Policia: Situatë e tensionuar në veri

Policia: Situatë e tensionuar në veri
Pas vrasjes të Selver Haradinaj, vrasje e cilësuar si akt terrorist nga qeveria e Kosovës dhe subjektet politike, Policia e Kosovës thotë se situata në këtë pjesë të vendit mbetet e tensionuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë, se policia në bashkëpunim me autoritetet tjera të komunës, janë duke u përpjekur për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët, e po ashtu edhe për uljen e tensioneve.

“Sa i përket situatës, mund të them lirisht se kemi një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve - jo vetëm të veriut, banorëve shqiptarë e serbë - por të të gjithë banorëve të tjerë në komunë e me gjerë".

"Policia e Kosovës me strukturat e tjera të sigurisë dhe të pushtetit lokal ka përgjegjësi për marrjen e masave ose veprimeve shtesë për uljen e tensioneve”, deklaroi Hoti.

Ai tha se tash për tash ende nuk dihen motivet dhe shkaktarët e sulmit, por siç u shpreh ai, policia është duke hetuar të gjitha rrethanat e këtij incidenti kriminal.

“Ky është një rast që i tejkalon ndoshta edhe përmasat e ngjarjeve ditore dhe ngjarjeve që kanë ndodhur më herët. Prandaj veprimet tona kërkojnë të jenë të matura dhe të kenë koordinim shumë të rëndësishëm me të gjitha institucionet, edhe ato ndërkombëtare të sigurisë, por në radhë të parë edhe me vetë qytetarët”, tha Hoti.

Hoti shtoi se janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier dhe se kjo do të vlejë deri në urdhërin e ardhshëm.
Ministri Bajram Rexhepi dje pati urdhëruar vendosjen e pikës statike tek “tre rrokaqiejt”.

Ndërkaq mbremë në lagjen Suhodoll është sulmuar Vlladimir Denoviq nga përsona ende të panjohur, icili thuhet se ka pësuar lëndime të rënda trupore, por është jashtë rrezikut për jetë. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës