Shpejtësia mbi normat mbetet një nga shkeljet më të përhapura në rrugët e Shkodrës. Vetëm gjatë javës së fundit, policia ndëshkoi 531 drejtues mjetesh që qarkullonin më shpejt se sa lejohet, ndërsa një shofer u arrestua dhe shtatë të tjerë u proceduan penalisht.
Bilanci vjen nga kontrollet e zhvilluara nga Policia Rrugore në periudhën 23-30 korrik, të cilat janë intensifikuar në të gjitha akset e qarkut me ndihmën e dronëve, radarëve dhe makinave inteligjente, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit turistik.
Gjatë kësaj periudhe u vendosën në total 1.154 masa administrative. Përveç 531 gjobave për tejkalim të shpejtësisë, policia ndëshkoi 314 drejtues për ndalim ose qëndrim të gabuar, 77 për parakalime të gabuara, 50 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Po ashtu u vendosën edhe 176 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Sipas policisë, kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror në akset urbane, interurbane dhe rurale, me fokus shkeljet që konsiderohen ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, si shpejtësia, parakalimet e gabuara, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit dhe qarkullimi pa leje drejtimi.
Komente









