Prokuroria e Tiranës po heton një shkelje të rëndë në detyrë të tre punonjësve të forcave “Shqiponja” në Tiranë, e cila mund të kishte çuar në vrasjen e 2 personave, por fatmirësisht përfundoi vetëm me dëme materiale.

Episodi i rëndë është shënuar në 8 mars të këtij viti në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë. Tre policët e “Shqiponjave”, ndaluan një automjet për kontroll rutinë, por në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme – siç thotë Policia-  njëri prej tyre, efektivi Rezart Berberi, qëlloi 2 herë me armën e shërbimit në drejtim të makinës, duke vënë në rrezik jetën e shoferit dhe pasagjerit. Asnjëri prej tre policëve nuk e raportoi ngjarjen tek eprorët ashtu siç ndodhi, por tentuan të fshehin provat duke bërë procesverbal të rremë dhe hoqën gëzhojat nga vendngjarja.

Për inspektorin Rezart Berberi 34 vjeç Gjykata e Tiranës vendosi “arrest me burg”. Kolegët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk e lokalizuan për ta arrestuar, ndaj është shpallur në kërkim. Ai akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, falsifikim dokumentesh dhe kallëzim të rremë.

Ndërsa 2 inspektorët e tjerë, Elton Dokollari, 46 vjeç dhe Fliruan Zeneli 37 vjeç, janë në masë “detyrim paraqitje”, të dyshuar për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, moskallëzim krimi, falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Hetimet ndaj 3 policëve nisën pas kallëzimit të shoferit në automjetin që u qëllua me armë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, qytetari ndaloi dhe i dha efektivëve dokumentet, por kërkoi të largohej pa vonesa pasi sipas tij kishte fëmijën të shtruar në spital. Efektivët nuk e lejuan dhe shoferi u largua me shpejtësi. Pas kësaj, thonë burimet - polici Rezart Berberi ka qëlluar në drejtim të automjetit 2 herë, ku plumbat e kanë kapur në pjesën e pasme. Dy efektivët në hetim kanë pretenduar qytetari ka tentuar t'i përplas me makinë, ndaj ata reaguan në kushtet e vetëmbrojtjes.