Populli im nuk është as homofob, as racist!

Populli im nuk është as homofob, as racist!

Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, dy vajza dhe nje familje

Një nga çmimet më të vërteta dhe të rëndësishme që na është dhënë si gazetarë të Report Tv dhe Shqiptarja.com është ai i mediave miqësore të komunitetit LGBT. E kemi vlerësuar pasi mendojmë se mbrojtja dhe pasqyrimi i aktiviteteve të një komuniteti të sulmuar, torturuar, mohuar, është detyrë qytetare. Në një raportim të fundit të një prej gazetareve tona, ku intervistoheshin dy vajza të Tiranës që duan të kurorëzojnë dashurinë e tyre, komentet nëpër media sociale ishin të pamëshirshme: Kërcenime me jetë dhe shprehje të tmerrshme që është e vështirë edhe të shkohen nëpërmend se mund të shkruhen nga njerëz të vendit tim. Por në fakt, ato qindra komente, nuk janë asgjë në krahasim me qindramijëra shqiptarë që nuk komentojnë, që ndoshta nuk aprovojnë, por respektojnë natyrën dhe dinjitetin njerëzor.

Ja pra, unë mendoj se shqiptarët e mi janë ata qindra mijëra që neveriten me komentet e atyre pak qindrave që ofendojnë, shajnë, kërcënojnë, baltosin. Unë mendoj se shumica e shqiptarëve ka mësuar të njohë bukurinë njerëzore duke depërtuar nën ngjyrën e lëkurës së ndryshme, nën shijet seksuale të ndryshme, nën gjinitë e ndryshme, nën kombësitë e ndryshme e në të njëjtën kohë të dallojë shëmtinë përtej çdo guacke botoksi edhe të kryer nga kirurgu më i shtrenjtë e më i mirë në botë.

Mendoj se shumica e shqiptarëve dinë të dallojnë qartë pronografinë e një politike skandaloze, e një gazetarie skandaloze, e një letërsie skandaloze, e një shoqërie civile të pavërtetë nga ajo e vërtetë, që në të vërtetë, është poezi dhe humanizëm, siç mund të jetë dashuria, respekti dhe bashkëjetesa mes dy të rinjve e të rejave përtej gjinisë.

Liria për të dashuruar, edhe mes njerëzve të të njëjtës gjini, është një liri e fituar përmes shekujsh lufte të drejtash dhe kësaj lufte të vështirë i është bashkuar dhe vendi im.

Ashtu siç i është bashkuar një tjetër lufte njerëzore: Asaj të pranimit e të mikpritjes së të huajve, të njerëzve ndryshe nga ne për lëkurë, origjinë, besim.

Ndërkohë që në sheshet e Milanos, Romës, Athinës, Parisit, Londrës dëgjon të flitet shqip. Kur një kamarier, një mjek, një infermiere, një përgjegjëse salle, një lulishtar, ndërtues, hidraulik, shitës shërbejnë në shqip sot e 30 vite nëpër botë, në Shqipëri shqiptarët nuk habiten të shohin nëpër rrugë indianë, afganë, sirianë, bangladeshas etj. etj. Askush prej nesh nuk mund të sillet sikur të ketë hasur Ufo. Janë pak ata që mendojnë se ka “komplote” kombëtare dhe ndërkombëtare për “shpopullim të Shqipërisë” pasi jemi ne, ashtu si shumë popuj të tjerë përpara nesh që kemi shpopulluar dhe populluar kënde të huaja në botë.

Shqiptarët sot nuk janë më si shpellarët e lashtë të lidhur me zinxhirë në Mitin e Shpellës së Platonit, që kujtonin se jeta e vërtetë është ajo e hijeve që flakët e zjarrit projektojnë në murin e shpellës.

Globalizmi ka përzier kufij, raca, shtete, ngjyra, botëkuptime. Njerëzit tani janë të informuar. Njerëzit dinë. Shumë prej nesh janë të sigurtë se çështja nuk është se indianë e afganë “do të na pushtojnë”; por, a do të na begenisin indianë, afganë, afrikanë, aziatikë të qëndrojnë e të punojnë vërtetë në vendin tonë? A do të na zgjedhin ata si atdheun e tyre të dytë siç shumë prej nesh kanë zgjedhur një atdhe tjetër ku jetojnë, punojnë, dashurojnë?

Në të famshmen “Rinascente” të Milanos një djalë shqiptar, dukshëm e deklarueshëm gay, u shërben me mirësjellje të admirueshme klientëve. Është super i talentuar dhe i kërkuar për të bërë makiazh. Në të njëjtën Rinascente, bashkëshortja e një politikani shqiptar po blen në një nga dyqanet më të shtrenjta, ku një çantë, një bluzë, një fustan, një palë syze kushtojnë disafish rroga e tij dhe e saj, të dy të punësuar në administratë. Kush është më morale apo imorale?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës