Autoritetet turke kanë bllokuar llogaritë bankare të kompanisë “Thodex”, të drejtuar nga turku i shumëkërkuar Faruk Fatih Ozër, i cili dyshohet se fshihet në Shqipëri që prej 20 prillit.
Milliyet raporton se në tre llogaritë e tij në bankat turke janë gjetur gjithsej 16 milion lira ndërkohë që vlera e mashtrimit që dyshohet se u krye nga “Thodex” nën drejtimin e Faruk Fatih Ozer është 2 miliard dollar. Në momentin që ai është arratisur nga vendi me vete kishte një harddisk me vlerë rreth 108 milion dollarë.
Policia turke ka arrestuar disa bashkëpunëtorë të tij me akuzën e mashtrimit, kurse kreu i kompanisë që kishte kriptomonedhën e famfshme turke nuk ështe gjetur ende pavarësisht kërkimeve intensive edhe në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të Ballkanit njëkohësisht.
Ozer u arratis nga Turqia në drejtim të Shqipërisë më 20 Prill dhe që prej asaj dite është zhdukur. Mediat turke raportuan më herët se nga informacionet e siguruara në mënyrë informale kanë mësuar se bosi turk fshihej në Shqipëri nga grupe të lidhura me mafian dhe biznesin duke mos dhënë detaje të tjera, por që prej asaj dite fati i bosut turk të kriptomonedhës mbetet enigmë.