Lufta kundër trafikut të armëve ishte në qendër të një takimi mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve europianë. Në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, priti përfaqësues të platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit” dhe të projekteve “FORTIFY” dhe “EVOLUXER”.

Në takim ishte edhe Koordinatori i JAD SEE, Carlos del Moral, bashkë me ekipin e tij mbështetës, përfshirë drejtues të projekteve europiane që fokusohen te goditja e krimit të organizuar dhe trafikut të armëve.

Në fjalën e tij Proda tha se Policia e Shtetit është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin hetimor dhe operacional me agjencitë ligjzbatuese europiane, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe koordinimit në terren. Sipas tij, ky bashkëpunim ka rritur efektivitetin në goditjen e rrjeteve kriminale me rrezik të lartë.

“Bashkëpunimi me shtetet partnere të Bashkimit Europian dhe strukturat përkatëse europiane, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me EUROPOL-in dhe mbështetjen strategjike dhe financiare të Komisioni Europian, bazohet në besimin e ndërsjellë, shkëmbimin e informacionit në kohë reale, koordinimin e fortë operativ dhe forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale. Kjo qasje e integruar ka rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të përbashkët kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë. Bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia mbeten shtyllat themelore mbi të cilat ndërtohet kontributi ynë brenda platformës “EMPACT”, me objektivin e qartë, sigurimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët tanë dhe partnerët tanë europianë” tha Proda

Nga ana tjetër, Carlos del Moral vlerësoi punën e strukturave shqiptare gjatë operacioneve të përbashkëta dhe shprehu gatishmërinë për ta thelluar më tej bashkëpunimin.

Policia shqiptare është pjesë aktive e platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, një mekanizëm i Bashkimit Europian që synon të godasë trafikun e armëve dhe format e tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.