Në dokumentin që Report Tv ka lexuar në lidhje me hetimet për ish shefen e SHISH Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin del një detaj shumë i fortë.
SPAK dyshon se Agasi ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të paidentifikueshme, të cilat zakonisht përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore.
Kujtojmë se Agasi u arrestua në makinën që e drejtonte Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit dhe ish-zv/drejtor i Policisë së Elbasanit. Shpataraku është i njohur si i besuari i ish Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda, i cili edhe vetë është pyetur nga Prokuroria e Posaçme.
Në vendimin e Gjykatës që Report Tv ka lexuar theksohet konkretisht se ndaj Agasit janë përfshirë si ndihmës dhe bashkëpunëtorë të tij në arrati disa persona, që kanë lidhje me organet shtetërore apo jo, duke përmendur edhe Shpatarakun.
Për Gjykatën shtimi në këtë vorbull institucionesh në shërbim të Agasit e Drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ka ridimensionuiar përmasat e ndërhyrjeve kapilare të krimit të organizuar në institucionet shtetërore, të dyshuar arsyeshëm se drejtohet nga Ergys Agasi, duke treguar se burimet njerëzore, institucionale, hapësira dhe koha e zhvillimit të aktivitetit kriminal janë akoma më të mëdha dhe akoma më serioze.
Gjykata e thekson edhe faktin për dyshimin e një lidhjeje intime të titullares së SHISH me Ergys Agasin në kohën kur ky ishte në arrati, dhe se i vuri në dispozicion pikërisht një institucion që ka si mision luftën kundër krimit të organizuar.
Lajmi kryesor:
DOSJA/ Rëndohet pozita e Vlora Hysenit, nën hetim për korrupsion e pastrim parash! SPAK: Agasi e paguante për informacionet e SHISH! 950.000 € iu nisën vëllezërve në Gjermani











