kryetarë bashkie të kësaj mazhorance.
Eshtë koha për pastrimin e politikës nga krimi", u shpreh Alibeaj.
Ndërkohë më herët ishte deputetja dhe njëherazi kryetarja e komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Albana Vokshi, e cila akuzoi LSI-në se është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve nga koncesionet dhe abuzimet e qeverisë. "LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konçesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, nuk do kishte bërë pazar me taksën e gazit", u shpreh Vokshi.
Polemikat e shpra mes dy partive ish-aleate në qeverisje deri katër vite më parë (2009-2013), duket se i japin fundit edhe flirtit që ka mbizotëruar gjithnjë nga ana e demokratëve për të joshur LSI-në drejt një pakti të ri politik.
Selami: Akuzat e PD të pavërteta, dokumentet e plota në KQZ
Por deklaratën e ardhur nga PD e ka hedhur poshtë menjeherë deputeti i LSI-së në qarkun e Vlorës, Shkëlqim Selami.
Për Report Tv ai tha se këto janë shpifjet e radhës të Partisë Demokratike, pasi sipas tij gjithçka që thuhet është e pavërtetë.
Selami thotë se i ka dorëzuar dokumentat e plota në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve por do ta ridërgojë sërish të hënën një kopje të origjinalit.
"Nuk kam asgjë për të fshehur dhe se nëse do të kishte për të fshehur diçka atëherë nuk do të merrej me politikë", u shpreh Selami.
Duke i hedhur poshtë akuza të tilla, deputeti i LSI-së në Vlorë thotë se këto deklarata bëhen për të hedhur baltë dhe kjo është mënyra e PD e të bërit opozitë.
LSI, Vasili ironizon Bashën: Je këtu apo në Holandë?
Zyrtarisht për akuzat e PD për korrupsion dhe ato për inkriminimin e deputetit Selami edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Zv/kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ironizoi Bashën duke theksuar se është shkëputur nga realiteti dhe se duhet ta ndajë nëse jeton këtu apo në Holandë.
"Unë kam dëgjuar disa komente politike lidhur me këtë çështje, në mënyrë të veçantë komentet e bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha. Jam çuditur nga komentet e tilla, se nuk e kam kuptuar dhe e kam shumë të paqartë, por kjo është një detyrë e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës të sqarojnë që PD dhe Lulzim Basha janë në këtë realitet apo ndodhen në qiellin e shtatë. Ndodhen këtu në Shqipëri apo ndodhen në Holandë. Dhe kamë vërejtur dhe dua ta bëj të qartë që problem i Partisë Demokratike dhe i Lulzim Bashës nuk është LSI-ja, por oligarkia dhe çlirimi i saj nga trysnia e kësaj oligarike në mënyrë që ajo të ketë mundësi të jetë e qartë se ku ndodhet pasi pozicioni i saj është shumë i paqartë, jo me LSI-në, por me interesin publik", u shpreh Vasli.
Duke iu referuar sulmeve të PD për Shkëlqim Selami, Vasili tha se nuk ka informacione për asnjë deputet që jetë i implikuar në afera kriminale.
"Nuk kam pasur informacion per asnjë deputet me rekorde të tilla. LSI është në mbështetje totale të Prokurorisë për të zbardhur çështjen. Kushdo ka probleme me dekriminalizimin nuk është më pjesë e LSI-së. Dekriminalizimi mbetet themel për suksesin e reformes në drejtësi dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", tha Vasili.
Një tjetër përgjigje që LSI i kthen PD-së është edhe ajo për marrëveshjet politike. Vasili thotë se LSI është e ndershme në zbatimin e marrëveshjeve.