TIRANË- Pas 3 protestave të dhunshme, Policia e Tiranës nuk e ka marrë përsipër zhvillimin e tubimit të Partisë Demokratike të thirrur ditën e sotme në orën 18:00 përballë Kryeministrisë. Blutë e Tiranës sqarojnë se pasi kanë marrë njoftimin nga PD për protestën e radhës, e cila mban firmën e Klevis Balliut, i kanë kthyer përgjigje se nuk e kanë marrë përsipër zhvillimi e saj, pasi siç sqarojnë burime për Report Tv, Policia ka informacione se në protestë do të ketë akte dhune.
Gjithashtu arsye është dhe përsëritja e akteve të dhunës apo sulmeve me molotovë në drejtim të efektivëve të policisë nga militantët e Berishës në protestat e mëparshme, sidomos në atë të 10 shkurtit ku u lënduan 16 prej tyre.
“Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, njoftoi Policia e Tiranës.
Megjithatë, ligji për “tubimet” e detyron policinë që të marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit, kur ka informacion se po bëhet një tubim. Dhe për aq kohë sa në shesh ngrihet një podium dhe ka informacione se mund të ketë dhunë, policia thotë se ndonëse nuk e mori përsipër zhvillimin e protestës, “ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.” Pra, efektivët e policisë do të jenë në terren njëjtë si protestat e kaluara, por nëse ka akte dhune dhe bllokime rrugësh, përgjegjës do të jenë drejtpërdrejtë organizatorët e protestës.
"Do të jetë aty të garantojë sigurinë, por nuk jep aprovime për kryerje të një proteste të tillë. Policia e shtetit nuk jep aprovim për atë që do të kryhet, nga ana tjetër do të kryejë detyrat e saj funksionale", shpjegoi ministrja Albana Koçiu.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu u bëri thirrje organizatorëve të protestës që të distancohen nga aktet e dhunës, pasi përgjegjësit do të përballen me drejtësinë sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa, kërkoi që të mos përdoren të miturit për të sulmuar me molotov institucionet dhe efektivët e policisë.
"Organizatorët duhet të distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja më e poshtër", theksoi Koçiu.
Pritet të shihet edhe skenari që do të ndjekë PD gjatë protestës, por siç thanë burime për Report Tv, militantët me shumë gjasa nuk do të zhvendosen tek Kuvendi, pasi në orën që zhvillohet protesta ka besimtarë që falen për gjatë muajit të Ramazanit pranë xhamisë te Parlamenti.
Në zbatim të masave që ka marrë policia sot do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Lajmi në përditësim...
Gjatë pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp, ministrja Albana Koçiu sqaroi njoftimin e policisë për protestën e Berishës. Në njoftim thuhet se “policia nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, ndërsa shton se “ka ndërmarrë të gjitha masat”. Sipas Koçiut, Policia e ka për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë, por nuk aprovon një protestë të tillë.
“Policia e shtetit është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, e ka detyrë funksionale ta kryejë në çdo rast. Nuk ka dhënë leje për ushtrimin e protestës. Nëse është vënë në dijeni, i ka kthyer përgjigje duke thënë që nuk merr përsipër për të siguruar protestën. E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Këtë ka dashur të thotë policia. Do të jetë aty të garantojë sigurinë, por nuk jep aprovime për kryerje të një proteste të tillë. Policia e shtetit nuk jep aprovim për atë që do të kryhet, nga ana tjetër do të kryejë detyrat e saj funksionale. Do të jetë aty si çdo ditë për të garantuar rendin dhe sigurinë, ama nuk jep aprovim për t’u kryer një protestë e cila 2 herët e fundit ka qenë me dhunë, dhe ende bëhet thirrje për të ardhur dhe për t'u mbledhur në protestë të dhunshme”, tha Koçiu.
.jpeg)
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu tha se ka urdhëruar Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të nisur hetimet lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar në protestat e Partisë Demokratike. Koçiu tha se hetimet po vijojnë ndërsa nuk dha një përgjigje nëse është apo jo i dëmshëm për qytetarët.
“Këtë shqetësim e kam ndjekur kam urdhëruar të kryet një hetim nga policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Hetimet po vazhdojnë do të dalim në konkluzion. Nëse është i dëmshëm ose jo, këtë nuk di të ta them”, tha Koçiu.
.jpeg)
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu refuzoi të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila liroi të gjithë militantët e Berishës që sulmuan me molotovë ndaj policëve, duke caktuar ndaj tyre masën detyrim paraqitjeje. Ndërsa sot mbahet protesta e radhës, Koçiu u bëri thirrje organizatorëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mos përdorin të miturit.
“Nuk dua të komentoj vendime gjykatash, s’më takon mua t’i komentoj. Çdo akt dhune është i dënueshëm. Nga çdo akt dhune do duhet të distancohemi, u bëj thirrje të distancohen. Uroj të kemi protestë paqësore, të mos kemi akte të turpshme, uroj mos të kemi dhunë ndaj policisë e hedhje të bombave molotovë, gura e fishekzjarre. Nuk është kjo mënyra, jemi për protestë paqësore, po jo protesta të dhunshme. Të shmangni përdorimin e të miturve. Organizatorët duhet te distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja me poshtër, shfrytëzimi i të miturve në protesta. Do doja të kishim edhe një ndërgjegjësim sa i përket forcave të policisë, por edhe ju si media, për të mos incentivuar, apo motivuar këdo që kërkon të krijojë incidente të dhunshme, karshi atyre që janë në shesh për të kryer detyrën e tyre”, tha ministrja.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu komenton për Report Tv faktin që Policia e Shtetit nuk mori përsipër zhvillimin e protestës së PD. Koçiu tha për gazetarin Sokol Dema se protesta nuk u mor përsipër për shkak të akteve të dhunës, por gjithsesi efektivët do jenë në terren siç e parashikon ligji për tubimet.
“Ne e kemi thënë që protesta janë e drejtë kushtetuese, për të protestuar në mënyrë paqësore, për të shprehur bindjet apo opinionet. Sa i përket faktit që Policia nuk e ka miratuar zhvillimin e protestës, është një procedurë që është e lidhur me2 protestat e kaluara, duke patur në konsideratë veprimet e dhunshme. Ju e thatë vetë e drejta për të tubuar dhe manifestuar është e kujtdo, policia ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë”, tha Koçiu.
Por, kush do e ketë përgjegjësinë për aktet e dhunës? Koçiu thotë për Report Tv se kushdo që kryen akte dhune do të procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi.
“Kush është përgjegjës? Si të jetë një protestë me leje apo leje, kushdo që kryen veprim i cili dënohet penalisht, bën klasifikimin e veprës, në varësi të çfarë veprimi kryen. Kjo nuk ndikon në faktin që nëse kemi një protestë me leje, apo pa leje, kushdo që kryen veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi”, vijoi Koçiu.
Komente











