Edicioni i 82-të i Turit të Shqipërisë do të nisë këtë të hënë, në një maratonë 5 ditore, që do të dhurojë shumë adrenalinë për sportistët nga mbarë Europa. 5 etapat nga 26-30 maj priten me plot rivalitet, që do të rregjistrojnë një edicion që do të prekë mbarë Shqipërinë.
Në lidhje me këtë ngjarje sportive Policia e Shtetit ka njoftuar një plan masash për mbarëvajtjen e turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë, i cili zhvillohet në 5 etapa, në disa qytete të vendit.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, blutë i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin kalimin në rrugët ku do të zhvillohet ky aktivitet, në datat dhe oraret si më poshtë:
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një prej garave më të vjetra në botë do të përbëhet nga 15 skuadra dhe 96 sportistë, të cilët do të nisen të hënën nga Tirana, për etapën e parë e cila do të jetë e gjatë 151 km e do të vijojë drejt Rrëshenit, për tu mbyllur në Shkodër.
Më pas etapa e dytë do të jetë nga qyteti verior drejt Elbasanit, e gjatë 188 km. Dita e tretë do të ketë si intenerar Elbasan-Vlorë, me një distancë prej 149 km, për të shkuar më pas në etapën e katërt, e cila do të ketë shumë magji e adrenalinë pasi çiklistët do të tregojnë veten në terrenin e vështirë mes Vlorës dhe Himarës, duke ngjitur dhe Llogaranë, në një distancë prej 153 km.
Turi i Shqipërisë do të përfundojë të premten e ardhshme me etapën e pestë dhe të fundit me nisje në Vlorë dhe përfundim në Fier, ku do të kurorëzohet dhe fituesi i këtij edicioni të 82-të.
Ky tur vjen vetëm pak ditë pasi në Shqipëri u mbajt ‘Hapja e Madhe’ e ‘Giro D’Italias’, me 3 etapa që nisën në Durrës, vijuan në Tiranë dhe përfunduan në Vlorë.
Komente










