TIRANË-  Policia e Shtetit tashmë do të ketë në dispozicion një regjistër kombëtar të armëve, të dhëna për palë të treta, apo të sekuestruara në ngjarje të ndryshme nga strukturat e antikrimit. Kjo për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako nënkupton një teknologji bashkëkohore dhe një forcim të rregjistrit kombëtarë. Krijimi i këtij regjistri në Policinë e Shtetit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në hetimin apo në zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale në vend. Ky sistem pritet t’i vijë në ndihmë edhe sistemit të krahasimit të gjurmëve të armëve i cili administrohet tashmë nga Instituti i Policisë Shkencore.

"Regjistri elektronik i armëve është krijuar për të mbuluar gjithë territorin e vendit dhe gjithë pikat e kalimit kufitar, duke regjistruar çdo armë që hyn apo del në kufirin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ne e konsiderojmë vendosjen e këtij regjistri si një hap mjaft të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, pasi është një ndihmesë e çmuar për ekspertët e armëve të zjarrit dhe forcimin e shërbimeve zbatuese të ligjit në vendin tonë. Regjistri elektronik për armët është një domosdoshmëri për unifikimin e procedurave sipas direktivave te Bashkimit Europian per kontrollin, gjurmimin, regjistrimin, transportin, transferimin e armeve. Ky aplikacion do të regjistrojë çdo armë që do të jetë e regjistruar nga strukturat policore, por edhe çdo arme private në pronësi të subjekteve juridike e fizike. Ligji i ri për armët në vendin tone i miratuar në 2014 e ka bërë të domosdoshëm kontrollin e armëve në formate elektronike"-tha Çako.