Policia e Shtetit dhe Zyra Federale Kriminale e Gjermanisë (BKA) kanë diskutuar në Tiranë zgjerimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjes për strukturat hetimore shqiptare. Delegacioni gjerman, i kryesuar nga Gregor Erb, u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një takim ku fokusi ishte koordinimi i projekteve të përbashkëta dhe mbështetja për Policinë Kriminale dhe Institutin e Policisë Shkencore.

Hita falënderoi BKA-në dhe Policinë gjermane për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe theksoi se lufta kundër krimit global kërkon aleanca të forta dhe koordinim të qëndrueshëm ndërkombëtar. Drejtori shprehu bindjen se ky takim do të shërbejë për koordinimin më efikas të projekteve të përbashkëta, identifikimin e prioriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Më tej, Hita rikonfirmoi vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Zyrën Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), Policinë gjermane dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në funksion të goditjes së krimeve globale.

Nga ana e tij, Gregor Erb, në emër të BKA-së dhe delegacionit gjerman, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për mikpritjen dhe e uroi për detyrën.

Gjithashtu, ai garantoi Drejtorin për mbështetjen e Policisë së Shtetit nga BKA-ja dhe agjencitë ligjzbatuese gjermane, përmes projekteve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe me trajnime dhe pajisje moderne, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen profesionale të strukturave të Policisë Kriminale dhe të Institutit të Policisë Shkencore.