Në diskutimin për projektligjin e “Portës së Alpeve”, paketa e huasë prej 100 milionë eurosh e dedikuar për qarkun e Shkodrës, deputetja e PD për Shkodrën, Greta Bardeli, pyeti cila është garancia që ky projekt s’do të jetë thjesht propagandë e kosto fiskale ndërsa kërkoi transparencë.

Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se i duket e çuditshme që një pyetje e tillë vjen nga një deputete e qarkut, e cila duhet të jetë krenare për paketën.

“Më duket e çuditshme. Ju znj. deputete duhet të jeni e para që ta mbështesni këtë masë. Ky projekt shkon ekskluzivisht për qarkun e Shkodrës. Kjo masë investimi dhe planifikimi për qarkun e Shkodrës ka të bëjë me masa infrastrukturore, por jo vetëm, për ndërlidhjen e qarkut të Shkodrës dhe Alpeve. Është një paketë 100 milionë euro për qarkun e Shkodrës dhe ti duhet të jesh krenare. Ju thjesht nuk e doni këtë projekt dhe e përdorni thjesht për politikë. Nëse s’jeni dakord, s’ka problem, këto investime do të vijnë”, tha ministri.

Kërkesës së Eno Bozdos që të “rendiste vendet që do të përfitojnë nga paketa pa parë celularin” duke shtuar më pas se një marrëveshje e tillë ndikon te borxhi publik, Karakaçi iu përgjigj:

“Të garantoj që s’kam nevojë për celularin për ta parë. Sugjeroj që ai që është dashamirës për qarkun e Shkodrës ta votojë. Ke kaluar me dhjetëra marrëveshje huaje, tani ngre çështjen e borxhit publik”, tha Karakaçi.

Pyetjes së Ina Zhupës pse Ministria e Turizmit nuk është në dijeni, Karakaçi tha se institucioni nuk merret me specifikimin e projekteve. Më tej, ajo tha se “Porta e Alpeve” ka lidhje me “Paketën e Maleve.”

“Është e lidhur 100% me Paketën e Maleve sepse i keni lënë projektet e hapura që aty të shtrini investimet publike të rrugëve apo nevojave të tjera”, tha Zhupa.

Karakaçi mohoi lidhjen mes dy investimeve, ndërsa ritheksoi se një paketë e tillë duhet të ishte miratuar më parë.

“Paketa e Maleve ka të bëjë me investime private, këtu kemi të bëjmë me investime publike. Do bëj maksimumin si shkodran që këto investime të bëhen sa më shpejt për qarkun e Shkodrës”, tha Karakaçi.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
‘Porta e Alpeve’, Balla-opozitës: Lërini urdhrat e partisë dhe shërbejini Shkodrës

1779371116_balla.jpg

Duke sjellë si statistikë 1.3 miliardë euro të investuara gjatë qeverisjes së Ramës vetëm në qarkun e Shkodrës, Taulant Balla i tha opozitës ta votojnë projektligjin për “Portën e Alpeve.” Ndër të tjera, ai kujtoi edhe kalimin e IBAR-it duke u shprehur se është një lajm i mirë për Shqipërinë, ndonëse shumë prej opozitës shpresonin të kundërtën.

“Ne nuk krahasohemi asnjëherë me ju, kurrë, sepse ne krahasohemi veç me veten tonë. Mjaftuan këto 3 vite të para që Shkodra i dha PS për të vërtetuar sesi ishte marrë peng ajo bashki. Kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë, për investime të kësaj natyre, duhet që t’i bëjmë së bashku. Mendoj që financimi për të cilin flasim siguron jo vetëm burime financiare të favorshme, por ka edhe standarde më të larta transparence. Ftesa është që lërini urdhrat e partisë, shërbejini Shkodrës, Shqipërisë, votojeni këtë marrëveshje. E di që shumë prej jush prisnit që grupi i punës për zgjerimin, COELA mos ta kalonte sot raportin e Piketave të Ndërmjetme, e kaluan, por ky është lajm i mirë për Shqipërinë. Këtu kanë të gjithë kontributet e tyre. Kemi shumë punë përpara”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.

Ora 15:46
Berisha: Nuk ka ndodhur në 35 vite që kryeministri të mungojë kaq shumë në Kuvend

1779371808_thaberishaaaaaa.JPG

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi kryeministrin Edi Rama nga foltorja e Kuvendit për mosparaqitjen e tij në parlament dhe mosrespektimin e kërkesave të opozitës për interpelanca.

"Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite: kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga vetja e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve për krimet e rënda, për problematika madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë, shqiptarët rrokullisen çdo muaj e më shumë në varfëri.

Pse nuk vjen? Sepse mali i fakteve dhe dokumenteve e “gripos” atë. Sepse ai vetë është kreu i sistemit korruptiv. Dhe sepse aferat e tij korruptive nuk lejohen të hetohen. Ku është djegësi i Tiranës, 130 milionë euro? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza, 120 milionë euro kredi japoneze?

Si kujton se nuk do të ketë skepticizëm dhe mosbesim maksimal? Shikoni treguesit e investimeve, realizimit: 5%, ndër më të ultit në botë. Ku shkojnë të tjerat? Vidhen. Në 15 projekte, vetëm 1 realizohet",- tha Berisha ndër të tjera.