SHBA-të do të lëshojnë një numër të kufizuar pasaportash që përmbajnë një portret të presidentit amerikan Donald Trump, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.

Pasaportat do të publikohen për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve në korrik.

Një zyrtar i administratës konfirmon se dizajnet e reja do të jenë të disponueshme për “çdo qytetar amerikan” që aplikon për pasaportë kur të nisë shpërndarja, dhe do të vazhdojnë të jenë në dispozicion për aq kohë sa të ketë stok.

Pasaportat do të jenë gjithashtu të disponueshme vetëm në Agjencinë e Pasaportave në Uashington.

Sipas paraqitjes grafike, imazhi i Trumpit shihet i rrethuar nga teksti i Deklaratës së Pavarësisë dhe flamuri amerikan, së bashku me nënshkrimin e presidentit në ngjyrë ari.

“Dizajni i ri patriotik i pasaportës së Presidentit Trump ofron një tjetër mënyrë të shkëlqyer që amerikanët të marrin pjesë në festimet spektakolare për 250-vjetorin e Amerikës,” tha për BBC një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Pasaportat e tanishme të SHBA-ve paraqesin skena nga historia e vendit, si ulja në Hënë, së bashku me simbole amerikane si Statuja e Lirisë. Nuk dihen nëse qytetarët amerikanë do të kenë mundësinë të zgjedhin të mos e marrin këtë version.

Pasaporta përkujtimore është hapi i fundit i administratës për të lidhur emrin dhe imazhin e Trumpit me programe të ndryshme qeveritare dhe ndërtesa publike.

Banka Amerikane ka njoftuar së fundmi plane për një monedhë ari përkujtimore me figurën e Trumpit si pjesë e 250-vjetorit, dhe presidenti pritet gjithashtu të bëhet presidenti i parë në detyrë në SHBA që ka nënshkrimin e tij në kartëmonedhat amerikane.

Bordi i Qendrës Kennedy votoi për të riemëruar qendrën e arteve skenike në Qendra Trump-Kennedy në nder të presidentit, gjë që u dënua nga anëtarët e familjes së presidentit të ndjerë John F. Kennedy.

Në fillim të prillit, Shtëpia e Bardhë zbuloi planet për një hark gjigant triumfi, të quajtur “Arc de Trump”. Një panel federal ka dhënë miratim paraprak për strukturën 76 metra të lartë në Uashington DC, pavarësisht reagimeve kryesisht negative nga publiku dhe grupet për ruajtjen e trashëgimisë.

Presidenti ka lënë gjithashtu një gjurmë të përhershme në vetë Shtëpinë e Bardhë, duke shembur Krahun Lindor të ndërtesës si pjesë e planeve të tij për të ndërtuar një sallë balloje.

Shtëpia e Bardhë është paditur ndërkohë nga Trusti Kombëtar për Trashëgiminë Historike, i cili pretendon se ndërtimi filloi përpara se planet të paraqiteshin në Komisionin Kombëtar të Planifikimit të Kryeqytetit./BBC