MIRDITE - Një polic është rrëmbyer e mbajtur peng në Mirditë, nga një automjet, të cilin ai ka qenë duke shoqëruar. Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 18.00, kur postblloku i policisë së Rrëshenit, gjatë një kontrolli makinash, ka hasur kundërshtimin e një 42-vjeçari, i cili nuk ka pranuar as të kontrollohet e as t’ju tregojë policëve dokumentacionin e makinës.

Pas debateve dhe shtimit të numrit të policëve, autopatrullat kanë vendosur ta shoqërojnë në polici. Dhe, siç ndodh rëndom në vendin tonë, një polic hipën në vendin e parë të benzit me targa Roma 07800 N, të drejtuar nga Petrit Jushi, 42 vjeç nga Rrësheni. Por, ky i fundit, duke kërcënuar policin, nuk është drejtuar për në komisariat, por drejt banesës së tij, ku e ka çuar dhe policin, duke fyer, kërcënuar e duke e mbajtur në oborrin e shtëpisë, për të mos e lënë të largohet drejt kolegëve.

Madje, siç mësohet, ai i ka marrë dhe radion e telefonin, që të mos lajmëronte kolegët. Më pas, në banesën e Petritit, ka shkuan dhe nipi i tij, Ernest Jushi, 37 vjeç. Të dy, nip e xhaxha, sipas policisë, kanë kundërshtuar policin-“peng”, duke e kërcënuar. Më vonë, ata e kanë lejuar të largohet, ndërkohë që ata vetë nuk janë paraqitur në polici.

Drejtoria e Policisë së Lezhës, e cila ka nën juridiksion dhe komisariatin e Rrëshenit, ka njoftuar se, pas disa orësh, rreth orës 23.30, forcat e policisë kanë rrethuar banesat dhe kanë bërë të mundur arrestimin e dy personave Jushi.
Ata kanë mohuar të kenë kërcënuar e fyer policin, ndërkohë që kanë thënë se, nuk kanë dashur të shkonin në polici, pasi kontrolli në rrugë nga policia dhe shoqërimi për në komisariat, ishin të qëllimshëm.

Ndërsa dokumentet i janë referuar prokurorisë, mësohet se nip e xhaxha akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë, ndërsa 42-vjeçari do të përgjigjet edhe për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)