Një aksion i Policisë së Tiranës është përqendruar ditët e fundit te makinat luksoze që qarkullojnë në kryeqytet. Dhjetëra automjete janë ndaluar për kontrolle, ndërsa verifikimet janë fokusuar te origjina e mjeteve, historiku i pronësisë dhe burimi i të ardhurave me të cilat janë blerë.

Kontrollet janë kryer nga strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Operacionale", "Shqiponja" dhe Policinë Rrugore. Gjatë aksionit është përdorur një pajisje që mundëson kontrollin e të dhënave identifikuese të automjeteve, ndërsa për mjetet që kanë ngjallur dyshime janë kryer verifikime të mëtejshme për pronësinë, origjinën, si dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit.

Pjesë e verifikimeve ka qenë edhe kontrolli i burimit të të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, për të evidentuar rastet kur pasuria mund të jetë krijuar nga veprimtari kriminale ose kur mjetet mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm.

Në përfundim të kontrolleve, materialet procedurale për rastet e konstatuara janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve. Policia njoftoi se aksione të tilla do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të goditjes së pasurive me origjinë kriminale dhe luftës kundër pastrimit të parave.