TIRANË - Kamerierja e cila ishte kthyer në makthin e pronarëve të lokaleve në Tiranë është arrestuar nga policia. E ndaluar është E. Malaj, 30 vjeçe me banim në Tiranë. 30-vjeçarja dyshohet si autore e grabitjes së xhirove ditore në disa lokale ku ajo shkonte për të punuar si kameriere.

Në polici ndaj saj janë depozituar disa kallëzime. Ajo prezantohej me emrin “Ela” dhe pasi punësohej vetëm për një ditë largohej bashkë me xhiron ditore.

Në të paktën në dy raste, kamerierja që është prezantuar me emrin “Ela” ka vjedhur në fund të ditës xhiron ditore.

Në rastin e parë ka arritur të vjedhë një sasi prej 1 milion e 100 mijë lek të vjetra. Kjo vjedhje fillimisht ka ndodhur në një Bar-Kafe dhe është regjistruar në 14 qershor 2015.

Biznesmeni me inicialet F.T ka treguar në kallëzimin e tij të dhënë në polici se shitësja e ka telefonuar duke i kërkuar një vend pune, pasi dhe ai kishte nxjerrë njoftim se kërkonte kameriere. Për pasojë, sipas tij është paraqitur një vajzë e re dhe pas komunikimit me të ka vendosur ta marrë në punë.
 
Ditën e parë të punës vajza e re ka ushtruar detyrën e kamarieres deri në orës 20:00, kur pikërisht në këtë orar ajo është larguar në drejtim të paditur dhe pa njoftuar askënd, duke marrë me vete shumën financiare prej 110 mijë lek të reja që ishin mbledhur nga xhiroja ditore.

Rasti tjetër që kamerierja ka vjedhur sasinë prej 900 mijë lek të vjetra ka ndodhur në një “Internet Kafe”. Ngjarja ka ndodhur tre ditë pas rastit të parë, ku në 17 qershor të 2015 kamerierja “Ela” është punësuar në një “Internet Kafe” ku pikërisht në orën 19:00, kur kamerierja ka lënë punën, ajo është larguar pa njoftuar askënd duke marrë me vete shumën e parave prej 900 mijë lekë të vjetra. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)