TIRANE- Policia e Tiranës ndërron shefat e krimeve dhe rendit Gjatë ditës së djeshme, në komisariatet e Tiranës janë ndërruar shefat e krimeve dhe të rendit.

Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa kanë firmosur dje emrat e rinj për shefat e krimeve dhe të rendit në policinë e kryeqytetit. Lëvizje janë bërë edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër.

Ditën e djeshme është larguar shefi i komisariatit të Bulqizës Behar Caka dhe shefi i policisë rrugore, Sajmir Shehu. Në vend të Cakës shef i komisariatit të Bulqizës është emëruar Niko Nikolli. Ndërkohë në Burrel është larguar shefi i komisariatit Edmond Kurti. Policinë e Shtetit, prej javësh, e ka përfshirë “stuhia” e largimeve apo emërimeve të reja, ku spikasin emërimet e drejtorëve apo nëndrejtorëve të qarqeve si dhe shefave të komisariateve në rrethe.

Ndërkohë që jo më shumë se dy ditë më parë, SHKB-ja vendosi të pezullojë nga detyra dhjetëra oficerë të Krimit-Ekonomik, me motivacionin se nuk kanë kryer detyrën e tyre. Ndërkohë që masa janë marrë edhe për oficerë të tjerë të këtij sektori.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)