Apeli i kryeministrit Edi Rama është që kush është i prekur me Covid-19 nuk duhet të thyejë rregullat dhe karantinën. Në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar një video sesi policë në terren bëjnë verifikimin e personave të prekur me koronavirus, të cilët duhet të respektojnë karantinën, duke mos dalë nga shtëpia.

"Policia vazhdon punën dhe Covid-i gjithashtu, por këto mesazhe njerëzore nga takimet me punonjësit e policisë së shtetit shërbejnë për këdo. Kushdo që është i prekur nga Covid19 nuk duhet të thyejë rregullat dhe karantinën. Policia i di të gjitha dhe kontrollet do të vijojnë! Shëndeti mbi të gjitha", shkruan Rama në Facebook.

Në video, efektivët e policisë herë me telefon dhe herë në kontakt të drejtpërdrejtë, por në distancë falenderojnë qytetarët e infektuar me COVID që kanë marrë masa duke u karantinuar.

Bashkëbisedimi i policisë me qytetarët e infektuar
Policia: Sic e dini ju nuk duhet të dilni në banesë, përndryshe do procedohen

Qytetari 1: Pa merak

Policia: Gjithësesi do të jemi në kontakt

Policia: Më vjen mirë që ti i ke marrë masat vetë, por shembulli jot duhet të jetë edhe për të tjerët. Unë të jam mirënjohës edhe si qytetar edhe si polic

Qytetari 2: Është një sëmundje që nuk të fal, veçanërisht për moshat tona. Qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe duhet ti paraprijnë vetë. Unë psh kam përdorur vitaminën C. Gjithsecili të bëjë detyrën e vetë.

Rastet me Covid-19 në vendin tonë po rriten çdo ditë, bashkë me to edhe numri i viktimave. Vetë në 24 orët e fundit janë shënuar 2 viktima dhe 74 raste pozitive. Ndërsa në total që nga fillimi i pandemisë kanë humbur betejën me koronavirusin 76 persona.