TIRANE- Admir Tafili, njeriu më i përfolur gjatë këtyre ditëve ka kërcënuar me jetë një muaj më parë efektivin e komisariatit nr.6 Shkurt Toplani. Këtij të fundit në 25 Tetor, ju vendos një sasi tritoli në makinë nga kolegu i tij, Shaban Lami, pasi sipas këtij të fundit Toplani i kishte shoqëruar nipin Renato Kazani. Mirëpo, ajo që bëjnë të ditur burime pranë policisë së Tiranës, është se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Shkurt Toplani është kërcënuar me jetë dhe nga i dënuari nme burg përjetë, Admir Tafili. Burime pranë policisë së Tiranës, bëjnë me dije se kërcënimi është bërë pikërisht në këtë kohë nëpërmjet telefonit. Tafili dyshohet se ka kërcënuar me jetë Toplanin nga ambjentet e burgut të Drenovës. Shkak i këtij kërcënimi është bërë Ervis Lami, shok i ngushtë i Tafilit, që ishte shoqëruar në komisariatin e Kamzës, me urdhër të Toplanit. Lidhur me këtë ngjarje momentalisht është Prokuroria e Krimeve të Rënda, ajo që po verifikon me imtësi këtë rast.

Dënimi i Lamit
Shoku i ngushtë i Admir Tafilit, Ervis Lami rezulton të jetë dënuar nga gjykata e Tiranës me 3.4 vite burg për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë. Nuk ka mbushur shumë kohë nga dalja nga burgu dhe Ervis Lami, është vënë në shërbim të mikut të tij Admir Tafili, duke i siguruar bazën materiale për tu arratisur nga burgu. Lami është dënuar për tentativën e vrasjes së shtetasit Fadil Noka.

Ngjarja në Kamëz
Në përfudnim të hetimit ka rezultuar e provuar se në 05 janar 2012 rreth orës 09.00 i pandehuri Ervis Lami nxënës i shkollës “Sulejman Elezi” Zallmner Kamëz ka qënë duke qëndruar tek rrugica në afërsi të  këtij vendi. Në këtë moment aty ka kaluar me shpejtësi me një makinë i dëmtuari Fadil Noka. Të dy këta shtetas kanë shkëmbyer fjalë fyese dhe me pas i pandehuri Ervis, ka goditur me një shpullë në fytyrë të dëmtuarin Fadil Noka. I dëmtuari i fyer i është përgjigjur me fjalë fyese dhe me pas është larguar. I pandehuri Ervis, ka shkuar tek kabina elektrike tek një dyqan aty afër dhe ka marrë prej aty një armë automatike, të cilën e mbante të fshehur kohë më parë. Ai i ka qëlluar mjetit nga pas duke i thyer xhamin e pasëm e duke plagosur shtetasin Fadil Noka, i cili ka marrë plagë të rënda në fytyrë.

 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)