Portret pa autorizim:
Aleksandri shqipta

Portret pa autorizim:<br />Aleksandri shqipta
Të kishte dëgjuar vallë nëna e tij japoneze për Aleksandrin e Madh? Apo kishte dëgjuar i jati nga Meksika? Apo në bazën ushtarake ku ai u ngjiz e u lind, gjeneralët e kishin ëndërr homologun e lashtësisë, që nuk humbi asnjë betejë. Për këtë, për origjinën e emrit të tij, Aleksandër (Alexandër) Arvizu ende nuk na ka thënë gjë.

Ndoshta, i mbyllur në ambasadën amerikane në Tiranë, pas mureve të larta përforcuar me kangjella, ndokush edhe mund t’i ketë folur për perandorin e madh, me nënë nga Iliria. Ishim mësuar me emrat “amerikanë”, Xhon, William, apo Jozef. Një Aleksandër, është shumë herë më i afërt, se çdo Xhon, William, apo Jozef. Duke folur në mënyrë emërore...

Ndoshta Arvizu ka marrë më shumë nga e jëma japoneze. Këmbëngulje e besnikëri. Sigurisht që japonezët njihen më shumë për të famshmen “harakiri”. Dhe Arvizu, sipas “legjendave” të mediave shqiptare, e rrezikoi njëherë. Pas të tmerrshmit 21 janar ku u vranë katër shtetas në protestë, thënia e tij “burrë shteti” për kryeministrin Sali Berisha, u cilësua gati si “harakiri”.

Një keqkuptim? Sigurisht. Për një ambasador, i dalë me sukses, nga vende “të egra” si Kamboxhia e Koreja, nuk mund të ishte më shumë se një keqkuptim, jo nga ai, por nga ata që e keqkuptuan. Ai vlerësoi njeriun që shmangu një përplasje të re të mundshme pas 21 janarit (dy protesta nga PD dhe PS, ku Berisha u tërhoq nga e tija), dhe jo njeriun që ishte në krye të shtetit në 21 janar. Megjithatë “damka” i mbeti. Dhe Arvizu duhet ta dijë se në Shqipëri është më mirë “të të dalë syri se sa nami”...

Arvizu ka shumë ndryshim nga paraardhësi i tij, madje edhe nga të tjerë paraardhës. Eshtë shumë më aktiv, madje dhe më shumë politikan se ata. Di të flasë mes rreshtave kur duhet, por di edhe ta presë shkurt, pa stërgjatjet e fjalive alla europiançe. Sot mund ta gjesh mes të përmbyturve në Shkodër, e nesër në një aktivitet për dhunën ndaj grave.

Shpreh mbështetje për “minoritetin rom”, e mban dy ditë konferencë për komunitetin LGBT, ndoshta për t’iu “nxjerrë turpin” shqiptarëve namusqarë. Eshtë i gatshëm t’u përgjigjet mijëra pyetjeve në “Act Now”, e të shtrojë paqësisht një “iftar” me komunitetin musliman...

Aleksandri prej 2010 ka hyrë në kapilarët e jetës shqiptare, atje ku ka dhimbje, por edhe atje ku shkaktohet dhimbja. Atje ku jeta është në fije të perit, e edhe atje ku jetën nuk dinë si ta harxhojnë. Secili do ta ketë në krah të tij, dhe Arvizu nuk para “prish qejf”. E sheh në dhjetëra tryeza, nga arsimi, shëndetësia, bujqësia e politika.

Sa për mediat, duket shumë i dhënë pas tyre. I ka vizituar pothuaj të gjitha ambientet e televizioneve kryesore shqiptare. Çdo gazetar ka nxituar ta ketë një kujtim me ambasadorin gazmor... Nuk e refuzon praninë e tij, nga studiot e rënda, deri tek simpatikët fshikullues të “Fiks Fare”.

Eshtë e rrallë ta shohësh Aleksandër Arvizun të zymtë. Por pas syzeve të vogla, fshihen një palë sy po aq të vegjël, që më e pakta transmetojnë një zgjuarsi “teknologjike” nga Japonia, e një hare “sombreroje” nga Meksika. Gati shumicën e “këshillave” për politikën, për shoqërinë, për të rinjtë Arvizu i ka dhënë duke qeshur, asnjëherë si postulate, po i thotë një amerikan dhë mësoji. Thjesht, po i thotë një njeri që di më shumë se ty, ka parë më shumë se ty. Dhe nuk janë këshilla të këqia...

Arvizu di edhe t’i ngrejë monument vetes. Ndoshta padashje. Ndoshta me një ide të qartë në kokë. Ndoshta i lodhur dhe i mërzitur nga cicmicet e “këtyre shqiptarëve kokëfortë”, përvesh vetë mëngët për të numëruar votat në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Heeejj.

Kjo ishte se ç’ishte. Ja pra që e detyruam edhe një ambasador, madje të vendit më të fuqishëm të botës të zhvishej. Vërtet jo shumë, por ky është vetëm fillimi. Se ja po afrojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Të përgjithshme. Parlamentare. PD përballë PS e përforcuar me LSI. Fillim vere. Pritet i nxehtë i madh. Do zhvishet Aleksandri?

Të themi atë që është, Arvizut mund t’i ketë mbetur pak qejfi. Foli dy herë dhe foli qartë. Për KQZ. Të mos preket KQZ tha herën e parë. Herën e dytë, gati me bindje u shpreh se nuk e besonte se mund të kishte njeri që do të dëshironte të vinte Shqipërinë në përplasje me SHBA-në...Për KQZ ishte prapë. E tha nga mëngjesi.

Nga darka takoi edhe kryeministrin Berisha. Sigurisht që nuk folën për ndeshjet e Detroit Tigers, apo Washington Nationals, skuadrat e dashura të ambasadorit. Vetëm pak minuta më pas, në sytë e ambasadorit që ishte bërë “helm” në lozhën e tij, Parlamenti vendosi…të përplasej me SHBA-në. Të shohim si do jetë kjo përplasje. Ndoshta Aleksandri nuk e di, por ne si vend u kemi bërë ballë të paktën për 30 vjet presioneve të imperialistëve amerikanë…Edhe atëherë “burra shteti” nuk kishim vetëm një…:)

Arvizu ka bërë mëse njëherë thirrje për zgjedhje të lira, për pjesmarrje në zgjedhje. Ai nuk është as zgjedhës shqiptar, e as që mund të përfytyrohet se ndonjë prej partive do ta kandidojë për deputet. Por gjithsesi ai është një nga faktorët më të rëndësishëm të këtyre zgjedhjeve. Jo ai vetë si Aleksandër, por shteti që përfaqëson.

Kur flet është SHBA-ja që flet, kur buzëqesh është po SHBA-ja që të jep support, madje edhe kur përvesh mëngët është SHBA-ja që të monitoron. Jo “Vëllai I madh”, por janë shumë palë sy, që do të jenë të përqëndruar. Mes tyre edhe sytë e vegjël e “dinakë” të Aleksandër Arvizusë.

Në fakt, një pjesë e mirë shqiptarësh, votues apo që presin të votohen, i kanë mbështetur shpresat pikërisht tek ata sy. Një fjalë e rreptë e Arvizusë vlen sa dhjetë mijë vota, një buzëqeshje e tij sa 20 mijë vota, e një përveshje mëngësh mund të ruajë deri në 30 mijë vota.

Arvizu, andej nga vjen nuk është mësuar të shohë një President për më shumë se tetë vjet në pushtet. Që kur ka lindur ai kështu ka qenë (faqja zyrtare e ambasadës nuk e tregon vitin e lindjes. Ndonjë udhëzim?!). Madje edhe më parë, që në kohën e Luftës së Madhe.

Si do të sillet Arvizu? Do të jetë ai një Aleksandër që kërkon shtigje të reja dhe të parrahura, në përpjekjen për t’u shenjuar përjetësisht, apo thjesht, një ambasador burokrat. Përcjelljen e mesazhit ai mund ta bëjë kurdoherë edhe nga zyra. Në 2011 nuk mund të besohet se në “post scritum” të mesazhit ishte shkruar se “ambasadori duhet të përveshë mëngët”…

23 qershori një sfidë për Arvizunë? Asgjë e tillë në sipërfaqe. Por nëse gjaku I tij meksikan, mbizotëron mbi metodologjinë politike amerikane dhe mbi mënyrën e drejtëpërdrejtë japoneze, atëherë fillim vera e këtij viti mund të rregjistrojë surpriza. Një Aleksandër shqiptar…folur diplomatikisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur