Të pranishëm në këtë ekzekutim të vendimit të përmbarimit janë edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Inxhinieri i njësisë bashkiake numër 9, ndodhet në selinë e PSD-së dhe është duke ndjekur procesin e ekzekutimit të këtij vendimi, pasi siç tha dhe ai, ky është një detyrim që e ka pushteti lokal.
ORA 10:30 POLICIA SHOQËRON PRONARËT
Dy nga personat që pretendojnë se janë pronarë të truallit ku ndodhet selia e PSD-së, janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit numër 3. Gazetari i A1 Report, nga vendi i ngjarjes raporton se, aty aktualisht ndodhen forcat e policisë private që ka marrë nën ruajtje selinë e PSD-së, ndërsa nuk janë të pranishëm përmbaruesit privatë.
Gjithashtu edhe personat që pretendojnë që janë pronarë të kësaj toke, nuk janë aty. Forcat e Policisë së Shtetit, ndodhen në në vendin e ngjarjes por duke vëzhguar situatën me qëllim që të mos ketë përplasje.
ORA 10:12 GJINUSHI: PRONARI TË VIJË QË NESËR TË MARRË PJESËN QË KA
Duke folur jashtë selisë së PSD-së, kreu i kësaj partie, Skënder Gjinushi ka deklaruar se, akti për nxjerrjen e partisë është i falsifikuar. “Ka falsifikim të aktit të pronësisë. Ne e kemi dërguar në Gjykatën e Lartë. Ka shpërdorim detyre nga kreu i Entit të Banesave që e ka bërë PSD-si si familje të pastrehë. Keni letrën e ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka. Pra duket që e gjithë ish-struktura ka ndërmarrë veprime”, theksoi Gjinushi.
Sipas kreut të PSD-së, “pronari, ka vetëm 1/3 e tokë. Ata i thonë që nuk largove PSD-në ne nuk të lëmë të ndërtosh. Pronari ka shkuar në gjykatë. Këta janë të gjithë ish-drejtorë, ish-ministra etj. Ky është i kapur. Ti njohë shtetit pjesën e vet që ne e kemi në përdorim dhe kaq”. “Përmbaruesi është pa licencë është i dënuar penalisht. Ai e ka licencën të paligjshme. Përmbaruesi zbaton titullin ekzekutim dhe ky është shumë i thjeshtë. Pjesën që i takon të vijë e ta marrë që nesër. I jap mbështetje Policisë së Shtetit për të kaluar këto banda të krimit ekonomik dhe politik. Paraja bën çudira dhe me vendim të gjykatës kemi fituar ne”, deklaroi Gjinushi.
“Për këto do të përgjigjen në prokurori. Çfarë shteti është ky që gjykata merr një vendim për mos dorëzim sendi dhe vjen një përmbarues. Akti duhet të shfuqizohet menjëherë. Nuk mund të rrëmbehet prona e shtetit në mes të ditës dhe këtë po bën Policia e Shtetit”, përfundoi fjalën e tij, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
(Në foto: Kreu i PSD, Skender Gjinushi duke folur para selise se partise. Foto: Antonio Çakshiri)
ORA 09:45 POLICIA DHE FNSH BOSHATIS GODINËN
Mbërrijnë forcat e policisë të Komisariatit numër 3. Këta të fundit kanë kërkuar që godina të zbraset e gjitha, ndërsa aty të qëndronte vetëm përmbaruesi privat. Nga të gjithë personat që ndodhen aty, duke nxjerrë edhe median.
Forcat e policisë kanë kërkuar që jashtë godinës të dalin edhe forcat e policisë private që kishin marrë në ruajtje selinë e PSD-së.
Ndërkaq në vendin e ngjarjes ndodhen edhe forcat e speciale të Policisë së Tiranës.
(Në foto: Policia te selia e PSD duke pastruar godinën. Foto Antonio Çakshiri)
(Në foto: Policia te selia e PSD. Foto Antonio Çakshiri)
ORA 09:29 PRONARET PERPLASJE ME ANETARET E PSD
Rreth orës 09:25 për disa minuta ka ndodhur një përplasje verbale mes pronarëve që pretendojnë këtë pronë dhe një personi që ka ardhur në selinë e PSD-së. Ky i fundit ka kërkuar që të futet brenda selisë, por pronarët kanë kërkuar që ai të mos provokonte situatën, pasi sipas tyre kjo nuk është më një seli partie. Ndërkaq, përmbaruesit Nela deklaroi se, kreu i PSD-së është në katin e dytë të ndërtesës dhe nuk do të prektet pasi është një personalitet i politikës shqiptare.
Një nga pronarët, deklaroi se është duke kërkuar ndihmën e policisë. “Ka njerëz që hyjnë me zor në pronën tonë dhe kërkojmë ndihmën e policisë”, ka deklaruar pronari.
(Në foto: Policia te selia e PSD, foto Antonio Çakshiri)
ORA 09:21 PËRMBARUESI: KEMI BËRË PADI NDAJ POLICISË
“Pronarë të kësaj prone janë Astrit Manopulli. Ne e kemi marrë katin e parë të godinës së selisë së PSD-së”. Duke folur tek godina e PSD-së, përmbaruesi Baftjar Nela deklaroi se, ka bërë kallëzim penal ndaj policisë për shkak se nuk ka dhënë ndihmë.
“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Policinë e Shtetit që të na mbështesë kur ne e kërkojmë. Por dokumentet këtë rradhë nuk janë përcjellë nga zëvendësdrejtori”, tha Nela.
(Në foto: Përmbaruesi Baftjar Nela)
ORA 09:12 PERMBARUESIT PRIVATE ZBRAZIN SELINE E PSD
Pasi kanë rrëzuar portën e hekurit, përmbaruesit privatë bashkë me pronarët, familjen Manopulli janë futur brenda selisë. Ata kanë hapur të gjitha ambientet dhe aktualisht janë duke nxjerrë jashtë sendet dhe materialet që ndodhen brenda këtyre ambienteve.
Një nga pronarët që pretendon tokën, është ndjerë ndjerë keq dhe është dërguar në spital.
ORA 09:05 AVOKATI: KJO SITUATË NUK DUHEJ TË NDODHTE
Avokati i pronarëve, Riza Hicka ka deklaruar se, kjo situatë nuk duhej që të shkonte deri këtu. “Duhej të mbyllej shumë shpejt këtë problem. Nuk kishte pse të ndodhte gjithë kjo kundërshti. Nëse Policia e Shtetit do të ishte e pranishme nuk do të kishte përplasje. Ne i kemi kërkuar mbështetje policisë”, tha Hicka.
ORA 8:54 PERMBARIMI PRIVAT HYN NE GODINEN E PSD
Përmbaruesit privatë kanë rrëzuar portën e selisë së PSD-së dhe kanë hyrë në oborrin e kësaj ndërtese. Ndërsa ka pasur edhe një përplasje fizike mes përmbaruesve dhe efektivëve të policisë private që kanë marrë në ruajtje policinë private.
Ka pasur edhe kërcënime mes tyre, ndërsa përmbarimi privat ka hyrë edhe brenda selisë së PSD-së.
(Në foto: Sherri tek selia e PSD)
ORA 8:50 GJINUSHI: JANË NJE GRUP HAJDUTESH
“Janë një grup hajdutësh që kërkojnë të rrëmbejnë pronat me letra false. Në Gjykatën e Lartë vazhdon sërish gjyqi. Këta njerëz kanë kurajon që me letran fals të marrin pronat. Ky është një shpërdorim i pastër detyre nga të gjithë këta persona që janë marrë me këtë çështje. Godina ruhet me polici private. Unë ndodhem në selinë e partisë në këtë moment”, ka deklaruar kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
(Në foto: Sherri tek selia e PSD)
Në selinë e PSD-së, ka tentuar që të hyjë edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, por makina e tij nuk është lejuar që të kalojë portën kryesore. I ndodhur në këtë situatë Gjinushi është larguar për në një nga kafet pranë selisë së tij.
Përmbaruesit privatë të shoqëruar edhe nga disa prej kolegëve të tjetër të tyre dhe të pronarëve që pretendojnë godinën, janë duke u përpjekur që të rrëzojnë portën kryesore të selisë së Partisë Social Demokrate.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)