Zoja, është një grua e imët, shëndetligë, e urtë dhe fjalëpakë. Këtë përshtypje më lë gjatë rrëfimit të saj në një video,e cila mund të surprizojë këdo që i bie rasti ta shohë në yotube. Ajo është një grua që jeton nën të njëjtën çati me bashkëshortin e saj, dy vajza, një grua tjetër dhe dy djemtë që i bie të jenë djemtë e bashkëshortit të saj. Ajo pra jeton në poligami, ndan jetën dhe bashkëshortin e saj me një grua tjetër, e cila është edhe kushërirë e saj. Ajo quhet Mirushe. Është më e re në moshë se Zoja dhe është ‘martuar’ me dashuri me burrin e Zojës, Ahmetin. Zoja nuk e ka dashur asnjëherë këtë jetë. Por shorti ra kështu. Ajo mësoi të jetonte edhe në këto rrethana. Pranoi kushtet dhe vendimet e të shoqit për të shtuar vatrën e tyre me djem, të
cilët ajo s’mundi t’ia dhuronte kurrë Ahmetit. Në videon e publikuar në Yotube, pas publikimit të parë në emisionin e pasdites të televizionit Top Chanel, jepet e plotë panorama e kësaj bashkëjetese të pazakontë.
Ahmeti dhe dy gratë e tij
Ahmet Bajrami jeton në Zall Bastar, një fshat pak kilometra larg Tiranës. Ai jeton nën shoqërinë e dy bashkëshorteve të tij. 48-vjeçari është njëkohësisht bashkëshorti i Zojës dhe i Mirushes, të cilat për ironi të fatit kanë edhe lidhje gjaku midis tyre, janë vajza tezesh. Poligamia është e ndaluar në Shqipëri, por Ahmeti jo aq i informuar për këtë çështje kishte arsye të forta për të mbajtur më shumë se një grua në shtëpi.
Në këtë video Ahmeti rrëfen: "Kisha tre vajza me të parën (gruan e parë). Vendimi… (për t'u martuar sërish)… Njëlloj është si vajza si djali… Por nusen e kisha në punë në maternitet. Lindje kishte, vizita kishte… fëmijët ishin vetëm gjithë natën... Ata donin nënë nuk ishte problem puna ime. Kështu u detyrova të marr një grua të dytë të paktën për të mbajtur fëmijët e të kishin një vëlla edhe vajzat…"
Kamera fokusohet më tej në një tjetër ambjent. Është rrëfimi i Zojes, bashkëshortes së parë të Ahmetit, e cila edhe pse kanë kaluar gati 10 vjet, e ka ende të freskët ndjesinë e përballjes me insistimin e të të shoqit për t'u martuar për së dyti herë.
Zoja rrëfen: "Isha shumë e mërzitur. Gjë më të vështirë nuk kishte. Thoshte gjithmonë do të martohem për djalë, do të martohem për djalë. Unë kisha vetëm tre vajza. Do martohem thoshte, s'ka gjë… do martohem…" Zoja e kujton edhe momentin kur e ka parë për herë të parë Mirushen në shtëpinë e saj. "M'u dridh trupi...kisha vetëm hallin e fëmijëve… vetëm prej tyre… më mirë të rrija këtu me vajzat se të shkoja tek prindërit…"
Pas këtij rrëfimi shfaqet Mirushja, kushërira e saj, gruaja e dytë e Ahmetit. Ajo rrëfen historinë e saj me Ahmetin dhe se si erdhi në këtë shtëpi nuse.
Mirushja kishte rënë në dashuri me Ahmetin që kur ishte 15 -vjeç dhe s'kishte mundur kurrë të hiqte dorë nga dëshira e saj për të jetuar me këtë burrë. Mirushja rrëfen se e kishte të vështirë përballjen ditën e parë të mbërritjes në familjen e Ahmetit. "Ishte shumë e vështirë, sepse u futa ndërmjet një çifti. Zoja më priti mirë, por diçka e fortë ishte në zemrën e saj. Edhe unë s'do të mund ta përballoja diçka të tillë, po të isha në vend të saj."
Por si e përballojnë xhelozinë këto dy gra që ndajnë shtratin me të njëjtin burrë prej kaq e kaq vitesh, në të njëjtën shtëpi? Mirushja nusja e dytë e shtëpisë thotë se nuk ndihet xheloze. Por ajo mendon se Zoja, po, "ajo është xheloze ndaj meje… e di me siguri këtë… çdo kush në vendin e saj do të ishte…"
Dhe vërtet Zoja në rrëfimin e saj e reflekton dhimbjen që i ka shkaktuar vendimi i bashkëshortit të saj.
"Kur e di diçka pse ndërhyn? Kur e di që është i martuar me fëmijë… Këtë mendim kam. Pse futet dikush tjetër tek një burrë i martuar… Ka mbetur pa martuar? Punë e madhe s'duhet të ndërhyjë…" Duket si një revoltë, por këtu nis e këtu përfundon mëria e Zojes.
Ajo vetë tregon se gjithsesi, bashkëjetesa e tyre është e paqtë. Ata të dyja ndajnë të njëjtin burrë, por edhe të njëjtën shtëpi, punët e përditshme, ndajnë të njëjtën tryezë, bisedat familjare, fëmijët e të dyjave janë motra e vëllezër dhe duhen shumë mes tyre.
Ahmeti nga ana e tij shprehet i kënaqur. Ai thotë se bashkëjetesa e tyre shkon për mrekulli. Thotë se i respekton të dyja gratë dhe kanë shkuar mirë gjithmonë të tre… Netët i kalojnë me biseda e shaka, ndërsa punët i ndajnë më së miri mes tyre.
Ahmeti thotë se çelësi i kësaj marrëdhënie të suksesshme është mbajtja e ekuilibrave… "Duhet të ketë një barazi aty… Duhet të punosh e të jetosh me drejtësi s'ka tolerim ndaj njërës apo tjetrës. I blen një veshje njërës, duhet t'ia blesh edhe tjetrës, ju jep leje të dyjave për të shkuar tek prindërit e tyre. Nëse i trajton njëlloj s'ka vend për zënka e keqkuptime".
Ndarja e shtratit duket është një temë e vështirë për tu diskutuar, dhe ata e kanë vendosur në heshtje. Zoja tregon disi me drojtje se Ahmeti fle një natë me të e një natë me Mirushen….
Kështu i kalojnë ditët këto dy gra me burrin e përbashkët dhe fëmijët, në këtë fshat vetëm pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar, ku jeta moderne e ka fashitur krejt këtë zakon të vjetër.
Në Zall Bastar, në shtëpinë e Ahmet Bajramit. Dude Bajrami: Ja pse u martua djali im për së dyti
Kemi udhëtuar për më shumë se dy orë për të mbërritur në shtëpinë e Ahmet Bajramit, në Zall Bastar, në këtë fshat të qetë ndarë prej një lumi, matanë malit të Dajtit. Rruga për atje është e vështirë. Punimet për “Rrugën e Arbrit” na detyrojnë të bëjmë ndalesa të herë pas hershme. Pas gjarpërimesh të gjata mes maleve që bien thikë në lumin e Brarit, ngjitemi majë një kodre, nga ku Zall Bastari duket si në pëllëmbë të dorës. Po ashtu edhe shtëpia e Ahmetit rrethuar me zgjoje bletësh, në faqen e kodrës përballë. Është pothuajse drekë kur mbërrijmë atje, dhe në shtëpi gjejmë vetëm vajzat e Ahmetit, të cilat merren me punët e shtëpisë. Bashkë me to është gjyshja. Nëna e tyre Zoja së bashku me Mirushen janë në pyll. “Mbledhin humus për tokën. Tani është sezoni kur mblidhet. Kanë disa ditë që ikin në mëngjes e kthehen në mbrëmje vonë”. Vajzat janë të ndrojtura. Madje njëra nuk e fsheh dot nervozizmin kur kupton pse jemi aty. Ajo s’do të rrëfejë asgjë. Ndësa motra e saj, që sapo ka mbaruar gjimnazin është më e hapur. Ajo nënqesh dhe thotë se motra e saj ndihet e turpëruar ngaqë historia e tyre u shfaq në televizion dhe të gjithë në shkollë diskutonin për këtë temë.
I jap të drejtë dhe nis të pyes gjyshen, me shpresë për të zbërthyer pak më tej pse ndodh vërtet kjo dukuri. Rrëfimi i gjyshes është befasues.
Rrëfimi i 70-vjeçares
Gjyshja Dude, është 70 vjeç. Ajo është vjehrra e dy nuseve që jetojnë në poligami me djalin e saj Ahmetin prej me shumë se 10 vjetësh. Dudja e di sa e vështirë është kjo bashkëjetesë, sidomos për gruan e parë të djalit.
A jeni dakord me këtë zgjedhje të djalit tuaj? Ç’mendoni për fatin e Zojes?
“Unë e kam kaluar vetë këtë që kalon Zoja. Kam jetuar me një burrë që ishte martuar disa herë. Dikur, kjo ishte gjë e zakonshme. Ja tani kam 5 djem e një vajzë. Fëmijët janë të zotit. Ja kështu. Të gjithë gratë e tjera të tim shoqi, nuk kishin fëmijë. Ju lindnin dhe ju vdisnin...nuk jetonin. Vetëm gruaja e parë e tij kishte dy vajza. Dy djemtë e saj kishin vdekur në moshë 12-13 vjeçare. A do të rrinte ai vetëm me vajza? Pa djem? Vajzat martohen ikin në shtëpi të huaj. Atë kohë kishin hallin e tokës. Kujt do t’ia lije trashëgiminë? Kujt do t’ia lije tokën?...”
Edhe ju vetë jetuat me gruan tjetër të burrit tuaj në të njëjtën shtëpi. Si ishte kjo bashkëjetesë?
Unë kam jetuar me shemrën(gruan tjetër të burrit) shumë vite. Ajo ishte e vjetër. Kur erdha unë në këtë shtëpi, unë isha e vogël, isha 13 vjeçe. Ajo s’mund të lindte më fëmijë. Por edhe unë isha fëmijë. Dy vjet ata më kanë mbajtur si fëmijën e tyre. Ajo më donte mua. Atëkohë fqinjët donin të merrnin tokën tonë. Ne nuk kishim djem në shtëpi. Për fshatin kjo do të thoshte se ne ishim shuar si shtëpi....
Por ju lindët djem apo jo..?
Po më vonë më lindën djemtë njëri pas tjetrit. Trashëgimia e familjes u sigurua.
Sa vite jetuat me bashkëshortin tuaj?
Jetova me plakun tim 18 vjet. Linda gjatë fëmijë, të cilët i rrita thuajse vetëm...
Po me martesën e dytë të djalit ishit dakord?
A doja unë që kjo martesë të bëhej? Jo nuk doja. E kam thikën në zemër vetë. E besoj si për vete. E të them të drejtën unë se kam përjetuar në këtë përmasë. Pasi gruaja e parë e tim shoqi ishte e vjetër. Ajo ishte për mua më shumë si vjehërr. Ndryshe është puna me dy gratë e djalit. Këta janë të reja të dyja. Më vjen keq për gruan e parë, se ajo s’pati dot djem. Por ja tani e duan djemtë e gruas së dytë. E duan si nënën e tyre.
Pse mendon se u martua për së dyti djali?
Zoja i ka lindur vajzat të treja me operacion. Nuk mund të rrezikonte më. Ishte anemike. Nuk hante mirë. Është e dobët edhe sot. Eh...kështu janë zakonet tona. Se vajzat i kishte si drita...por....(Dudja tregon me dorë arat e shtëpisë, që shtrihen nga lugina deri lart në kodër).
Ja kështu e kemi zakon brez pas brezi luftojmë për këtë tokë, mos të na i marrin fqinjët, të ruajmë mbiemrin...
A druheshit për sherre në shtëpi, pas martesës dytë?
(Dudja tund kokën në shenjë mohimi).
Martesa u bë me dëshirën e Zojës. Ajo e pranoi këtë gjë, dhe sot Ahmeti ka dy djem...i pari 10 vjeç dhe i dyti 7 vjeç. Më ngazëllohet zemra edhe për vajzat se u bënë me vëllezër.
Poligami mes konfliktesh në Mat me tre gratë e tij ka 5 fëmijë
Në qytetin e tij atë e njohin të gjithë. Xh.K. tashmë në të 50-dhjetat, jeton në një vilë trekatëshe në qendër të Burrelit me dy gratë e tij dhe katër fëmijët. Ai është babi i 5 fëmijëve (3 djem dhe dy vajza), me tre gra të ndryshme, por njëra prej tyre vendosi të linte shtëpinë e burrit të cilën e ndante edhe me dy gratë e tjera, gati dy vite me parë dhe mori edhe fëmijën (djalë) me vete. I martuar ligjërisht ai figuron vetëm me gruan e parë, me të cilën ka edhe dy fëmijë, ndërsa të tjerat kanë pranuar të martohen me të edhe pse nuk kanë nënshkruar asgjë në regjistrat e gjendjes civile dhe e dinin historinë e tij. Ai ka vendosur rregulla të forta për gratë e tij. Ato janë të detyruara që t’i flasin njëra-tjetrës, të mos zihen, të ulen në tryezën e ngrënies të gjithë bashkë... Ndryshe nga historitë e tjera, kur burrat janë martuar edhe me një farë mirëkuptimi nga gratë e para, rasti i 50-vjeçarit është krejt i kundërt. Me gruan e parë, e cila ishte vetëm 16 vjeçe, ai u martuar rreth 15 vjet më parë. Ajo vinte nga një familje e varfër në një fshat të Vlorës. Pas lindjes së dy fëmijëve, Xh. K e largon atë nga shtëpia së bashku me vajzën e vogël, ndërsa djalin e mban vetë në shtëpi, dhe fillon jetesën me një vajzë tjetër të re. Duke qenë se ajo nuk i duronte dot rregullat e forta, largohet nga shtëpia. Menjëherë pas kësaj lidhjeje ai fejohet dhe martohet me një vajzë tjetër që ishte 29-vjeçe dhe u duk sikur ai i dha fund lidhjeve të tij të shumta. Por sapo ajo u bë me djalë, 50-vjeçari, u martua sërish me një vajzë të re në moshë dhe të dy gratë jetonin në të njëjtën shtëpi. Por dy fëmijët e gruas së parë filluan të shfaqnin probleme me dy gratë e reja. Ndaj ai vendosi të marrë në shtëpi edhe gruan e parë që të ishte pranë fëmijëve të tij. Kështu të tre gratë filluan jetesën e re, së bashku dhe herë pas here kishin edhe probleme me njëra-tjetrën. Ai flinte rregullisht me të treja gratë, sipas një rendi të caktuar, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe tani. Kjo marrëdhënie e komplikuar me gratë e shumta, ka sjellë konflikte për 50-vjeçarin edhe me të afërmit e tij. E megjithëkëtë ai vijon ritualin e përditshëm. Fëmijët shkojnë në shkollë, ai vijon punët e tij, ndërsa gratë, rrallë, shumë rrallë i lejon të dalin nga shtëpia, veç në raste dasmash apo fatkeqësish.
Artan Kristo, hoxha me 2 gra e 9 fëmijë
Historinë e Artan Kristos, myslimanit nga një fshat pranë Durrësit, të akuzuarit për terrorizëm, e mësuam rastësisht nga një rrëfim i tij pak pas daljes nga burgu, me mbylljen e procesit gjyqësor.
Në intervistën e tij botuar më 1 shtator në një nga të përditshmet shqiptare, Kristo tek rrëfen daljen nga burgu dhe ritualet e ditëve të tij jashtë qelisë, ka folur edhe për bashkëjetesën familjare.
Cili është aktiviteti juaj pas daljes nga burgu?- e ka pyetur gazetari Artur Korriku. Dhe përgjigja e botuar e Kristos ishte: “Kjo mund të përmblidhet në dy fjalë: Shtëpi dhe Xhami. Jam çmallur me dy gratë dhe me 9 fëmijët e mi. Me njërën prej tyre kam 6 fëmijë dhe me tjetrën 3. Kam 15 vjet që jam martuar. Shkoj për çdo ditë në xhami ku kryej të gjitha ritet e fesë”.
Në përpjekje për të mësuar më shumë për jetën e tij në familjen me dy gra dhe 9 fëmijë, e kontaktuam hoxhën Artan Kristo, por ai nuk pranoi të ndante detaje nga bashkëjetesa e tij për opinionin e gjerë. “Nuk më pëlqen ta bëj publike historinë time, as arsyet që më çuan mua tek kjo zgjedhje. Përderisa kjo është një zgjedhje personale, nuk besoj se do ti shërbente opinionit publik”, iu përgjigj Kristo interesimit tonë.
Flet myftiu i Durrësit, Redi Quku: Islami e lejon poligaminë vetëm me lejen e gruas
A është obligim martesa me më shumë se një grua në fenë islame? Nisur nga rasti i hoxhës Artan Kristo, pyetëm myftiun e Durrësit Redi Qukun. Ai na shpjegon se nuk ka njohuri të sakta mbi përhapjen e këtij fenomeni në radhët e komunitetit mysliman në Shqipëri. Kjo për shkak se nuk ekzistojnë statistika mbi këtë lloj bashkëjetese.
Por sa e lejueshme është fetarisht, kjo bashkëjetesë? Myftiu i Durrësit i përgjigjet kësaj pyetjeje duke iu referuar një verseti kuranor nga surja e gruas. “Sipas kuptimit të këtij verseti kuranor, një mashkull mund të lidhe kurorë me më shumë se një grua, pra me dy, tre, dhe maksimumi katër. Por jo më shumë se katër. Nga ana tjetër sipas këtij verseti, kjo nuk është një detyrë obligative, por është një leje, e cila kërkon edhe disa kushte, pra që është e zbatueshme në disa rrethana të përcaktuara. Një kusht i parë është kufizimi në numër. Nuk duhet t’u hapim rrugë spekulimeve që thonë se myslimanët marrin 7, 8, 9, apo 10 gra.. se po na dalin përbindësha.
Pra maksimumi është deri në katër gra nën të njëjtën kurorë. Dhe kushti i dytë është drejtësia në trajtimin e bashkëshorteve. Sigurisht prirja natyrale është martesa monogame, pra vetëm me një bashkëshorte”. Myftiu i Durrësit, vijon më tej se poligamia sipas fesë islame, nuk është as urdhër as këshillë, por është një leje e dhënë për situata të jashtëzakonshme dhe sipas tij nëse “bashkëshortja e parë nuk e jep lejen dhe pëlqimin për një martesë tjetër të bashkëshortit të saj, ai nuk mund ta konsumojë kurorëlidhjen e dytë.
Elsa Ballauri: Poligamia? E patolerueshme, model shokues për fëmijët
Fëmijët rriten me ndjenjën e një shkelje ligjore dhe morale që ka bërë babai i tyre ku nënat janë persona pa fjalë. Pra, modeli që iu krijohet fëmijëve është shokues: ata shikojnë epërsinë e mashkullit dhe nënshtrimin e femrave të familjes.
Në Shqipëri, familjet që jetojnë në poligami, duket se nuk janë më raste të veçuara. Në investigimin tonë, kemi zbuluar dhe njohur nga afër historitë, e disa familjeve që jetojnë pastërtisht në poligami. Familja e Ahmet Bajramit nga Zall Bastari ndan këtë eksperiencë jete prej 10 vitesh. Pas martesës së tij të parë nga e cila i lindën tre vajza Ahmeti u martua për së dyti. Arsyeja e tij ishte e thjeshtë "dua një djalë". Dhe ai mori për grua të dytë një kushërirë të bashkëshortes së tij, e cila i dha atij dy djem. Gruaja e dytë është e lumtur. Thotë se e ka dashuruar Ahmetin që kur ishte 15 vjeçare. Gruaja e pare është ende sot e tronditur, xheloze...e megjithatë e kujdesshme aq sa te mos zihen kurrë e të mos prishin qejf. Kjo histori është vetëm njëra prej historive tona. Pyetjet që rrjedhin prej saj janë....
Çfarë të drejtash shkel kjo mënyrë jetese?
Poligamia është një lidhje e ndaluar nga ligji. Që këtu fillon shkelja. Natyrisht që duhet të dimë se poligamia është një fenomen që e ka shoqëruar njerëzimin shumë gjatë, dikur si një shprehje normale, tani si një rudiment normal. Ka ende vende, si vende të Afrikës dhe Azisë, në të cilat poligamia është një fenomen i zakonshëm. Çështja për të cilën diskutoni ju është lidhja e një burri me më shumë se një grua dhe brenda fenomenit të poligamisë kjo quhet poligjini (nga gjineka - gruaja në greqishten e vjetër). Poligamia është pjesë e kulturës dhe siç ka ndodhur edhe në rastet e këtushme, kur një burrë nuk përmbush detyrën e tij për të pasur djalë, ai e gjen këtë duke u martuar me një tjetër grua. Pra, është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një kodi të vjetër që përpara këtij burri e kanë aplikuar edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij. Ne e kemi shumë fort të ngulitur modelin monogam, kështu që edhe një rast i veçuar poligamie bëhet një çështje shumë e debatueshme. Jo se nuk është e tillë, por në këtë rast janë dy drejtime: rasti i poligamisë si pasojë e kulturës/modelit të traditës dhe poligamia si një dhimbje njerëzore, e në këtë rast viktima është gruaja që vuan nga mospërfillja dhe mosnderimi që i bën burri i saj. E para, pra, kultura, natyrisht që ka me se justifikohet dhe mund të pranohet, por e dyta na vë përballë rasteve të dramave familjare, inateve, sherreve, madje edhe tragjedive. Gruaja e parë, sidomos është e përbuzur dhe ajo ndodhet e vetme në një mjedis shoqëror kur askush nuk e zbaton poligaminë. Megjithatë mund të thuhet se edhe në vende të zhvilluara ka shumë raste të tilla, mormonët në SHBA, janë një grupim i madh që e respektojnë dhe e aplikojnë poligaminë. Madje ka edhe sociologë që e pranojnë dhe e mbrojnë këtë lloj marrëdhënie. Në rastin e shkeljes se te drejtave, mund te them se shkelet një ligj, dhe me pas kemi probleme te tjera psikologjike dhe sociale te gruas dhe fëmijëve. Gjithsesi, peshorja e familjes çekuilibrohet.
Si e gjykoni marrëdhënien që lind mes fëmijëve, bashkëshorteve, po me ambjentin, fshati ku jetojnë, shkolla ku mësojnë fëmijët?
Në rastin e mormonëve që përmenda, është një komunitet i tërë që vepron ashtu, beson se poligamia është e shëndetshme. Dhe në këtë rast edhe pasojat e këtij fenomeni nuk janë aq dramatike sa ç’mund të jenë në rastet shqiptare. Në Shqipëri jo vetëm të kryesh poligami, por të flasësh për të, është një sakrilegj. Natyrisht që familjet që janë përfshirë në këtë marrëdhënie, janë ato të cilat nuk e kanë të lehtë të përballojnë sidomos opinionin shoqëror. Sikurse thashë, ka një pasojë të madhe që kryesisht bie mbi gruan. Gruaja është ajo që vuan mungesën e respektit, të vëmendjes, mënjanimin. Në familjen shqiptare ku edhe hapësira fizike është e vogël, natyrisht që fëmijët mbeten peng në mes të dramës së prindërve, të grave të babait apo në mes tyre. Një presion i madh iu vjen nga shoqëria. Fëmijët rriten me ndjenjën e një shkelje ligjore dhe morale që ka bërë babai i tyre ku nënat janë persona pa fjalë. Pra, modeli që iu krijohet fëmijëve është shokues: ata shikojnë epërsinë e mashkullit dhe nënshtrimin e femrave të familjes.
Poligamia është e ndaluar me ligjin shqiptar. Megjithatë ushtrohet thuajse në të gjithë Shqipërinë. Kush duhet të mbajë përgjegjësi mbi këtë fenomen?
Nëse flasim për një shkelje ligjore, natyrisht që është shteti përgjegjës. Por zakonisht rastet janë jo të pasqyruara ligjërisht që do të thotë se burri nuk i ligjëron të dyja martesat. Në këtë rast, marrëdhënia poligame është më tepër një marrëveshje mes personave. Është më shumë një marrëveshje morale që mund të riparohet me ndërgjegjësim të mirë dhe kërkesë për të respektuar ligjin. Është interesante të mendojmë se a mund të kemi raste poliandrie (kur një grua ka shumë burra)...patjetër në këtë rast do të quhej prostitucion.
Çfarë ka bërë deri më sot shteti shqiptar për ta frenuar këtë fenomen? Po OJF-të?
Nuk mendoj se fenomeni është shumë i spikatur në shoqërinë shqiptare, mos harrojmë se jemi shumë konservatorë dhe nuk falim kollaj në këto raste. Rastet e njohura janë rudimente të kulturës poligamike njerëzore, ku edhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Por për hir të respektimit të të drejtave të individit dhe në këtë rast të grave dhe të fëmijëve, padyshim që është e rëndësishme të ketë më shumë debat dhe ndërgjegjësim mbi këtë fenomen.
Ky investigim është mbështetur nga projekti SCOOP dhe Shoqata Daneze e Gazetarëve Hulumtues