Baza ajrore në Farkë, brenda së cilës gjendej edhe zyra e majorit, që instruktonte pilotët e rinj, është blinduar nga policia ushtarake menjëherë pas marrjes së lajmit të vdekjes me një helikopter droge në Spanjë të Sokol Fekës. Sipas të dhënave, bëhet me dije se është ushtruar kontroll i imtësishëm në repart dhe në bazë, ndërsa mësohet se janë sekuestruar edhe të gjithë regjistrat e punonjësve të kësaj Baze për të mësuar hollësi mbi lëvizjet, lejet dhe lidhjet e tyre me majorin që humbi jetën në Malaga.

Njëkohësisht bëhet me dije se përveç se do të kryhen kontroll mbi kontaktet e punonjësve të bazës, kryesisht pilotëve me Fekën, burimet sqarojnë se kontrollit do t’i nënshtrohen edhe adresat e imaileve si dhe komunikimi mes tyre në rrjetet sociale. Ndonëse drejtues të kësaj baze dhe zëra zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes kanë mohuar në mënyrë kategorike të ketë lëvizur ndonjë pilot tjetër jashtë vendi, dyshimet tashmë shtrihen mbi të gjithë ata punonjës, që janë elita e fluturimit për FA-në.

Edhe pse policia ka nisur verifikimet dhe hetimet mbi lidhjet e Fekës me ndonjë element të trafikut ndërkombëtar të drogës, në fakt ka rezultuar se në lidhjet e tij shoqërore, ai nuk është i mpleksur me asnjë person të dyshimtë dhe aq më pak me ndonjë me precedent penal. Feka, kujtohet nga të gjithë shokët e tij, si djali që sfidonte me buzëqeshje problemet ekonomike të vetat,ndërsa, si rrallë kush tjetër, ai merrte bukë me vete në punë, pasi rroga nuk i dilte as për të paguar detyrimet.
 
 
Shkrimi u butua në gazetën Shqiptarja.com)

Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)