Portieri, Berisha kërkon fitore
ndaj Lazios dhe beson te Botërori

Portieri, Berisha kërkon fitore<br />ndaj Lazios dhe beson te Botërori
Etrit Berisha, njeriu i momentit në radhët e Atalantës, do të rikthehet në stadiumin “Olimpico”, këtë herë si kundërshtar i Lazios sepse që prej fillimit të sezonit, gardiani kuqezi ka veshur fanellën e Atalantës.

Dy skuadrat ndahen nga vetëm dy pikë në klasifikim dhe kjo përballje merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për gardianin kuqezi, por edhe për dy klubet. Në prag të këtij dueli, numri 1 i portës bergamaske kartonin e të cilit vazhdon ta zotërojë Lazio vjen me një rrëfim të gjatë në gazetën më të madhe sportive të vendit fqinjë, “Gazzetta Dello Sport”. Fillimisht Berisha thekson se konkurrenca nuk e ka trembur asnjëherë. “Në këtë moment jam i bindur se jemi më të fortë se Lazio.

Në radhët e skuadrës bardhekaltër kam kaluar momente të bukura sepse ishte një eksperiencë që më ndihmoi të rritesha edhe si njeri. Në vitin e dytë dhe të tretë mendova se do të luaja më shumë sepse një portier duhet të luajë në vazhdimësi për t’u rritur”. Në vijim të intervistës, ai e pranon se pas mbërritjes në Itali hoqi dorë nga ekzekutimi i 11-metërshave, një specialitet që e perfeksionoi gjatë periudhës kur ishte pjesë e Kalmarit. Më pas, ndalet edhe tek modeli sportiv që ka ndjekur por edhe te hapat e parë të karrierës. “Kam ndjekur Van De Sar, një portier i gjatë, me reflekse, i shpejtë dhe i zoti me këmbët.

Gjithsesi, në moshën 8 vjeçare nisa të luaja si mbrojtës i majtë me skuadrën 2 Korriku, por më pas një portier mungoi në stërvitje dhe m’u desh të vendosesha në portë. Që nga ai moment nuk lëviza më”. Berisha pyetet nëse në mendjen e tij ka kaluar ideja për t’u bashkuar me Kosovën, por në këtë pikë ai është i qartë. “Jo sepse nuk bëj dallime, ndihem kosovar dhe shqiptar në të njëjtën kohë. Është e vërtetë që më ka ardhur një propozim edhe nga federata suedeze”. Gardiani shqiptar ndalet më pas te ecuria me kombëtaren dhe pengu i kartonit të kuq ndaj Izraelit që do ta detyrojë të mungojë në transfertën e Italisë.

“Kam një zemërim të brendshëm që nuk mund ta imagjinoni sepse e prisja këtë moment që kur u hodh shorti. Zahawi bëri një gjest teatral por herën tjetër do të mendohem dy herë përpara se të reagoj. Në këtë moment, shpresat e kualifikimit në botëror janë të pakta. Humbja ndaj Izraelit ishte e rëndë dhe na detyron të mendojmë për të mundur Italinë. Kujtimi më i bukur nga Europiani? Tifozët tanë që na mbështetën me krenari dhe pasion. Shumë njerëz erdhën edhe nga Kosova edhe pse gjithçka shkoi keq sepse me Zvicrën nuk e merituam humbjen ndërsa me Francën paguam mungesën e eksperiencës”.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Netanjahu: Marrim hak ndaj iranit, e kemi këtë të drejtë! Izraeli sulm në një xhami në Gaza, të paktën 21 të vrarë! Demonstrata për 7 tetorin

Netanjahu: Marrim hak ndaj iranit, e kemi këtë të drejtë! Izraeli sulm në një xhami në Gaza, të paktën 21 të vrarë! Demonstrata për 7 tetorin