'Policët në lirim do të ruajnë objektet 4 muaj pa u paguar'! Sindikata kundër projektligjit: E çojmë në Kushtetuese

TIRANE-Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit për këtë vit projektligjin për reformën në Policinë e Shtetit, që nxjerr në lirim punonjësit që kanë mbushur moshën 55 vjeç me 30 vite vjetërsi pune, por me një kusht, që të punojnë 700 orë në vit, pra 4 muaj, pa trajtim financiar. Por këtë pikë dhe të tjera, Sindikata e Policisë i kundërshton. Kreu i Sindikatës së Policisë Sadedin Fishta i ftuar në studion e Report Tv sqaroi se përse është kundër punësimit të detyruar 4 muaj te shoqëria "Illyrian Guard", shoqëri e krijuar nga ministria e Brendshme për ruajtjen e objekteve shtetërore.

"Ideja e projektligjit nuk është e keqe, por duhet detajuar dhe bërë disa ndryshime. Nëse një polic sot del në pension të parakohshëm ai përfiton vetëm pensionin suplementar, i vitit 2009 që ka dalë dhe jo të tjera, zbret 50% të pagës që ka pasur. Sipas projektligjit, ata që do të dalin në pension të posaçëm duhet të punojë 700 orë në këtë kompani për ruajtjen e objekteve shtetërore. "Illyrian Guard" është shoqëria që policët duhet të punojnë 700 orë, kjo është një shoqëri aksionere me financim shtetëror por nuk është institucion shtetëror. Ne do i drejtohemi edhe komisionit të ligjeve dhe sigurisë me qëllim që parlamenti ti anashkalojë. Nga fundi i janarit mund të kalojë edhe në parlament, por nëse do të jetë ky format do të ketë kontestime. Punësimi pas daljes në pension duhet të jetë e drejtë dhe jo detyrim.

Punonjësit duhet të kenë të drejtë të punojnë në këtë kompani apo tjetër, por kundrejt punës të trajtohen financiarisht duke vendosur një tavan që mos kalojë pagën bazë. Nëse punonjësi heq dorë nga 4 muaj punë në vit i ndërpritet pensioni 50%, por jo ai suplementar."Illyrian Guard" është krijuar për sigurimin e objekteve shtetërore, jo private. Me një vendim qeverie ka detyrë ti sigurojë me punonjës policie të liruar. Kjo është sh.a. dhe menaxhohet nga ministria e Brendshme. Kjo është si kompani private dhe konkurron për aksesin. Punonjësit nuk do të dalin të gjithë njëkohësisht në pension, por sipas nevojave të kompanisë së sigurisë. Në fund të fundit kjo mund të mbesë ne letër...nëse kalon kështu, do ta çojmë në Kushtetuese për shkelje të të drejtave të punonjësve" deklaroi ai.

Por cfarë është shoqëria "Illyrian Guard" që do të ketë në përbërje në një pjesë të madhe pikërisht këta punonjës që do të dalin në lirim? Me propozim të ministrit të Brendshëm qeveria në prill të këtij viti miratoi krijimin e shoqërisë tregtare shtetërore me emrin "Illyrian Guard", e cila do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë. Me një kapital fillestar 10 milionë lekë të përballuar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, "Illyrian Guard" është 100% në pronësi të Ministrisë së Brendshme. "Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., do të ofrojë shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Pra, të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

Shqiptraja.com siguroi projektligjin për reformën në Policinë e Shtetit që u miratua nga qeveria dhe që vitin tjetër pritet që të kalojë në Kuvend. Qëllimi, sipas projektligjit është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie. Numri i punonjësve që plotësojnë kriteret për përfitim të trajtimit financiar është 613, nga të cilët 585 punonjës të Policisë së Shtetit (398 inspektorë), 21 nga Garda e Republikës dhe 7 nga SHÇBA-ja. Inspektori parashikohet që të përfitojë 26,200 lekë në muaj, ndërsa gradat e larta rreth 29,297 lekë në muaj. Efekti financiar vjetor duke filluar nga viti 2020 është 215,506,116 lekë. (Lexo këtu të gjitha detajet e projektligjit).

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion