Politika uron besimtarët myslimanë, Yuri Kim në shqip: Sjelltë shpresë, besim dhe gëzim për ju e familjet tuaja! Rama: Gëzuar Kurban Bajramin

Politika shqiptare ka uruar festën e shenjtë të besimtarëve myslimanë, Kurban Bajramin. Urimet kanë nisur mbrëmjen e djeshme me presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili me anë të një postimi ka shkruar se Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë.

Më pas ka uruar edhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Gjithashtu pjesë e urimeve për këtë festë të shenjtë të simbolit të sakrificës është bërë edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, e cila ka uruar në gjuhën shqipe. KursekKryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me një foto mëngjesin e sotëm me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Basha vizion familjen e patriotit Sherif Osman Langu për Kurban Bajram:  Zoti na e ndriçoftë rrugën e lehtësoftë vuajtjet e çdo shqiptari

Kreu i PD-së Lulzim Basha në ditën e Kurban Bajramit vizitoi familjen e patriotit, luftëtarit dhe klerikut të shquar Sherif Osman Langu. Kreu i opozitës, bashkë me familjarët e klerikut që ia kushtoi jetën çështjes shqiptare dhe besimit në Zot, e kujtuan firmëtarin e Pavarësisë si një luftëtar të paepur për çlirimin e trojeve shqiptare në fillimin e shekullit të XX. Si kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në vitet e para pas çlirimit, ai u burgos dhe ndërroi jetë pa e parë Shqipërinë të lirë nga regjimi famëkeq.

Kujtimi i tij dhe i atdhetarëve të tjerë shqiptarë që u sakrifikuan me vetëmohim për një Shqipëri të lirë për lirinë e besimit në Zot, për një Shqipëri demokratike e të zhvilluar do të mbetet gjatë në memorien tonë historike dhe është dritë orientuese për të bërë më të mirën për vendin dhe kombin. Sakrifica që bënë dje këta patriotë të shquar solli frytet e lirisë që jetojmë ne sot, sakrifica jonë është ogur i bardhë për ditë më të mira për fëmijët tanë. Zoti na e ndriçoftë rrugën dhe lehtësoftë vuajtjet e çdo shqiptari!”,  tha Basha.

Ora 14:02
Cakaj uron Kurban Bajramin: Ditë e faljes, sakrificës dhe e dashurisë, burim frymëzimi për të gjithë ne

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Ministri thekson se ky bajram është pak më ndryshe për shkak të pandemisë. Sipas tij, nevoja e kujdesit për njëri-tjetrin sot na detyron të respektojmë çdo rregull të institucioneve shëndetësore.

“Le të jetë kjo ditë e faljes, sakrificës dhe e dashurisë, burim frymëzimi për të gjithë ne, për të pastruar zemrat tona e bërë vepra të mira. Sidoqoftë, kjo nuk e zhbën asesi domosdoshmërinë e përafrimit të zemrave mes njerëzve, lartësimit shpirtëror të myslimanëve dhe adhurimin e pakushtëzuar e të përulur ndaj Zotit”, shprehet ai.

Ministri Cakaj i shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë.

Ora 11:25
Kryemadhi uron Kurban Bajramin: Shëndet e begati për gjithë familjet shqiptare

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar Kurban Bajramin shqiptarëve që të kenë sa më shumë paqe dhe begati në familjet e tyre. Kryemadhi shprehet se kjo ditë rrit besimin tek e ardhmja edhe pse vendi po përballet me vështirësi ekonomike dhe sociale.

"Për të gjithë motrat dhe vëllezërit myslimanë që sot festojnë, gëzuar Kurban Bajramin! Shëndet, paqe dhe begati për gjithë familjet shqiptare dhe Shqipërinë, shtëpinë tonë të përbashkët. Edhe në këto ditë përballje me vështirësi ekonomike dhe sociale, nuk duhet të rreshtim së besuari tek ardhmja plot shpresë nëse bëjmë akte të mira të frymëzuara tek besimi dhe harmonia me njëri-tjetrin", shkruan Kryemadhi.

Ora 09:11
Kryeministri Rama uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Kurban Bajramin

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me një foto mëngjesin e sotëm me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në foton e publikuar me shkrimet e librit të shenjtë të besimit islam, Kuranit shkruhet "Gëzuar Kurban Bajramin".

Ora 08:58
Ruçi: Me kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, jeta e lumturia do të triumfojnë mbi pandeminë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar besimtarët myslimanë dhe qytetarëve shqiptarë me një mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai nuk lë pa përmendur që edhe këtë festë fetare besimtarët i gjeti nën pushtetin e COVID-it. Ruçi shprehet se me kujdesin e të gjithëve dhe me ndihmën e besimit, jeta e lumturia do të triumfojnë mbi pandeminë.

“Sot është festa e Kurban Bajramit. Besimtarëve myslimanë, në Shqipëri dhe në Diasporë, u uroj Gëzuar festën e bukur të Kurban Bajramit. Gëzimi i festës i gjen Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si gjithë besimtarët myslimanë, nën ankthin e rrezikut të pandemisë së koronavirusit. Por unë, ashtu si të gjithë ju, vëllezër besimtarë dhe qytetarë shqiptarë, kudo ku jetoni, jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin; shpresa do ta mposhtë frikën; drita do të ndriçojë mbi errësirën; qartësia do të shpërndajë mjegullat e sëmundjeve dhe trishtimit; ëmbëlsia e festës do të shijojë përmbi hidhërimin që shkakton pandemia; e mira do të përzërë të keqen nga jeta dhe vatrat familjare të çdo besimtari e shqiptari; lumturia do të tresë dhimbjen, dyert e shkollave e universiteteve do të rihapen dhe do të mbushen me zërat gazmorë të nxënësve e studentëve; prindërit do të çlirohen nga meraku njerëzor për fëmijët, të moshuarit do të rikthehen në jetën e tyre të qetë; bizneset do të kthehen në prodhimin dhe shërbimet me kapacitetet  e tyre të plota; përqafimi do t’i zejë vendin distancës e veçimit; gjallëria do të zëvendësojë pezmatimin  dhe jeta do të triumfojë mbi rrezikun pandemik. Gjej rastin të shprehë mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për besimtarët myslimanë dhe të gjitha komunitetet fetare për solidaritetin dhe humanizmin që treguan e po tregojnë gjatë pandemisë”, shkruan Ruçi.

Ora 08:56
Ambasadorja e SHBA-së uron besimtarët myslimanë në shqip: Sjelltë shpresë e gëzim për ju e familjet tuaja

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në gjuhën shqipe për festën e Kurban Bajramit. Ajo uron që për të gjithë besimtarët kjo festë të sjellë shpresë gëzim ta e familjet e tyre.

"Gëzuar festën e Kurban Bajramit! Sjelltë shpresë, besim dhe gëzim për ju dhe familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin për të gjithë miqtë që e festojnë", shkruan Kim në Twitter.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Boli: 02/08/2020 00:30

    NA URON HAJDUTJA ME HAJDUTIN QE KA PER BURRE,,,SI NUK KANE TURP KETA PALACO NUK E KUPTOJ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë