Ditën e djeshme 15 punonjës të Bashkisë Konispol, Policisë Bashkiake dhe asaj të rendit kanë shkulur 250 rrënjë mandarinë në fshatin Xarrë, Bashkia Konispol. Në pamjet që vetë fermerja Margarita Jani ka xhiruar shihet përplasja e saj me forcat e rendit. Dy fermerët , burrë e grua kishin mbjellë ilegalisht mandarina në tokën e marrë me qira si kullotë për bagëtitë.

Report Tv ka kontaktuar me familjen Jani, të cilët kanë pranuar faktin se toka ku janë mbjellë mandarinat është kullotë dhe është e palejueshme të mbillet me mandarina, por sipas tyre, mungesa e parave ka sjellë shkeljen e ligjit. Koço dhe Margarita Jani kanë thënë se kanë mbjellë mandarina pasi të njëjtën gjë kanë bërë të gjithë banorët e zonës. Ata mohojnë të kenë mbjellë 250 rrënjë mandarina sa deklaron zyrtarisht bashkia Konispol, por vetëm 150. 

Erdha në mëngjes këtu në 10;30 dhe gjej Athinanë dhe policinë. E pyes çfarë bëni ju këtu? Iu thashë se nuk kam bërë asgjë të keqe, siç mbollën të tjerët, mbolla dhe unë. Duhet t’i shkulësh më thanë. Iu thashë që është gjynah t’i shkul. Erdhën policët e tjerë me punëtorët dhe i shkulën. Iu thashë që të mos i hiqnin por të më linin afat 2 ditë. Iu thashë që do t’ju zejë buka e fëmijëve të mi. Polici më mbajti nga duart, iu thashë “Doni të më përdhunoni”. S’di çfarë kam incizuar se ma hodhën tabletin në shesh. Më hodhën duart. Gjynah i madh për 150 rrënjë. Nuk kemi bërë gjë. Vjedhje s’kam, me drogë nuk jam marrë. Kam rritur 2 fëmijë me 10 mijë lekë të deleve. Dil dhe shiko tek stalla gjithë stivën e mbjellë pa leje. Iu luta të më linin 2 ditë kohë. U bë diçka e paparë. Më vranë dy fëmijë! Nuk di ç’të them, ndoshta ka lidhje dhe bindjet tona politike. S’di çfarë të them.

Margarita Jani, fermerja që u përplas me policinë në Xarrë

Ndërsa Koço Jani, ka qenë edhe më i irrituar dhe thotë se edhe po të ishte kanabis, policia e Shtetit s’duhet të ishte sjellë në mënyrën që u soll.

Ça ishte more? Hashash ishte? Na mor na, të tërbuar... Edhe hashash të ishte, nuk do bënit kështu. Shikoni more seç kanë bërë. Është turp more.

Koço Jani, fermeri që kishte mbjellë mandarinat pa leje në Xarrë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:45
Konispol/ Reagon kryebashkiaku Shuaip Beqiri: Toka e pretenduar nga kisha, nuk mund të mbillen mandarina

Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë kontaktuar me bashkinë e Konispolit, pas ngjarjes së djeshme, ku policia bashkiake dhe ajo e Shtetit kanë shkulur 250 rrënjë mandarina, të dy fermerëve, Koço dhe Margarita Jani në fshatin Xarrë.

Kryetari i bashkisë, Shuaip Beqiri, ka thënë se veprimi i autoriteteve ka qenë në harmoni ligjore, pasi toka ku mbollën dy fermerët mandarina, është pretenduar për pronësi edhe nga kisha.

Koço Jani është paraqitur në Bashki përpara 20 ditësh dhe ka kërkuar nga të mbjellë në parcelën që e kishte me qera për kullotë mandarina. Duke qenë se kjo tokë pretendohet edhe nga kisha, ne i thamë se nuk mund të mbillni, ndërkohë që e kemi paralajmëruar se nëse do të ndërmerrte këtë veprim do të veprojmë sipas ligjit.

Përpara 3 ditësh fermeri ka mbjellë rreth 250 rrënjë mandarina dhe nga ana e Bashkisë kanë shkuar duke i kërkuar të firmosin një kontratë për shkulje vullnetare brenda 3 ditësh, por kjo nuk është pranuar fermerët.

Në këto kishte kemi vepruar sipas ligjit për pastrimin e parcelës.

Shuaip Beqiri, kryetari i Bashkisë Konispol