TIRANE- Dyshimet se dy autorët e vrasjes mafioze të bankierit Artan Santo kanë banuar përkohësisht në zonën afër ku jetonte dhe viktima Santo, kanë shtyrë prokurorinë e Tiranës, të lëshojë një urdhër për policinë, që të krehë të gjithë zonën, me shpresën e zbulimin të vendit ku kanë qëndruar autorët e krimit. Agjentët kriminalë prej dy ditësh kanë kërkuar informacion tek banorët e zonës, midis godinës së Radio-televizionit Shqiptar, Liceut Artistik dhe tek pallatet që ndodhen pranë rrugës së Elbasanit.

Nga komunikimet me banorët, që efektivët e policisë kanë pasur në zonë, ata kanë treguar se mëngjesin e së Enjtes, ditën kur dhe u ekzekutua me 6 plumba Artan Santo, motori me dy persona është parë dy herë duke kaluar para pallatit. Sipas dëshmisë së banorëve të dhënë për policinë e Tiranës, ka qënë ora 08:00 e mëngjesit, koha kur janë parë duke qarkulluar dy herë para pallatit. Ndërkohë të tjera dëshmi flasin se motori së bashku me dy personat, është pikasur nga banorët e zonës edhe ditën e hënë, çka tregon se dy ekzekutorët kanë pasur informacion rreth orarit të daljes nga banesa dhe shkuarja në punë të bankierit Artan Santo.Me shpresën e zbulimit të vendit të “strehimit” të dy vrasësve, gjatë ditës së djeshme janë verifikuar nga policia dhe disa hotele që ndodhen pranë rrugës së Elbasanit, por këto kërkime kanë qënë pa rezultat.