Policia në Londër po kërkon një burrë që mashtroi një grua të moshuar duke i injektuar një vaksinë false kundër COVID-19.

Zyrtarët nga policia e Qytetit të Londrës thanë se burri vizitoi gruan 92-vjeçare më 30 dhjetor, duke pretenduar se ishte dërguar nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) për ta vaksinuar atë.

Viktima lejoi burrin në shtëpinë e saj, asaj iu injektua në krah me vaksinën e supozuar dhe në përfundim ajo i dha burrit 160 paund. Ai u kthye në shtëpinë e saj më 4 janar dhe i kërkoi edhe 100£.

Policia tha në një deklaratë se nuk dihet se çfarë lënde i injektoi ai por theksoi se ishte kontrolluar në spitalin lokal dhe nuk kishte rezultuar asnjë efekt negativ.

"Ky është një sulm i neveritshëm dhe plotësisht i papranueshëm ndaj një personi dhe  nuk do të tolerohet," tha Inspektori Detektiv Kevin Ives.

Policia tani po bën thirrje për informacion në lidhje me burrin, i përshkruar si i bardhë, në të tridhjetat me lartësi 5ft 9 inç, me trup mesatar dhe me flokë kafe. 

Mbretëria e Bashkuar filloi fushatën e saj të vaksinimit në fillim të dhjetorit dhe deri më tani ka vaksinuar të paktën me një dozë gati 1.5 milion njerëz. Vaksina është plotësisht falas në Mbretërinë e Bashkuar dhe është e disponueshme vetëm përmes sistemit shëndetësor. Njerëzit mund të kontaktohen vetëm nga mjeku i tyre i përgjithshëm, ofruesi i kujdesit shëndetësor, punëdhënësi ose farmacia lokale për ta marrë atë.