Portali antikorrupsion (www.stopkorrupsionit.al) është diçka që duhet. Kjo nuk ka pikë diskutimi. Ekziston kudo në botë; kudo në botë ka linja telefonike ku denoncohet korrupsioni apo faqe të posaçme në internet. Ndaj është krejt i mirëpritur ky portal, sepse është një mjet më shumë në mbrojtje të qytetarit kundër korrupsionit që është ende masiv.

Krijimi i kanaleve për të shfryrë veprimtarinë korruptive është një akt pozitiv, megjithëse ka pasur kundërshtime të ndryshme. Për tetë vite me radhë ka funksionuar vetëm celulari i Kryeministrit. Ai zëvendësonte çfarëdolloj kanali zyrtar. Dhe shpesh ai celular zgjidhte problemet e qytetarëve, pa lënë ndonjë gjurmë të madhe kundër abuzuesve, megjithëse thuhej se kishte arrestime të punonjësve të administratës publike.

Por portali nuk mund të kthehet në celular personal të askujt. Kjo e dobëson shtetin, edhe pse mund të ndihmojë qytetarin. Ashtu sikurse ka sinjale se gjërat lëvizin në rast se portali aktivizohet, ashtu ka dhe raste kur portali nxitohet të godasë, thjesht sepse presioni shoqëror është shumë i madh.

Duke qenë se të gjithë njerëzit presin rezultate hic et nunc, pra i duan ato menjëherë, duke qenë se shumë plagë shoqërore janë të mahisura, duke qenë se shumë premtime elektorale është e pamundur të realizohen, të gjitha palët janë nervoze. Njëra palë kërkon rezultat me çdo kusht, pala tjetër që është populli kërkon ndryshim me çdo kusht.

Kjo tendosje nuk mund të sjellë vetëm gjëra të mira. Kjo mund të prodhojë dhe gabime. Rastet e para kur portali reagoi, më tepër krijuan problem se sa zgjidhën një të tillë. Bëhet fjalë për drejtoreshën dhe doktoreshën e shkarkuar për moskryerje detyre dhe korrupsion. Sforcimi gjithmonë ka sjellë të kundërtën e rezultatit.

Gjithsesi realizmi ndaj portalit gjithmonë do të sjellë rezultate. Nëse mbjellim në territor bimën e dyshimit, frytet pa diskutim që do jenë mohime. Po nëse mbjellim në publik një optimizëm të tepruar, se portali do na i zgjidhë problemet, përsëri jemi në gabim. Portali në vetvete duhet të mbjellë qetësi dhe kalkulim. Portali nuk duhet të përshpejtojë se dëmton jo vetëm vetveten, po dhe procesin. Bëhet fjalë për procesin e fitimit të besimit të publikut, një proces shumë i ngadaltë dhe shumë i cenueshëm.

Sepse të thuash të vërtetën, shpesh njerëzit tanë e kanë për zemër shkeljen dhe kundravajtjen, dhe shpesh e kuptojnë atë si një të drejtë legjitime. Pra, nëse je i varfër, automatikisht mund të vjedhësh energjinë elektrike, se të takon. Njeriu shqiptar i jep vetes të drejtë, mbi të drejtën. Jeta jonë është një koklavitje e vërtetë, si ato telat e varura nëpër shtylla gjithandej nëpër Tiranë (kanë filluar të priten këto fije).

Askush nuk mund t’i japë vetes të drejta që nuk i takojnë, por është detyrë e shtetit t’i shpërndajë të drejtat me peshore farmacie, në mënyrë që askush të mos përfitojë më shumë se sa të tjerët. Ose le të themi që shteti vetë nuk duhet të shesë interesat e qytetarëve te ca pak persona, që me një të kafshuar, kapërdijnë fatin e mijëra njerëzve. Sepse kjo në fakt është pasoja themelore e korrupsionit, të atij korrupsioni që qytetarët e bëjnë me dëshirë, ose të sforcuar, po që në fakt ushqen përbindëshin më të madh që ka sot ky vend mbi krye. Korrupsioni është përbindësh. Dhe nëse e ushqen, ai kthehet dhe të ha, sepse ajo çka dikush bën reflektohet diku. Dhe ky refleks cenon.

Pra, është në interes të qytetarit që të reagojë kundër korrupsionit. Është në interes të shtetit ta nxisë qytetarin të reagojë. Po jo vetëm kundër marrjes së ryshfetit, por edhe kundër abuzivizmit, kundër arrogancës së segmenteve të ndryshme të shtetit. Qofshin këto edhe në sistemin e drejtësisë. Ekzekutivi ka të drejtë të monitorojë punën e gjykatësve dhe të paraqesë në KLD shkeljet e ndryshme.

Prandaj duhen inkurajuar qytetarët që të denoncojnë. Prandaj duhet inkurajuar shoqëria civile që të kërkojë llogari nga portali dhe ata që e administrojnë lidhur me efikasitetin dhe marrjen në konsideratë të qytetarit. Kjo punë nuk mund të jetë ekskluzivitet i qeverisjes. Nëse duam mirëqeverisje dhe jo thjesht qeverisje, kërkohet më tepër pjesëmarrje, më tepër llogaridhënie, më tepër bashkëpunim. Pjesëmarrja e shoqërisë civile në monitorimin e portalit, do t’ia rrisë vlerën portalit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)