Raporti që i ka dhënë Adem Grabovci Kadri Veselit për vizitën, vjeshtën e vitit të kaluar në Bruksel, është tipik për mënyrën se si vizitat e tyre në BE i kuptojnë politikanët nga Ballkani, si i zbukurojnë dhe krijojnë përshtypje tepër pozitive, duke harruar vërejtjet. Kështu në Kosovë, në Shqipëri dhe Serbi krijohen përshtypjet se “puna është mirë”, por pastaj mbesin, siç thotë populli, “me gishta në gojë”. Këtë javë do të marrim një dëshmi; s’ka status kandidati për Shqipërinë, nuk ka datë për Serbinë, as negociata për MSA me Kosovën, por “fjalë të mëdha” nuk do të mungojnë nga BE-ja Sado private të kenë qenë bisedat mes 5 zyrtarëve kryesorë të PDK-së, partisë në pushtet në Kosovë, të cilat kanë rrjedhur nga incizimet e hetuesve të EULEX-it, kanë zgjuar kureshtje të madhe jo vetëm në Kosovë. Madje edhe në Bruksel diplomatë të cilët merren me Ballkanin pranojnë se do të dëshironin ta kuptonin shqipen dhe të ndienin origjinalitetin e mënyrës se si flasin mes vete ata që kanë në dorë marrjen e vendimeve kryesore në emër të popullit të Kosovës.

Raportet që u vijnë nga të dërguarit e tyre në Kosovë, në të cilat shkruan se "mediat kanë botuar biseda telefonike në të cilat disa liderë të partisë së kryeministrit Thaçi dëgjohen duke shkëmbyer fyerjet në llogari të kryetarit të Parlamentit" nuk i përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme këto biseda. Edhe kur nga delegacioni i BE-së në Tiranë kishte ardhur një raport ku thuhej se kryeministri Berisha dhe shefi i opozitës, Rama, "kanë shkëmbyer fyerje përmes deklaratave publike" , në anglishte "exchange of insults", në Bruksel nuk e kishin kuptuar aq seriozisht. Vetëm kur dikush ua kishte përkthyer fjalë për fjalë fyerjet personale që publikisht i kishte shprehur në llogari të Ramës numri një i Qeverisë në Shqipëri, disa zyrtarë të BE-së ishin shokuar me nivelin e perversitetit të këtyre sharjeve.
Krejt këto sharje dhe fjalori pervers që raportohet të përdoret në Shqipëri e Kosovë, e për Serbi e kanë ditur edhe më parë se janë "shumë të talentuar" për fjalorë të tillë, ka habitur shumë zyrtarë ndërkombëtarë. Ato nuk përputhen me "rekomandimet" që u jepen shpesh zyrtarëve perëndimorë para se të shkojnë në misione diplomatike apo të llojeve të tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Atyre shpesh "konsulentë" të ndryshëm u mbajnë ligjërata dhe u thonë se "posaçërisht të kenë parasysh se shoqëria shqiptare është shumë tradicionale, u kushtojnë kujdes të veçantë vlerave kombëtare dhe familjes". Natyrisht, u thuhet se "nuk bën kurrsesi të ofendohen etniciteti dhe familja".

Çka nuk i tha Ademi Kadrisë?
Nuk dihet kush i ka lëshuar në opinion bisedat e regjistruara nga EULEX-i, por duket se ai sikur të kishte pasur qëllim që të demantonte të gjitha stereotipat për "vlerat tradicionale kombëtare dhe familjare". Aty liderët me imazh të lartë patriotik dëgjohen të përmendin "Shqipërinë dhe Serbinë" si të njëjta, të cilat "nuk po u bëjnë lezet". Dëgjohen sharje të anëtarëve të familjes. Por në anën tjetër, aty ku përmendet Brukseli dhe BE-ja dëgjohen ekzagjerime. Së paku nuk dëgjohen sharje në adresë të dikujt në Bruksel.
Brukseli, për çudi, më së shumti përmendet në një raport që për vizitën në kryeqytetin evropian lideri i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i jep përmes telefonit Kadri Veselit, për të cilin nuk e dimë se në cilën cilësi ishte në momentin e bisedës. Kryetari i Qeverisë, Thaçi, duket qartë se nuk ishte i interesuar për kurrfarë raporti nga Brukseli ("po çfarë raporti, veç ti ishalla s'ki hjek keq!) sepse ai gjithsesi nga dora e parë i ka të gjitha informatat se çfarë ndodh në Bruksel.

Kadri Veselit, Adem Grabovci i raporton saktësisht për vizitën dhe bisedat në Parlamentin Evropian. Vërtetësinë e asaj që ka thënë Grabovci na e kanë konfirmuar disa "bosa" të përmendur në bisedë. Atje vërtet delegacioni nga Kosova me "sh.., shkali etj" ka qenë domethënës dhe gjithëpërfshirës dhe ka lënë përshtypje të mira. Na kanë konfirmuar vërtet se Grabovci, sikur edhe të tjerët, kanë tërhequr vërejtjen se duhet sa më parë të nisë dialogu i vizave dhe që qytetarët e Kosovës të mos kenë nevojë të marrin pasaporta të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë. Kanë vërtetuar edhe se nga bashkëbiseduesit në Parlament janë dhënë "fjalë të forta" se ata do të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre që të ndihmojnë Kosovën në dialogun e vizave.

Por na kanë thënë se Grabovci nuk e ka përcjellë në këtë bisedë me Kadri Veselin një prej porosive kryesore të cilën ua ka thënë një prej "bosave". "Thoni shefave tuaj në Kosovë kur të ktheheni: mos vidhni më vota kurrë", ka qenë ajo porosia të cilën nuk e ka përcjellë Adem Grabovci, ose e kanë lënë për ta përcjellë në stilin "hajt se kur të shihemi janë edhe disa sene...".

Raporti që ia ka dhënë Adem Grabovci Kadri Veselit për vizitën, vjeshtën e vitit të kaluar në Bruksel, është tipik për mënyrën se si vizitat e tyre në BE i kuptojnë politikanët nga Ballkani, si i zbukurojnë dhe krijojnë përshtypje tepër pozitive, duke harruar vërejtjet. Kështu në Kosovë, në Shqipëri dhe në Serbi krijohen përshtypjet se "puna është mirë", por pastaj mbesin, siç thotë populli, "me gishta në gojë". Këtë javë do të marrim një dëshmi, s'ka status për Shqipërinë, s'ka datë për Serbinë, s'ka negociata për MSA me Kosovën, por "fjalë të mëdha" nuk do të mungojnë nga BE-ja. Siç do të shihet në konkluzionet, të cilat nesër do të miratohen në takimin e ministrave të BE-së në Bruksel, gjithçka që do të thuhet do të jetë një lloj fjalësh. Do të ketë shumë "përshëndetje dhe urime", do të ketë edhe "mirëpritje" dhe përmendje të "progresit", sidomos rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk do të ketë as edhe një vendim të vetëm konkret. Edhe premtimet dhe inkurajimet do të jenë përsëri në firmën e kushtëzuar. Pra, Kosova do të marrë një porosi që të vazhdojë dialogun me Serbinë, por të mos harrojë se ka edhe kushte të tjera që duhet t'i përmbushë nëse do të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Në variantin më të mirë do të marrë porosi se, nëse i përmbush kushtet, vendimin për nisjen e negociatave për MSA mund ta marrin në muajin qershor të vitit që vjen. Për viza nuk do të ketë asgjë, përpos rikujtimit se "ky është një proces i rëndësishëm".

Edhe në të ardhmen në Bruksel do t'ju "presin mirë"!

Dhe Kosova duhet të jetë e kënaqur se nuk do të përmendet asgjë tjetër për vizat, sepse në këtë kohë kur skandalet në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë të ndalur, e pikërisht mbi këtë ministri bie barra e përmbushjes së kritereve strikte për liberalizim vizash, po të thuhej diçka, atëherë do të mund të ishte më shumë negative sesa pozitive për Kosovën.
Brukseli nuk shan, por e ka një gjuhë jo të lehtë për t'u kuptuar. Garanci nuk jep, pos kur të blini ndonjë televizor në dyqan. Japin "sinjale pozitive", por të tilla që të mos e obligojnë shumë Brukselin. Por mysafirët gjithmonë i presin mirë, sidomos kur delegacionet vijnë në formacione shumetnike.

Grabovci nuk ka faj pse e ka krijuar një përshtypje tepër pozitive se "bosat" e Brukselit do të na ndihmojnë për të avancuar sa më shpejt drejt liberalizimit të vizave. Problemi është se ai nuk e ka kuptuar se ata nuk janë "bosa". Janë të rëndësishëm, por "bosa" nuk janë. Sikur Doris Pack, Ulrike Lunacek, Eduard Kukan, Tanja Fajon dhe deputetët e tjerë të cilët e kishin takuar delegacionin më domethënës nga Kosova të ishin "bosa", dhe të kishin fuqinë vendimmarrëse, Kosova qëmoti do të ishte njohur nga të gjitha vendet e BE-së, ndërsa qytetarët e Kosovës qysh para dy vjetësh do të kishin mundësinë të udhëtonin pa viza në shtetet e BE-së.

Madje për këtë çështje të liberalizimit të vizave, sikur edhe për vendimet për të nisur procesi formal i integrimit të Kosovës në BE. Ndër "bosat" nuk hyn as baronesha Ashton, e cila po ndërmjetëson në dialogun mes kryeministrit të Kosovës, Thaçi, dhe homologut të tij nga Serbia, Daçiq. Vendimet për këtë merren nëpërmjet një sistemi shumë më të komplikuar. Për këtë sot nuk po realizohen premtimet e kryeministrit Thaçi se viti 2012 do të jetë vit i liberalizimit të vizave, e as premtimet se këtë vit "Kosova do të niset në rrugë të pakthyeshme drejt BE-së". Si për vizat, si për Marrëveshjen MSA, Kosova vazhdon të jetë afër stacionit të trenit, pa ardhur ende as në stacionin ku mund të hyjnë në atë tren të integrimeve. E deri atëherë ne mund t'ia bëjmë qejfin vetes dhe të jemi të lumtur se në Bruksel "po na presin mirë".

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)