Polemikat për koncesionin e pompave të karburanteve/ PD: Korruptiv! Ministria: Asnjë rritje çmimi

Polemikat për koncesionin e pompave të karburanteve/ PD: Korruptiv! Ministria: Asnjë rritje çmimi

Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka dhënë një tjetër kontratë koncesionare që bën fjalë për kontrollin e pompave të karburanteve. Ish-deputeti Agron Shehaj thotë se Edi Rama krijon një monopol të ri në treg. Sipas tij, koncesioni është vendosur në kundërshtim me vendimin e gjykatës për pezullimin e tenderit. Më tej ai thekson se koncesioni i heq arkës së shtetit 100 milionë euro për 20 vjet dhe ia jep ato klientëve të Edi Ramës dhe familjes së tij. Shehaj e mbyll reagimin duke premtuar se ky koncesion, bashkë me të gjitha koncesionet e tjera sipas tij, korruptive, do të anulohen nga PD kur të vijë në pushtet.

Por, ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas akuzave duke sqaruar se përsa i përket shqyrtimit ligjor, 'disponohet vetëm vendimi i gjykatës së shkallës së parë administrative Tiranë, i cili referuar fuqisë zbatuese të tij nuk është një vendim përfundimtar i formës së prerë. Çështja është adresuar apelimit në Gjykatën kompetente Administrative të Apelit, Tiranë'. Duke u ndalur te çmimi, që ka sjellë më shumë debate, ministrja garanton se nuk do të ketë asnjë rritje.

"Ministria ka vendosur kushte në draft kontratën e hartuar sipas procedurës, ku garanton mos ndryshimin e tarifës së shërbimit, e cila përcaktohet dhe do të zbatohet sipas Udhëzim nr.2 datë 8.2.2013 “Tarifat dhe Pagesat e Sherbimeve” dhe do të mbetet e njëjtë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Kjo do të thotë që koncensionari do të aplikojë të njëjtën tarifë që është e aplikueshme aktualisht në përputhje me legjislacionin për Metrologjinë dhe që edhe në të ardhmen nuk do të ketë asnjë kosto shtesë gjatë gjithë periudhës së koncensionit. Pra, nuk do të ketë rritje çmimi" deklaron ministrja.

Deklarata e plotë e ish-deputetit Agron Shehaj
Edi Rama ka vendosur të krijojë një monopol të ri në tregun e hidokarbureve, duke dhënë me koncesion kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant.

Koncesioni, i vendosur në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, nuk sjell asnjë përfitim për shqiptarët.

Koncesioni i heq arkës së shtetit 100 milionë euro për 20 vjet dhe ia jep ato klientëve të Edi Ramës dhe familjes së tij.

Koncesion, bashkë me të gjitha koncesionet korruptive, do të anulohet nga PD. Kush vjedh shqiptarët, do të përballet me drejtësinë.

MINISTRIA SHPALL FITUES

 ● Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka shpallur fitues të koncesionit për kontrollin e pompave të karburantit kompaninë Noa Control shpk.

 ● Sipas Gjykatës Administrative të Tiranës, Tenderi për këtë koncesion është bërë në shkelje te ligjit.

  ● Shpallja e fituesit te koncesionit është bërë duke shpërfillur vendimit e datës 27 maj 2019 të Gjykatës Administrative të Tiranës e cila vendosi pezullimin e tenderit.

  ● Gjykata ka anulluar tenderin sepse "kriteret e dokumentacionit të koncesionit janë në kundërshtim me ligjin në fuqi" dhe urdhëron ministrinë të "ndryshojë kriteret dhe të fillojë tenderin nga fillimi".

 ÇFARË ËSHTË KONCESIONI I POMPAVE TË KARBURANTEVE?

● Kontrolli i pompave të karburantit konsiston në kontrollin ligjor të instrumentave matës, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarës të karburanteve dhe gazit të lëngshëm.

 ●Praktikisht, kontrollojnë shitësin që të mos mashtrojë konsumatorin në sasinë e karburantit.

 ●Aktualisht kontrolli bëhet 2 herë në vit dhe qeveria arkëton pothuajse 60 euro për çdo kontroll. 

 ● Sot ky shërbim bëhet nga Drejtoria  e Metrologjisë dhe sjell në arkat e shtetit rreth 5 milionë euro në vit.

 ● Me dhënien e këtij shërbimi në koncesion, nëse nuk ndryshon tarifa, kompania e përzgjedhur nga Rama do të përfitojë këtë shumë për 20 vitet e ardhshme.

  ● Praktikisht 100 milionë euro nuk do të shkojnë më në arkën e shtetit por në xhepat e Ramës dhe miqve te tij.

KRIJIMI I KOMPANISË NOA CONTROL DHE SI U PERZGJODH?

  ● Kompania fituese e koncesionit është krijuar ne 2015

  ● 1 vit pas krijimit kompania Noa Control shpk, në 2016, bën propozimin e pakërkuar për të marrë në koncesion shërbimin e kontrollit të pompave të karburantit.

  ● Në qershor të 2018 qeveria pranon ofertën e pakërkuar dhe hap garën e tenderimit duke i dhënë kompanisë Noa bonusin prej 10 pikë.

 ● Ne tetor 2018, para përfundimit të afatit për prezantimin e ofertave, kompania Penzoil i bën kerkes komisionit të prokurimeve publike të pezullojë garën e tenderimit sepse sipas saj kriteret e tenderit jane në kundërshtim me ligjin dhe parapercaktues të fituesit.

  ● Komisioni urdhëron ministrinë të pezullojë tenderin dhe heton çështjen për rreth 4 muaj dhe në muajin shkurt 2019 vendos te rrezoj pretendimet e Kompanisë Penzoil.

  ● Kompania Penzoil ankimon në Gjykatën Administrative vendimin e Komisionit dhe kërkon shfuqizimin e ketij vendimi.

 ● Në datën 27 maj 2019 gjykata vendos të pranojë kërkesën e Penzoil për shkelje të barazisë në tender. Gjykata shfuqizoi vendimin e Komisionit dhe urdhëroi ministrinë te ndryshojë kriteret e dokumentacionit të tenderimit sepse janë në kundërshtim me ligjin në fuqi.

 ● Ministria, në shkelje flagrante të ligjit dhe vendimit të gjykatës, shpall fitues kompaninë Noa Control.

ARSYET PSE MENDOJMË QE KY KONCESION ËSHTË KORRUPTIV DHE ËSHTË DHËNË NË SHKELJE TË LIGJIT?

 ● Eshte shkelur haptaz ligji per koncesione, sepse Vendimi për të privatizuar këtë shërbim nëpërmjet koncesionit nuk është marrë ne baze te një analize kosto/përfitime per shtetin shqiptar. Ky shërbim sjell shumë përfitime ne arkat e shtetit, ka një kosto shumë të ulët ekzekutimi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do të vazhdojë të operojë edhe pas dhënies së koncesionit.

  ● Kompania Noa Control është krijuar enkas për të propozuar dhe fituar këtë koncesion.

 ● Te gjitha vendimet e marra nga qeveria jane në favor të kompanisë propozuese të tenderit.

 ● Qeveria shperfill vendimin e Gjykatës, dhunon shtetin e së drejtës dhe kryen nje veper penale per te favorizuar nje kompani ne tender

 ● Investimi është prej vetëm 600.000 euro, kurse perfitimet jane shumë herë më te medha, 100 milionë euro.

 ● Kohëzgjatja prej 20 vjetesh është e pajustifikueshme, ka si qëllim vetëm krijimin e nje monopoli.

CILI ESHTE QELLIMI I KETIJ KONCESIONI?

 ● Këmbëngulja me shpalljen e fituesit te koncesionit tregon qartas që skema e këtij koncesioni ka për qëllim të vetëm përfitimin prej 100 milionë euro te Ramës dhe miqve të vet.

  ● Rama po implementon një strategji të mirëfilltë për kapjen afatgjatë të ekonomisë dhe tregut në Shqipëri.

 ● Koncesionet dhe PPP, si e ka vënë në dukje edhe departamenti amerikan i shtetit, janë një instrument që i jep mundësi Ramës të krijojë nje rrjet grabitqaresh, bashkë me të cilët, synon të mbajë pushtetin dhe të ndajë përfitimet.

  ● Kjo qeveri vepron si një organizatë kriminale, në shkelje flagrante të ligjeve dhe kushtetutës së Shqipërisë dhe në kushte pandeshkueshmerie të garantuar nga kapja dhe kontrolli mbi prokurorinë.

● Partia Demokratike nuk do ndalojë së denoncuar vjedhjet e qeverise “Rama”.

Ky koncesion, bashkë me të gjitha koncesionet korruptive, do të anulohen nga Partia Demokratike.

● Me ardhjen në pushtet me anë të votës së lirë të shqiptarëve të gjithë ata që sot po vjedhin shqiptarët, do të përballen me drejtësinë.

Reagimi i plote i Ministrise se Ekonomise dhe Financave
Në interes të informimit sa më transparent të publikut sqarojmë:

1. Lidhur me procedurën:

- Procedura e nisur për dhënien me koncension të shërbimit “Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumeteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm” në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 365 datë 20.06.2018 “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarës të karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe miratimin e bonusit në procedurën konkurrues që i jepet shoqërisë”, pas pezullimit për shkak të shqyrtimit të ankimit nga njëra nga palët e interesuara, u vu në lëvizje dhe vijoi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) me cilësinë e Autoritetit Kontraktor, në zbatim të vendimit të marrë nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) nr.77/2019 datë 07.02.2019, dhe në përputhje të plotë me legjislacionin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

- Përsa i përket shqyrtimit gjyqësor të çështjes mbi bazën e kërkesëpadisë së paraqitur nga subjekti i interesuar kundër vendimit të KPP, ai gjithashtu po ndiqet nga strukturat e MFE dhe Komisionit të Prokurimit Publik dhe efektet e vendimeve sipas shkallëve të gjykimit tij po zbatohen dhe do të zbatohen rigorozisht në përputhje me fuqinë dhe formën e akteve përfundimtare të gjykatës kompetente. Aktualisht, disponohet vetëm vendimi i gjykatës së shkallës së parë administrative Tiranë, i cili referuar fuqisë zbatuese të tij nuk është një vendim përfundimtar i formës së prerë. Çështja është adresuar apelimit në Gjykatën kompetente Administrative të Apelit, Tiranë.

2. Lidhur me procesin e negocimit të kontratës midis MFE dhe subjektit fitues, koncensionarit (NOA Control” Sh.p.k: 

MFE, ka vendosur kushte në draftkontratën e hartuar sipas procedurës, ku garanton mosndryshimin e tarifës së shërbimit, e cila përcaktohet dhe do të zbatohet sipas Udhëzim nr.2 datë 8.2.2013 “Tarifat dhe Pagesat e Sherbimeve” dhe do të mbetet e njëjtë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Kjo do të thotë që koncensionari do të aplikojë të njejtën tarifë që është e aplikueshme aktualisht në përputhje me legjislacionin për Metrologjinë dhe që edhe në të ardhmen nuk do të ketë asnjë kosto shtesë gjatë gjithë periudhës së koncensionit. Pra, nuk do të ketë rritje çmimi.

- Në draftkontratë parashikohet mekanizmi i indeksimit të tarifës në varësi të ndryshimit të normës së inflacionit të publikuar nga INSTAT, i cili në çdo rast do të jetë i aplikueshëm vetëm mbi bazën e dakortësisë së MFE.

- Draftkontrata përcakton në mënyrë të qartë dhe normon garantimin e cilësisëë dhe standarded e ofrimit të shërbimit nga koncesionari.

- Instrumentet monitorues janë parashikuar të realizohen nëpërmjet raportimeve në kohë reale të shkeljeve të konstatuara në një sistem online të përpunimit të të dhënave si dhe do të raportohet periodikisht pranë ministrisë së financave dhe ekonomisë në bazë të raporteve 1-mujore, 3-mujore dhe vjetore.

Pra draftkontrata përmban dispozita të cilat përveç elementëve të tjerë të domosdoshëm për normimin e ofrimit të shërbimit, përcaktojnë edhe rregulla në funksion të ruajtjes të standardeve të cilësisë së kontrollit si dhe të ritjes së masave mbrojtëse në interes të konsumatorit.

- Gjithashu, drafkontrata sanksionon zbatimin me rigorozitet të legjislacionit fiskal duke sjellë eliminimin e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

- Referuar dispozitave të draftkontratës, MFE në rolin e autoritetit kontraktues rezervon të drejtën për prishjen e menjëhershme dhe pa pasoja të kontratës në rast të konstatimit të shkeljeve nga koncesionari gjatë kryerjes së shërbimit.

Kjo përbën një instrument të rëndësishëm ligjor i cili i jep mundësinë MFE që në rast mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale nga koncensionari, të evidentuar nga misionet e kontrollit dhe monitorimit të vazhdueshëm dhe permanent për një periudhë kohore në çdo rast jo më të gjatë se 12 mujore, i jep të drejtën MFE për anulimin dhe zgjidhjen e menjëhershme pa pasoja të kontratës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja