Popullsia  ka nisur plakjen, në
2027, vdekjet do kalojnë lindjet

Popullsia  ka nisur plakjen, në<br />2027, vdekjet do kalojnë lindjet
TIRANE- Popullsia shqiptare ka nisur procesin e plakjes. Pas 13 vjetësh, me tendencën aktuale, numri i vdekjeve do të kapërcejë atë të lindjeve në vend. Instituti i Statistikave publikoi dje serinë e studimeve analitike e shkencore mbi rezultatet e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011 në Shqipëri, gjatë konferencës “Analiza e të dhënave të Censusit dhe përdorimi i tyre”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. 11 studime, produkt i INSTAT-it, në bashkëpunim me ekspertët e Asistencës Teknike të BE‐së, ekspertët e Universitetit të Gjenevës dhe Neuchatel-it, si dhe Institutin e Kërkimeve Urbane.

Ato ndihmojnë për të kuptuar zhvillimet e një dekade dhe për të dhënë një pamje reale të gjendjes së Shqipërisë nga pikëpamja demografike, gjeografike, ekonomike e shoqërore. Seria e studimeve përbën edhe një risi, pasi për herë të parë kryhet vlerësimi i cilësisë së të dhënave, si dhe vlerësimi i mbulimit të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011.
 
Politikat
Duke e marrë fjalën në këtë event, kryeministri Rama tha, ndër të tjera, se “një qeverisje që nuk bazohet tek statistikat reale për të ndërtuar politikat e veta, është një qeveri që drejton shtetin në një formë që shpeshherë sjell pasoja të pashërueshme për vite të tëra. Mjafton të shikojmë se çfarë i bëri shtetit fqinj vendosja e statistikave në funksion të verbimit nga ana e pushtetit të shtetit, ku për vite të tëra kishin nxjerrë në dritë llogari qëllimisht të gabuara”.

Njëra nga gjetjet, se pas 10 vjetësh, pra në vitin 2024, sipas projeksioneve të popullsisë, prurjet e grupmoshës 15-19 vjeç në tregun e punës do të jenë më të vogla se sa daljet e grupmoshës 65-69 vjeç, flet qartësisht se gropa ekzistente sot, mes kontributeve e pensioneve, të cilat vitin e  kaluar kapin 430 milionë dollarë deficit dhe që nuk është aspak për arsye demografike, do të mund të thellohet në të ardhmen, pikërisht, për arsye demografike. E kjo është një arsye më shumë që reforma e pensioneve që ne tanimë e kemi të formësuar, të kryhet një orë e më parë, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, gjysmë milioni njerëz janë larguar nga Shqipëria në harkun kohor 2001-2011. Ky largim është zhvilluar jashtë vëmendjes së mediave dhe në mënyrë konstante, ditë pas dite. Dhe, padyshim, që edhe këtu ka shumë vend për të analizuar dhe për të diskutuar, shtoi ai.
 
Tendencat
Nga ana e tij, drejtori i INSTAT-it Gjergji Filipi tha se “bazuar në projeksionet e reja të popullsisë, në vitin 2027, pra vetëm 13 vjet nga tani, rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë numrin e lindjeve”. Zhvillimet në vend përgjatë periudhës 2001‐2011, kanë qenë të vrullshme, në shkallë të gjerë, dhe të paparashikueshme. Nga pikëpamja demografike, Shqipëria është sot një vend me popullsi më të vogël, e përqendruar në zonat urbane, me familje më të vogla dhe me lindshmëri më të ulët, shtoi ai më tej.

Një studim tjetër me vlerë është analizimi i të dhënave të popullsisë që lëviz nga vendbanimi i vet i zakonshëm për motive punësimi larg vendbanimit. Ky set të dhënash që hartohet për herë të parë në Shqipëri shpresojmë se do të ndihmojë në konceptimin e politikave të duhura në zhvillimin e infrastrukturës adekuate.
Instituti i Statistikave ka kryer edhe parashikimet për treguesit kryesorë demografikë të vendit përgjatë viteve të ardhshme.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç