Policia nis aksioni, që tani
pranga shoferëve pa dokumente

TIRANE-Në aksionin e djeshëm, për të parën herë Policia e Shtetit arrestoi disa persona që nuk mbanin patentën me vete, duke konkretizuar kështu masën penale që tashmë dihej. Pra, drejtimi i mjeteve, pa lejën e drejtimit, gjë e cila përbën shkelje flagrante, tashmë pritet të konkretizohet ditë për ditë, duke synuar disiplinimin e plotë të shoferëve.

Ndërkaq, sipas Policisë së Shtetit, nga sot e tutje, do të merren masat e arrestit, për çdokënd që guxon të lëvizë në rrugë, pa patentë dhe do të ndëshkohen ashpër shkelësit flagrantë të ligjit, si shoferët e dehur, ata që shkelin Kodin Rrugor, etj. Deri më tani Kodi Penal e kishte parashikuar ndëshkimin me burg për personat që nuk respektojnë predispozitat e Kodit Rrugor, por në asnjë rast nuk ishte marrë ndonjë masë e ashpër. Oficerët që kishin ndaluar ndonjë shofer pa patentë, maksimumi e patën shoqëruar, por jo arrestuar.

Arrestimet në Kavajë
Policia Rrugore e Komisariatit të Kavajës ka organizuar dje një aksion të gjerë me kontrolle në akset rrugore, si rrjedhim i të cilit është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: Altin Kasula, Hysni Meka, Oltian Muça, Xhevat Kasa, Enea Totraku, Arif Hoxha, Hysen Stafa dhe Shkëlqim Sokoli. Këta shtetas janë kapur duke drejtuar automjete dhe motorçikleta pa leje drejtimi. Materialet në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Operacioni i djeshëm është ndjekur nga afër nga drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Aksioni i gjerë
Policia e Tiranës ka nisur një aksion, për një sërë masash ndaj makinave me targa të huaja, atyre me mungesë dokumentacioni dhe automjetet të cilat do të parkohen në mënyrë të paligjshme përballë Kuvendit të Shqipërisë, ku zhvillohen seancat parlamentare. Policia sqaron se kontrolli po zhvillohet në rrugët kryesore por edhe në rrugët dytësore, dhe se nuk do tolerohet asnjë shtetas, madje as ndonjë punonjës policie që lëviz pa letra. Sipas policisë, këto masa po ndërmerren për shkak të shtimit të numrit të aksidenteve, por edhe të shtimit të drejtuesve pa patentë.

Sipas urdhrit të lëshuar nga Ministria e Brendshme, uniformat blu të Tiranës nuk do të tolerojnë asnjë shtetas apo zyrtar, i cili do të tentojë të parkojë mjetin e tij përballë Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Ky urdhër është pjesë e masave të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për tolerancë zero ndaj kujtdo që shkel ligjin dhe që tenton të dalë mbi ligjin. Parkimi i makinave përballë Kuvendit të Shqipërisë në shkelje të ligjit, në shumë raste edhe mbi trotuar, përgjatë seancave parlamentare, ka qenë gjithnjë një ngërç për qarkullimin rrugor.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)