Politika s’ka akses në rastin‘Frroku’

Në komentin me titullin “Mund të bëjë Kuvendi rolin e gjykatës?”, që ‘Shqiptarja.com botoi në numrin e saj të së shtunës së kaluar, midis të tjerash, përmendeshin edhe parashikimet e një Raporti mbi shtrirjen dhe heqjen e imunitetit parlamentar, përshtatur nga Komisioni i Venecies dhe dërguar rreth një viti më parë nga Këshilli i Evropës të gjitha parlamenteve të Shteteve Anëtare të këtij Organizmi, pra edhe atij të Shtetit tonë.

Duke patur në vëmendje zhvillimet e zgjatura edhe me konflikte politike të mbledhjes së fundit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit të Kuvendit të Shqipërisë, për Çështjen ‘Doshi-Frroku’, anëtarëve të këtij Këshilli dhe të gjithë deputetëve të tjerë u kujtohej se, Raporti i dërguar nga Strasburgu parashikonte ndër kriteret për heqjen e paprekshmërisë së deputetit, gjithashtu, lejimin e procedimeve për mospengimin e drejtësisë, si edhe ato me qëllim ruajtjen e autoritetit dhe legjitimitetit të parlamentit.

     Këto dy kritere do të ishin aq më tepër të mjaftueshme për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, që pritet të zhvillohet sot posaçërisht me rastin e veçuar të Mark Frrokut, në një kohë të arsyeshme dhe jo përmes debateve të panevojshme. Sigurisht, duke mos refuzuar dëgjimin më së pari në këtë mbledhje të vetë deputetit. Dëgjimin më së pari të tij, sepse respektimi i parimit “për një proces të rregullt ligjor” nuk kufizohet vetëm në procese gjyqësore.

Pranimi pra, pa kontensime, abstenime dhe komentime, në këtë mbledhje (pasuar edhe nga seanca plenare e ardhshme) e Kërkesës së re të Prokurorit të Përgjithshëm, që t’i jepet këtij autorizimi tjetër i nevojshëm për arrestimin e Frrokut, nuk mund të mos bëhet e domosdoshme.

Nuk mund të mos bëhet e domosdoshme, përderisa arsyetimi i kësaj Kërkese mbështetet te fakti i mbërritjes ditëve të fundit pranë Prokurorisë së Përgjithshme nga Zyra Qëndrore Kombëtare INTERPOL-Tirana dhe nga Ministria e Drejtësisë e një urdhër arresti prej Prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda në Bruksel (Belgjikë). Ky urdhër arresti adresohet ndaj Mark Frrokut, mbi një vrasje me paramendim (në bashkëpunim) të kryer prej këtij të fundit më 1999 dhe për të cilën ai është dënuar më 2010-n me 10 vjet burgim.

     Pa u zgjatur me odisenë e mëtejshme të proceseve gjyqësore të zhvilluara në mungesë ndaj Mark Frrokut dhe tre bashkatdhetarëve të tij, tani vëmendjen në këto rradhë le ta përqendrojmë te arsyeja e domosdoshmërisë së dhënies së autorizimit përkatës të Kuvendit në një rast specifik, si ky që rëndon Frrokun. Të mos harrohet se është po ky Parlament, i cili ka miratuar ligjin nr. 9068, datë 15.5.2003 “Për ratifikimin e Konventës Evropiane ‘Për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale’”.

Dhe të mos harrojmë, gjithashtu, që në referim të nenit 116/1 dhe 122 të Kushtetutës sonë, çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar prevalon mbi çdo akt tjetër normativ të legjislacionit të brendshëm, që bie në kundërshtim me ‘të. Ky konstatim në këtë rast konkretizohet apo përforcohet edhe duke marrë parasysh parashikimin e Kodit të Procedurës Penale të RSH, sipas të cilit, marrëdhëniet me autoritetet e huaja në fushën penale rregullohen nga marrëveshjet ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, nga parimet dhe normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, si edhe nga dispozitat e këtij Kodi.

     Në kuptim të Konventës për të cilën po flasim janë përkufizuar edhe disa nocione të gjithëpranuara. Për shembull: “Vendim penal evropian” do të thotë çdo vendim përfundimtar i dhënë nga një gjykatë penale e një Shteti Palë, si rezultat i procedimit penal; “Vepra penale” përfshin, përveç veprave penale të dënueshme nga legjislacioni penal, edhe ato të parashikuara në dispozitat legjore të listuara në lidhjen II të kësaj Konvente, me kusht që në rastin kur këto dispozita i japin kompetencë një autoriteti administrativ duhet të ekzistojë mundësia për personin e interesuar që ta paraqesë çështjen para një gjykate; “Dënim” do të thotë vendosje e një sanksioni; “Sanksion” do të thotë çdo dënimi ose mase tjetër e vendosur shprehimisht ndaj një personi, për shkak të kryerjes së një vepre penale dhënë nga një gjykim penal evropian, ose një ordonance penale; “Ordonancë penale” do të thotë çdo vendim i dhënë në një Shtet tjetër Palë dhe i listuar në Lidhjen II të kësaj Konvente; “Gjykim i bërë në mungesë” do të thotë çdo vendim i konsideruar si i tillë sipas nenit 21, paragrafi2, i Konventës etj.   

Ndërsa, koncepti themelor i kësaj Konvente është asimilimi i një vendimi të huaj në një gjykim që del nga gjykatat e një Shteti tjetër-Palë Kontraktuese e Konventës. Ky koncept aplikohet në tri aspekte në ndryshme: ekzekutimin e dënimit; Efektin ‘ne bis in idem’ (; Marrjen në konsideratë e gjykimeve të huaja. Një ekzaminim i detajuar në Komitetin Evropian për Problemet e Krimit, si edhe në një Nën-komision dhe në Komisionin e ekspertëve, për të cilat vendimet e huaja mund të zbatohen, faktikisht ka çuar në miratimin e disa kushteve për zbatim.

Njëri prej tyre dikton dhënien e vendimit nën vëzhgimin e plotë të parimeve themelore të Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut, sepse është e paimagjinueshme të pranohet rezultati i një gjykimi si i vlefshëm, nëse nuk përmban kërkesat elementare demokratike. Një tjetër kusht është që vepra penale, për të cilën një person është dënuar në shtetit e gjykimit duhet të jetë e dënueshme sipas ligjit të shtetit të kërkuar (çka sipas rastit ‘Frroku’ nuk ka dyshim se edhe në Belgjikë, edhe në Shqipëri është e ndëshkueshme).

Gjithashtu, sipas parashikimeve të neneve 3 dhe 5 të Konventës për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale, kërkesa duhet të bëhet në mënyrë të vlefshme nga shteti i gjykimit.

     Kurse për vendimet e marra në mungesë (si në rastin ‘Frroku’ më 2010 në Bruksel), Konventa parashikon trajtim të veçantë të përbashkët; oponencën (kërkesë për të rihapur gjykimin) parashtruar në shtetin e kërkuar dhe pastaj të vendoset qoftë në shtetin e kërkuar, qoftë në atë kërkues, përputhshëm me të gjitha mjetet proceduriale të brendshme. Kështu, nuk është e nevojshme të pritet deri sa mjetet e brendshme të jenë shterur dhe gjykimi të jetë bërë i ekzekutueshëm.

Pavarësisht mundësive të ankimit nga personi i dënuar, gjykimi zbatohet në bazë të dispozitave të nenit 5 të Konventës, dhe-siç theksohet në Raportin shpjegues të saj-implementimi i këtij sistemi të garancive të së drejtës së ankimit për personin e dënuar në mungesë, nuk do të quhej i tillë, nëse nuk do t’i garantohej të dënuarit mundësia për të marrë pjesë në rigjykim.

     Mund të lindë pyetja: Po në rastin ’Frroku’, kur Shqipëria nuk ka enede një marrëveshje ekstradimi me Shtetin Belg, si mund të veprohet? Duke parë më gjerë zbatueshmërinë e një vendimi të huaj dhe duke u përqendruar jo vetëm në kuadrin institucional të problematikës që paraqet ky rast, vlen të theksohet fakti se praktika e gjykatave (edhe të atyre shqiptare) ka evoluar në drejtim të njohjes së vendimeve penale dhe në atë të konvertimit të masës së dënimit të dhënë nga gjykata e huaj.

Për të qendruar në juridiskionin tonë, problemet mund të zgjidhen nëpërmjet mënyrës së kuptimit dhe zbatimit të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, që rregullojnë njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Këtu mund të përmenden disa vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë gjatë viteve 2002, 2003 etj.   

     Sidoqoftë, në rrethanat që paraqitet Rasti ‘Frroku’ në lidhje me një vendim penal të huaj dhe një urdhër arresti nga Shteti Belg, procedurat që mund të ndiqen duhet t’i nënshtrohen atyre të parashikuara në Konventën Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale, por edhe në ligjin nr. 8498, datë 10.6.1999 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës ‘Për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Fushën Penale’”, si edhe në Protokollin Shtesë të saj, ndryshuar me ligjin nr. 9539, datë 22.5.2006 etj, që trajtojnë më gjerë fushat e bashkëpunimit dhe modalitetet respektive. Këto procedura, sigurisht që janë reflektuar edhe në Kodin e Procedurës Penale të RSH.

     Megjithëse, për të shkruar këtë Koment të një formati gazetaresku nuk mund t’u hidhnim veçse një vështrim të shkurtër përmbajtjes së Konventës Evropiane dhe dispozitave të akteve të tjera normative, që lidhen me trajtimin e Rastit ‘Frroku’, ndoshta edhe me kaq qartësohet deri diku, se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë i detyruar t’i japë autorizimin e kërkuar Prokurorit të Përgjithshë dhe, ndërkohë, segmente të ndryshme të politikës (në Parlament apo jashtë tij) të mos kenë akses për t’i dhënë këtij Rasti ngjyrime emotive, të errëta apo nihiliste, siç u dëgjuan javën e kaluar thirrje të tilla, si: “Parlamenti ra!” etj.

Tani, çdo gjë nuk ka të bëjë me preferenca vetjake apo grupore, as me deklarata të përgjithshme të avokatëve mbrojtës, por thjesht me zbatimin e ligjeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, që vetë ky Kuvend i ka miratuar dhe ratifikuar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë