Në rendin e ditës së seancës së sotme plenare, ishin parashikuar zhvillimi i 10 interpelancave. Tre prej tyre, me kryeministrin Rama dhe ministrin Lamallari janë shtyrë.
Për ministren e Shëndetësisë Evis Sala janë 2 interpelanca të thirrura nga deputetët Sajmir Korreshi dhe Erisa Xhixho si dhe një pyetje-përgjigje nga deputeti Erald Kapri.
Me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçin, ka kërkuar 2 interpelanca socialisti Erion Braçe. Një interpelancë për për cilësinë e materialeve të ndërtimit, posaçërisht për fasada dhe instalime të brendshme në godina banimi, dhe një interpelancë tjetër për statusin aktual të projektit "Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe" financuar përmes marrëveshjes së huasë me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të nënshkruar në vitin 2008.
Një interpelancë është kërkuar nga ligjvënësit Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron, përballje kërkon deputetja Ina Zhupa.
Ndërsa me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, interpelanca kërkohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, për emigracionin ilegal dhe trafikut të qenieve njerëzore gjatë dy viteve të fundit në vend, dhe masat konkrete të marra për forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është dhe miratimi i ndryshimeve të rregullores së Kuvendit, për të cilën opozita dhe mazhoranca kanë gjetur ‘të mesmen e artë’ e kanë rënë dakord për ta votuar. Ndryshimet në rregullore kanë marrë 'ok' në Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.
Lajmi në përditësim...

Jashtë Kuvendit, Taulant Balla tha se nesër raporti i piketave të ndërmjetme do të kalojë te Komiteti i Përfaqësuesve, ndërsa javën e ardhshme vjen Konferenca Ndërqeveritare, zhvillime kyçe për procesin e integrimit. Balla tha se Gjermania e ka vlerësuar Shqipërinë si model për reformën në drejtësi, vettingun dhe luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.
Sa për propozimin e anëtarësimit gradual në BE, Balla tha se kjo nuk është në dëm të vendit. Ai tha se qëndron ambicia për mbylljen e negociatave deri në fund të 2027, ndërsa ratifikimi është proces që varet nga vendet anëtare të BE.
“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshirë në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme.
U identifikuan më shumë se 92 hendeqe që duheshin adresuar dhe ‘Themeloret’ në historinë e BE janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin nga Gjermania, thuhet që Shqipëria me reformën në drejtësi, vettingun, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një model për vendet e tjera që aspirojnë. Kjo javë e rëndësishme përmbyllet nesër me Komitetin e Përfaësuesve dhe javën tjetër me Konferencën Ndërqeveritare. Palët politike duhet të kuptojnë këtë moment që lidhet me një qasje të re nga vendet anëtare të BE.
Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar. Ajo që propozon kancelari gjerman ka të bëjë me ratifikimin. Në fund të 2027, mbyllen negociatat. Nga ai moment bëhet gati marrëveshja që shkon për t’u ratifikuar nga vendet anëtare. Nga ai moment, topi është në fushën e tyre. Procesi i ratifikimit është i gjatë, mund të kërkojë përfshirjen e parlamenteve dhe përfshirjen e popullit me referendum”, tha Balla.
Balla u zotua edhe për rolin e opozitës në procesin e integrimit.
“Do të bëj gjithçka që opozita të ketë hapësirën e vet. Në 17-18 qershor do të miratohet raporti në PE. Ndoshta do të ishte mirë që atë ditë të jemi një delegacion i përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Opozita dhe mazhoranca u përfshinë sërish në debate në Kuvend për negociatat. Deputetja e PD, Albana Vokshi hodhi akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu se ka shpërndarë informacion të pavërtetë për ecurinë e procesit në Bruksel dhe miratimin e IBAR, ndërsa ministri iu përgjigj duke akuzuar opozitën për “smirë politike” ndaj progresit të vendit.
Gogu tha se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet shqiptare kanë zhvilluar një punë intensive 18-mujore për përgatitjen e materialeve dhe rezultateve që janë dorëzuar në Bruksel. Ministri akuzoi opozitën se në vend që të njohë progresin e institucioneve shqiptare në rrugën europiane, zgjedh të prodhojë akuza politike, duke u thënë se janë e vetmja parti politike që shkojnë 36 vite mbrapa.
Albana Vokshi: Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja e COELA-s, ministri Gogu doli në konferencë për media dhe dha lajmin e mirë që raporti i piketave të ndërmjetme ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet, pa iu dridhur qerpiku, me çfarë pafytyrësie dhe paaftësie mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë? Nuk di ta them me çfarë kurajo mund të dalësh. Të paktën tre vende, ky është burim i sigurt, kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë, të cilin nuk e kanë miratuar dhe e kanë shtyrë të paktën deri të premten. Ministri Gogu, të paktën të kishte pritur për të premten për të dhënë atë lajm që të gjithë e presim. Ministri që shpërndan lajme të pavërteta për t’i dhënë Ramës një meritë që nuk e meriton, si mundet të mashtrojë publikun? Të dalë dhe të kërkojë falje e të thotë që ishte lajm i pavërtetë.
Toni Gogu: Ka qenë një 18 muajsh impenjativ, ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8 mijë faqe, 90 takime kanë ndodhur në Bruksel, 70 institucione janë koordinuar për të realizuar ato rezultate që po shqyrtohen nga grupi i punës. Gjatë kohës që shteti shqiptar punonte dhe çonte 8 mijë faqe, më vjen keq që ju keni artikuluar 8 mijë akuza të ngecjes së procesit. Si ka mundësi që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë, se jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni mbrapa. Shkoni 36 vite mbrapa dhe jeni i vetmi formacion shoqëror që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve europiane juve vini këtu dhe ngrini që sërë akuzash. Kjo ka të bëjë me smirën që ju bën juve të mos shihni progresin e Shqipërisë dhe i vetmi formacion shoqëror në Shqipëri që është mbërthyer 36 vite më parë dhe ngec atje në standardin e korrupsionit, ndërhyrjes në gjyqësor, në standardet e një shteti të kapur, jeni ju.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, përshëndeti propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate. Ajo tha se shpreson që qeveria të reflektojë dhe të ecë përpara duke lënë pas idenë e integrimit të pjesshëm (propozimi Rama-Vuçiç) pasi synimi është integrimi i plotë. Tabaku theksoi që me këtë propozim mos të ndiqet rruga e mëparshme që ka sjellë bllokimin e procesit të integrimit.
“Përshëndes propozimin për integrimin gradual. Kancelari Merz ka qenë i pari që ka filluar të elaborojë këto ide dhe janë shumë ndryshe nga integrimi i pjesshëm. Shqipëria s’ka asnjë ide tjetër përveç integrimit të plotë. Qëndrimi i Gjermanisë e reflekton këtë. Shpresoj që qeveria shqiptare të jetë në kohë për të reflektuar, për ta përdorur këtë moment të artë për të pasur vullnet politik për të ecur përpara sepse 5 muajt e fundit kanë qenë të njëjtat arsye që e vonuar për 10 vite dhe e shtynë për 5 të tjerë. Ky propozim që ka ardhur sot nga Gjermania për vendet e tjera anëtare të shihet si mundësi për të bërë reforma, për ta bërë këtë proces proritet kombëtar dhe mos të ndiqet e njëjta rrugë që është ndjekur në 10 vite me radhë dhe 5 muaj e fundit në të cilët ky proces ka mbetur i bllokuar”, përfundoi Tabaku.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa risolli në Kuvend zhvillimet e fundit në Sarandë ku kupola drejtuese e komisariatit u shkarkua e drejtuesit u arrestuan, për shkak se kishin marrë ryshfete e kishin lejuar ndërtimin pa leje të një biznesi, i dyshuar për lidhje me krimin. Zhupa thotë se shteti duhet të marrë masa për të parandaluar kriminalitetin në qytet.
“I gjithë Kuvendi e njeh gjendjen e rëndë kriminale në Sarandë. U arrestua shefi i komisariatit dhe disa të tjerë të komisariatit, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri bëjnë sikur nuk dinë asgjë. Ka qenë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në këtë sallë që ka thënë se kriminaliteti më i lartë është në Sarandë. Çfarë mase u mor? Asnjë masë. Ishte patronazhist i qeverisë.
Nëse nuk e dini, po ju informoj që Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa Policinë Bashkiake dhe IMT. Drejtori i Policisë Bashkiake është një i shkarkuar nga policia, i dënuar se ka marrë ryshfet nga trafikantët dhe është drejtor në Policinë Bashkiake.
Ti bie telefonit të IMT-së në Sarandë, nuk e hap askush sepse ka ikur në drejtim të paditur. Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz që ishin pjesë e grupit të strukturuar që merrnin ryshfete dhe e kanë kthyer Sarandën në skenë krimi”, tha Zhupa.

Deputeti Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e aktivistit Baki Goxhaj që ndodhej në flotiljen “Sumud” duke dërguar ndihma humanitare në Gaza para se të ndalohej nga izraelitët. Muçi tha se qeveria shqiptare po hesht, ndërkohë që vendet e tjera kanë kërkuar llogari nga ambasadorët izraelitë.
Deputeti kritikoi edhe vizitën e Ramës në Izrael të disa muajve më parë duke thënë se u përkul para Netanyahut që kërkohet për krime lufte. Muçi theksoi se qeveria duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj ambasadorëve dhe qeverisë izraelite.
“Dua të shtroj pyetjen sesi ka mundësi që qeveria shqiptare hesht ndërsa një shtetas shqiptar, Baki Goxhaj, është marrë peng në ujëra ndërkombëtare së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë duke çuar ndihma humanitare në Gaza. Ndërkohë, kryeministra të tjerë kanë thirrur ambasadorët izraelitë të vendeve përkatëse për të kërkuar llogari dhe kërkuar falje për qëndrimin dhe shfaqje të turpshme që ka dhënë shteti i tyre. Pse heshtim ne për faktin që një shtetas shqiptar është marrë nga regjimi gjenocidal dhe mbahet në kampe torturash? Pse nuk reagoni dhe çfarë do të ndodhte nëse do të merrej peng nga rusët? A do të nënshkruhej atëherë rezoluta për t’i shpallur shtete terroriste? A jeni krenarë që Rama shkoi në shtëpinë e Benjamin Netanyahut dhe u përkul para tij, para një njeriu që kërkohet për krime lufte dhe kundër njerëzimit? A ndiheni krenarë për këtë gjë? Nga kush keni frikë? Duhet t’i jemi mirënjohës Bakiut sepse është ai sot ambasador i vlerave shqiptare nëpër botë dhe askush më mirë se ai s’e përfaqëson më mirë Shqipërinë në këtë sallë. S’mjafton të kërkojmë me kortezi nga qeveria izraelite ç’po ndodh me të, por qeveria dhe ministri i jashëm duhet të thërrasë ambasadorin dhe ta vërë para përgjegjësisë”, tha Goxhaj.
2 Interpelancat e parashikuara në rend dite me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, do të shtyhen në një tjetër ditë për shkak të angazhimeve shtetërore të tyre.

Foto: Benet Beci
Sot në Parlament pritet të miratohet kredia për projektin “Porta e Alpeve”. Benet Beci në një postim në rrjetet sociale shprehet se ky program prej 100 milion eurosh përfaqeson një hap të madh përpara në vizionin tonë për ta kthyer Shkodrën në një rajon me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, turizëm në të gjitha stinët e vitit dhe standarde urbane europiane.
"Pas një periudhe të gjatë përgatitore, nisur që në dhjetor 2023, dhe me një punë shumë profesionale ,Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, kemi arritur të ndërtojmë një paketë projektesh transformuese që do të ndryshojnë mënyrën si lëvizim, jetojmë dhe zhvillojmë ekonominë dhe turizmin në rajonin tonë", shkruan Beci, teksa thekson se ndër projektet kryesore që do të financohen janë: Transformimi i bulevardit kryesore të Shkodrës; Përfundimi i korridorit rrugor Shkodër–Velipojë; Modernizimi i transportit urban; rruga për biçikletat prej mbi 80 kilometrash.
Beci thotë se këto projekte përfaqësojnë brezin e ri të investimeve strategjike për Shkodrën.
"Së bashku me investimet madhore që po realizohen aktualisht, ato do të kontribuojnë në transformimin e qytetit tonë në një qendër moderne europiane, Shkodra ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.
Dua të falënderoj Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe vemendjen ndaj Shkodrës si edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar përgjatë gjithë kësaj periudhe për ta çuar përpara këtë vizion zhvillimi", përfundon Beci.
Në Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet janë miratuar në miratim ndryshimet të dakordësuara në rregulloren e Parlamentit. Si rrallë herë, Partia Demokratike ka rënë në konsensus me qeverinë për ndryshimet e shumë debatuara në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshimet do të kalojnë për votim sot në seancën plenare.
Komente











Po mirë more të uruar të P.D.SH.sot Rama është në Tokio,apo duhet vallë t'ju çojmë dhe ju atje për interpelancë?
Përgjigju