TIRANE - Policia Bashkiake e Tiranës ka nisur aksione speciale përgjatë gjithë natës për të sekuestruar dhe bllokuar ngarkesat metalike që mblidhen nga romët.

Në një video ekskluzive gazeta Shqiptarja.com dhe TV A1 Report kanë mundur të filmojnë mëngjesin e së mërkurës rreth orës 01:30 vetë kreun e Policisë Bashkiake Florenc Hoxha që drejtonte ekipin për bllokimin e romëve.

Pasi është hasur rastësisht aksioni i Policisë Bashkiake, ku këta qytetarë romë ishin bllokuar së bashku me dy biçikletat e tyre ndërsa mblidhnin kanaçe, Florenc Hoxha ka spikatur praninë e medias dhe ka ndalur makinën e gazetarit duke akuzuar se po i bëhej shantazh. Hoxha ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të ndërpritej filmimi edhe pse aksioni zhvillohej në një rrugë publike.