VARSHAVË (Poloni), 5 dhjetor /ATSH-AFP/ - Rusia, që më 24 nëntor arriti një marrëveshje partneriteti me Abkazinë, përgatitet të nënshkruajë një të ngjashme me një tjetër republikë separatiste gjeorgjiane, Osetinë e Jugut, konfirmoi sot në Varshavë presidenti gjeorgjian, Guiorgui Margvelachvili.
Ai dënoi këtë "zhvillim dashakeqës dhe të papranueshëm", ku ai sapo u informua, në fillim të një konference në Institutin polak të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në kuadrin e vizitës së tij në Poloni.
Tbilisi, që konsideron Abkazinë dhe Osetinë e Jugut si pjesë përbërëse të Gjeorgjisë, vlerëson se këto janë territore të pushtuara.
Nënshkrimi i mundshëm në fillim të vitit të ardhshëm të një marrëveshje aleance mes Osetisë së Jugut dhe Rusisë u përmend muajin e kaluar nga presidenti i parlamentit të Osetisë, Anatoli Bibilov.
Rusia njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut në përfundim të një lufte të shkurtër që e kundërvuri me Gjeorgjinë në gusht 2008. Ajo njohu njëkohësisht edhe atë të Abkazisë, territor kufitar me Rusinë, në brigjet e Detit të Zi, që kishte deklaruar pavarësinë dhe zhvilloi një luftë me forcat gjeorgjiane në fillim të viteve 1990.
Marrëdhëniet diplomatike mes Moskës dhe Tbilisit u ndërprenë menjëherë pas ngjarjeve të vitit 2008.
Marrëveshja mes Rusisë dhe Abkazisë parashikon një bashkëpunim më të ngushtë në çështjet sociale, ekonomike dhe humanitare, si dhe mbi çështjet e politikës së jashtme, mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij abkaz, Raoul Khadjimba, në Soçi, qytet në brigjet e Detit të Zi./
/G.S/









