13 efektivët e Policisë së Shkodrës, përfshirë dhe zëvendësdrejtori, që janë në hetim nga Prokuroria e Shkodrës, janë goditja më e madhe që AMP ka bërë gjatë muajit qershor në mesin të vetëve.

Rasti lidhet me dyshimet e hetuesve se 13 policët në mes tyre dhe zv.drejtori Hajri Kushe, kanë shpërdoruar detyrën. Akuza e Shkodrës pretendon se ata lejuan kultivuesit që të krijojnë një strukturë të mirë organizuar prej kohësh për kultivimin e kanabisit në njësisë administrative Ana e Malit. Nga hetimet rezultoi se grupi siguronte informacione se kur do të ndërhynte policia apo dhe shmangnin kontrollin në koordinatat e duhura. Për 2 prej tyre u caktua masa “arrest shtëpie”, ndërsa pjesa tjetër u pezulluan nga detyra.

Sipas raportit mujor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndër të tjera, 2 policë u arrestuan në flagrancë dhe Shkodra ishte sërish në vëmendje për njërin prej tyre.

Efektivi Shkëlzen Gjonaj, specialisti i Rendit në Komisariatin e Shkodrës, i cili u filmua duke vjedhur para në një makinë dhe duke rrahur edhe një qytetar u arrestua në flagrancë.

Me pranga gjatë qershorit përfundoi edhe një efektiv i Policisë së Pogradecit, i cili ishte fajtor në një aksident rrugor, duke u larguar edhe nga vendngjarja.

Referuar AMP-së, gjatë qershorit u bënë 27 referime në prokurori për 28 policë, u caktuan 4 masa “arrest në burg” nga gjykatat, 3 në “arrest shtëpie”, 9 pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik, 5 ndalim dalje jashtë shteti dhe 2 të tjerë në “detyrim paraqitje” si dhe një i shpallur në kërkim.