Prej ditësh, portali i familjes Berisha nxjerr copa shkrimesh nga media të ndryshme, për të treguar se si Rama ka “korruptuar” FBI-në.
Heqin copa shkrimesh e shtojnë të tjera nga vetja, për të frymëzuar njerëzit që të dalin në protestë.
Por, asnjë media e huaj, nuk ka nxjerrë ndonjë fakt, se Rama ka korruptuar FBI-në.
Ato ose japin opinione, ose citojnë zyrtarët e PD-së së Berishës, që thonë se Rama ka korruptuar FBI-në.
Portali i familjes Berisha e pranon edhe vetë këtë gjë, teksa këtë të premte shkruan se mediat amerikane citojnë Belind Këlliçin, për “korruptimin” e FBI nga Rama.
Me sa duket kanë dashur të mburren se citohen dhe nga mediat e mëdha, por kanë bërë gafën se kanë pranuar të vërtetën e këtyre shkrimeve, që bazohen pikërisht tek denoncimet e tyre, jo tek faktet e gjetura apo investiguara nga mediat e huaja, në këtë rast ato amerikane.
Shkruan portali i familjes Berisha:
Dy nga mediat më të mëdha në SHBA, raportojnë se Charles McGonigal u pagua nga kryeministri shqiptar, Edi Rama për të goditur opozitën.
Të dyja këto media citojnë kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.
“Ndërkohë sërish në Shqipëri, McGonigal nisi hetimet për rreth 12 kundërshtarë politikë të kryeministrit shqiptar, sipas Belind Këlliçit, një kundërshtar politik i kryeministrit. Hetimet mesa duket u përdorën për të bllokuar kundërshtarët e kryeministrit që të bëjnë biznes me SHBA, duke përfshirë edhe debankimin e tyre nga sistemi bankar i SHBA,” shkruan portali i të djathtës amerikane, Breitbart.
Këlliçi ka folur edhe për gazetën e njohur njujorkeze, ‘New York Post’.
“Pse e paguanin shqiptarët McGonigalin?
Sipas Belind Këlliçit, kandidati i Partisë Demokratike opozitare në Tiranë në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë, McGonigal hapi hetime të FBI-së për kundërshtarë politikë të kryeministrit socialist Rama, hetime të përdorura për t’i deklaruar persona non grata, që nuk mund të bënin biznes apo të hapnin llogari bankare në SHBA.
Rreth një duzinë politikanësh të opozitës apo njerëz nga biznesi që përkrahnin partitë opozitare u futën në “listën e zezë” të McGonigal.
Ajo përfshinte liderin e opozitës Sali Berisha, i cili u godit me statusin persona non-grata dhe u ndalua të hynte në SHBA me vendim të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken,” shkruan gazetarja Miranda Devine e ‘New York Post’./ Tema